Kuvendi miratoi me 84 vota Aktin Normativ, opozita e bojkoton

418
Sigal

Një ditë pas rekomandimit të KE-së për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, politikëbërja vazhdon …konfliktualitetin 

Një dita pasi KE-ja rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi kandidat, politikëbërja në Shqipëri, çuditërisht, reflekton, me …konfliktualitetin total.  Në seancën e djeshme plenare u miratua me 84 vota pro dhe katër kundër , Akti Normativ nr. 5, datë 30.09.2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”. Miratimit të këtij akti i parapriu një diskutim i gjatë  parlamentar ku në nisje të  seancës plenare, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta sqaroi deputetët se “Kushtetuta imponon futjen automatikisht në rendin e ditës të çdo akti normativ, që iniciohet nga ana e Këshillit të Ministrave”. “Ne kemi bërë përpjekjet maksimale që të mos nxitojmë, madje diskutimin e këtij akti normativ kaq të rëndësishëm e shtymë nga java  kaluar për sot, me qëllim që t’u jepnim mundësi kryeministrit dhe kryetarit të opozitës për një dialog, gjë që nuk ka ndodhur në nivelet më të larta. Dua të theksoj se për këtë nismë, përpara se ajo të ndërmerrej nga qeveria, në dijeninë time edhe si Kryetar i Kuvendit, janë kërkuar takime zyrtare me grupet parlamentare të opozitës për t’ua bërë të njohura motivet dhe arsyet që impononin ndërmarrjen e këtij akti, në të cilin, sikurse iu referua edhe zoti Ruçi, shpjegohet shumë qartë edhe në Raport-Progres. Megjithatë kjo është një çështje që do të diskutohet më pas dhe shpresoj që përfaqësuesit e opozitës të marrin pjesë në diskutimin e kësaj çështjeje”- u shpreh Kryetari i Kuvendit. Në qëndrimin e kryetarit të grupit parlamentar të PD, deputetët e të cilit nuk ishin të pranishëm, z. Edi Paloka i bëri thirrje maxhorancës të votojë kundër Aktit Normativ. “Goditja që i është bërë konsensusit, dëmton jo vetëm jetën politike në Shqipëri, por edhe të ardhmen e këtij vendi”- u shpreh ndër të tjera z. Paloka. Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci theksoi se aktet nënligjore duhet të ishin miratuar nga maxhoranca e kaluar dhe se Akti Normativ vjen si detyrim i kësaj situate. Zoti Ruci theksoi se Akti Normativ vjen dhe si përmbushje e konkluzionit të Progres –Raportit të BE. Kryeministri Edi Rama duke vlerësuar diskutimet e deputetëve  për këtë çështje, vlerësoi se në mënyrë të argumentuar iu shpjegua publikut  arsyet  e nevojës së hartimit të Aktit Normativ, pa e kthyer debatin sikurse theksoi Kryeministri “me frymë urrejtje dhe denigrimi për opozitën”. Kryeministri Rama nënvizoi se Akti Normativ ka marrë dhe ekspertizën ndërkombëtare dhe mbështetjen e të gjithë BE, ndërkohë që shtoi se qeveria dhe maxhoranca kanë patur vullnetin e mirë për të përfshirë opozitën në këtë proces. Sipas Kryeministrit Rama ky Akt Normativ nuk ka lidhje me asnjë prishje, të asnjë konsensusi, por sikurse theksoi ai, është shprehje e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së kësaj qeverisje të re për reformën në administratë. Relatorja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike deputetja Vasilika Hysi tha se në aspektin ligjor Akti Normativ është në përputhje me Kushtetutën dhe në aspektin procedural ka respektuar të gjitha kërkesat e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Relatorja e Komisionit për Çështjet ligjore, deputetja Vasilika Hysi tha se akti normativ “Për disa ndryshime në Ligjin nr 152/2013 ”Për nëpunësin civil “, është  shqyrtuar në komision, brenda afatit të përcaktuar.   Në relacion theksohet se aktet nënligjore të cilët duhet të miratohen me aktin normativ, parashikohen në 30 nene të ligjit. Urgjenca e ndërhyrjes në ligj me akt normative përcaktohet për shkak të efekteve të menjëhershme që do të shkaktonte mosndërhyrja në fushën e marrëdhënieve të shërbimit civil pas bllokimit dhe vakumit që do të krijohej nëse ligji fillonte efektet që në 1 Tetor 2013. “Me aktin normativ qeveria nuk ka marrë padrejtësisht funksionet ligjvënëse të Kuvendit”- u shpreh ndër të tjera relatorja e Komisionit të ligjeve.