Linhart: Austria mbështet fort Shqipërinë në hapjen e negociatave, Gjosha: Zbatimi i reformës në drejtësi, prioriteti ynë

492
Sigal

Austria mbështet hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian në dhjetor të këtij viti. Këtë e ka shprehur ditën e sotme Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Linhart gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha.

Në fjalën e tij, ministri Linhart theksoi se Austria do të përpiqet të bindë partnerët e saj për të mbajtur një qëndrim pozitiv për procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë.

“Shqipëria ka bërë progres me reformat. Austria është një partner i fortë për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Është e rëndësishëm të theksohet se për integrimin gjithçka varet nga progresi i Shqipërisë, dhe përpjekjet konkrete për zbatimin e reformës në drejtësi. Do të jemi në favor të hapjes së negociata për anëtarësim të Shqipërisë në BE në dhjetor. Do të përpiqemi të bindim partnerët tanë për të mbajtur një qëndrim pozitiv për këtë”, tha ministri austriak.

E pyetur për vendet skeptike ndaj hapjes së negociatave për Shqipërinë në BE në dhjetor, ministrja Gjosha tha se “ne ia kemi vënë vetë kusht vetes zbatimin e reformës në drejtësi dhe të ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne do të ecim përpara me përpjekjet tona. Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe do të vijojmë me zbatimin e kësaj reforme. Data kur Shqipëria do të nisë zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë edhe data që do t’i japë rrugën hapjes së negociatave”.

Austria është një nga vendet iniciatore të krijimit të grupit “Miqtë e Shqipërisë” që mbështet vendin tonë me procesin e integrimit.