Largohet deputeti i PDIU: Nuk arrita objektivat

Bujar Muça, deputet i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë ku kërkon heqjen dorë nga mandati i deputetit. Por kërkesa nuk është pranuar nga KQZ për mungesë kompetence. Në letrën drejtuar KQZ-së, e cila pritet të depozitohet në Kuvend, sqarohen shkaqet e dorëheqjes, që nuk kanë të bëjnë me çështje personale, por politike. Deputeti Muça në kërkesën që i ka dërguar KQZ-së shkruan se forca politike që ai përfaqëson nuk arriti objektivat dhe për pasojë atij nuk i ka dhënë hapësira për mbajtjen e premtimeve. Nëse do të pranohet kërkesa për lënien e mandatit, vendin e tij e zë Elena Xhina. Dorëzimi i mandatit nga deputeti Muça ndodh vetëm dy muaj pas nisjes së legjislaturës, ndërsa vetë kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, mbeti jashtë Parlamentit. PDIU është rreshtuar në koalicionin qeveritar, ndonëse ajo nuk e kushtëzon numerikisht Partinë Socialiste për të formuar e vetme shumicën parlamentare.