Kushtetuta i ka dhënë këtë kompetencë Presidentit të shërbejë si një filtër kushtetues për integritetin dhe besueshmërinë

495
Sigal

Intervistë e Presidentit Ilir Meta për emisionin “Opinion”

– A duhet që përpara se të dekretoni Ramën si ministër të Jashtëm, ju duhet të çdekretoni, pra të dekretoni shkarkimin e ministrit Bushati? Dhe pse nuk e keni bërë këtë gjë?

Sepse nuk ka qenë domosdoshmëri për të shkarkuar apo për të bërë dekretin e shkarkimit të zotit Bushati për faktin se nuk kam qenë i bindur për të emëruar pasuesin e tij dhe Ministria e Jashtme nuk është si të gjitha ministritë e tjera…

Cili është neni kushtetues që iu referuat zoti President, sepse kryeministri Rama ju konsideron shkelës të Kushtetutës dhe tejkalues të kompetencave tuaja.

Është argëtim për mua të dëgjoj komente të tilla, por të jeni të sigurt se Partia Socialiste është një parti serioze, e cila gjithashtu ka ndihmuar edhe jurisprudencën kushtetuese me aktet që ka bërë dhe me kërkimin nga Gjykata Kushtetuese në të kaluarën për të sqaruar rolin dhe pozitën e Presidentit në politikën e jashtme. Dhe këtu i referohem në mënyrë të veçantë vendimit nr. 15, datë 15. 04. 2010 të Gjykatës Kushtetuese.

Që thotë?

Dhe përsa i takon çështjes së dekretimit, dua të sqaroj se lidhur me afatet ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese në të kaluarën, në rastin kur Kuvendi nuk ka respektuar afatin e 10 ditëve për t’u shprehur për dekretetet e Presidentit me propozim të kryeministrit, e ka bërë të qartë se kur nuk ka pasoja nga tejkalimi i afatit, nuk ka problem. A ka ndonjë pasojë nga mosdekretimi i shkarkimit të zotit Bushati? Jo! Pasojë mund të kishte në rast se unë do ta kisha shkarkuar zotin Bushati dhe në krye të MEPJ-së për momentin do të kishim një situatë kur do të kishim një zëvendësministër, i cili nuk do të kishte përgjegjësi të plota kushtetuese për këtë institucion aq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare gjithashtu.

Deri më sot, mbi njëzet vite nga Kushtetuta e 28 nëntorit të vitit 1998, presidentët kanë vetëm kundërfirmosur kërkesat e kryeministrave. Përse ju keni vendosur të zbatoni një standard të ri? Natyrisht kuptohet në mungesë të Gjykatës Kushtetuese që do të shprehej për këtë çështje. Nga cili argumentim niseni?

Gjykata Kushtetuese nuk shprehet dot për kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Si nuk shprehet dot? Jeni i bindur për këtë zoti President?

– Së pari, neni 98 pika 1, ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda shtatë ditëve. Dy, dekretet, pra dekreti i Presidentit shqyrtohet brenda dhjetë ditëve nga Kuvendi.

Po në se i drejtohen Gjykatës Kushtetutës dhe ta pyesin se çfarë ndodh kur Presidenti…? …nuk e dekreton?

Më falni! Të vësh në pikëpyetje këtë kompetencë kushtetuese që Kushtetuta ia ka dhënë Presidentit, është njësoj sikur Presidenti të çojë në Gjykatë Kushtetuese kompetencën që Kushtetuta i jep kryeministrit për të propozuar. Dhe të çojë në Gjykatë Kushtetuese këtë propozim si antikushtetues për arsye se personi në fjalë ka një, dy apo tri probleme, nga ato të cilat janë bërë publike edhe nga ana e Presidentit të Republikës.

  • A mund t’i diktoni kryeministrit zgjedhjen e ministrave?

Unë nuk i diktoj kryeministrit zgjedhjen e ministrave, por Kushtetuta i ka dhënë këtë kompetencë Presidentit, për arsye se Presidenti duhet të shërbejë në një rast të tillë si një filtër kushtetues për integritetin dhe besueshmërinë…

Mbi bazën e opinioneve personale të Presidentit?

Jo! Jo! Më falni! Mbi bazën e atyre shpjegimeve që Presidenti është i detyruar t’ia japë kryeministrit edhe në mënyrë informale apo formale, por edhe publikisht në rast se kjo gjë është e domosdoshme. Kështu që…

– Ia keni dhënë ju vërejtjet tuaja zotit Rama? Si ka reaguar?

Po, ia kam thënë. Ia kam bërë të qarta arsyet se përse këtë person të propozuar prej tij, për të cilin ai kishte vlerësim shumë të lartë, nuk mundem t’ia besoja detyrën e ministrit të Jashtëm.

  • Ju zoti President a keni kërkuar informacione, burime alternative përtej Shqipërisë për zotin Cakaj?

Kam një pyetje për ju. Një kandidat për ministër, i cili pranon të dekretohet apo të firmoset pa pasur një dokument të tillë, nuk e kuptoj a mund të kem besim unë si President i Republikës, që kam përgjegjësi të jashtëzakonshme të përcaktuara qartë nga Kushtetuta dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rolin e Presidentit në marrëveshjet ndërkombëtare që t’i delegoj këtij njeriu, t’i jap besim, t’i jap plotfuqi për marrëveshje të rëndësishme? E kam të pamundur.

Kryeministri si ka reaguar kur i keni thënë çështjen e DSIK-së?

Nuk dua të hyj në këtë çështje. Unë i kam thënë këtë gjë Kryeministrit: ky person për këto arsye, për shkak të kësaj çështjeje kaq delikate, për shkak të faktit që ne kemi marrë kryesimin e OSBE-së e që është tepër e rëndësishme. Për shkak të çështjes me Bashkimin Europian që është tepër e rëndësishme, për shkak edhe të kësaj deklaratës që nuk është ashtu siç thoni ju.

Besoj se koncepti i tij është shprehur shumë qartë: “që ka evoluime në suazat e korrigjimeve të përgjithshme territoriale në Ballkanin Perëndimor”. Nuk e di se ku në BE janë shfaqur këto koncepte për korrigjime të përgjithshme territoriale. Nuk e di ku.

– Në koncept nuk duhet të dekretoni Ramën atëherë. Është shprehur zoti Rama për korrigjimin e kufijve më hapur në favor se sa të tjerët…

Kjo është çështje tjetër, ka kohën e vet për t’u shprehur. Për rastin në fjalë, unë e kam ndjekur me shumë vëmendje. Nuk kam pasur asnjë paragjykim….

– A ka një paragjykim ngaqë ai vjen nga Kosova?

Zero – por unë nuk kam refuzuar Veton Surroin, nuk kam refuzuar as Hasan Prishtinën, më vjen keq – dhe jo vetëm kaq, por unë i kam thënë Kryeministrit në takimin paraprak, se kam dashur ta shmang këtë debat. I kam thënë se nëse ke një vlerësim kaq të lartë, sepse ai kishte vlerësim shumë të lartë për të, bëje Ministër i Kulturës, bëje një ministër tjetër…

-Dhe ishit gati ta dekretonit në një post tjetër?

Po, patjetër, sepse për mua një post tjetër nuk është i një rrezikshmërie të tillë siç mund të jetë në postin e Ministrit të Jashtëm, sepse një Ministër i Jashtëm mund të hedhë një firmë dhe një shtet mund të përfundojë për dekada të tëra në gjykata zotëri. Dhe pastaj Presidenti do t’ia linin fajin, do thoshin ai e dekretoi, nuk kemi ne përgjegjësi. Presidentit do t’ia linin përgjegjësinë prapë.

– Zoti President, a ndani ju dhe Kryeministri i Shqipërisë qëndrime të ndryshme për çështjen e shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë?

Unë dua t’ju them dy gjëra për këtë çështje. E para, raporti im si President i Shqipërisë me të gjithë aktorët në Kosovë, aktorët institucionalë dhe drejtuesit kryesorë të opozitës, zotin Isa Mustafa dhe zotin Albin Kurti. Qëndrimi im ka qenë dhe do të mbetet: të bëhet çdo përpjekje për një marrëveshje me Serbinë.

Së dyti, unitet, sepse çdo përçarje e defaktorizon Kosovën në raport me Serbinë dhe që ne do të përkrahim çdo gjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Dhe tjetra, asnjë hap përpara pa koordinim të ngushtë në mënyrë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Natyrisht edhe me faktorë të tjerë. Pse? Sepse kanë qenë nga vendet kryesore të përkushtuara për çlirimin e Kosovës dhe për të gjithë arritjet e Kosovës deri tani. Ky ka qenë qëndrimi im. Tani të kalojmë te Shqipëria, si President i Shqipërisë. Nëse ka një vend nga 115 vende pak a shumë, që e kanë njohur Republikën e Kosovës, vendi i fundit në botë që mund të pranojë një vënie sadopak në diskutim të pavarësisë së Kosovës, të integritetit territorial të Kosovës dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që përmendet shumë pak, është Shqipëria. Çdo shtet tjetër, përfshirë edhe aleatët tanë më të fortë dhe më të dashur, përveç Kosovës kanë edhe shumë çështje të tjera më të rëndësishme apo shumë më të rëndësishme. Ndërsa Shqipëria, çështjen më të rëndësishme ka Kosovën dhe stabilitetin në rajon.

– Zoti President, ju keni shpërndarë një deklaratë ditën e premte ku thoni: Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.  Ku ka guxuar zoti Rama të kërcënojë Presidentin e Republikës?

Më duket se kam qenë shumë i qartë në të gjitha këto çështje dhe besoj se deri në fund në këtë institucion interesi kombëtar është i pari, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e para dhe Shqipëria është e para.

– A po i jepni ju një dorë opozitës në një moment goxha të vështirë për Kryeministrin, të cilit nga një anë i dalin studentë në proteste, nga një anë tendera falsë, nga një anë tjetër ka probleme me të vetët. A po hyni në lojën politike?

Mendoj se duhet të bëhemi më të përgjegjshëm për shtetin tonë. Arroganca për fat të keq e Kryeministrit është shkaku i kësaj situate të gjithanshme konfliktuale në vend dhe për këtë na mjafton rasti i marrëdhënieve të institucionet të Presidentit me Kryeministrin për të kuptuar më thjeshtë se çfarë ndodh midis Kryeministrit dhe të gjithë institucioneve të tjera apo Kryeministrit dhe opozitës.

– Ju mendoni që ka arrogancë institucioni i Kryeministrit ndaj jush?

Në rast se unë do të kisha dashur të merresha me politikë dhe për hatrin tuaj po merrem pak me politikë, por me politikë në mbrojtje të Kushtetutës dhe të interesit publik do të isha marrë dhjetë herë më shumë, 100 herë më shumë edhe se opozita e sotme në mënyrë që edhe ajo të jetë në lartësinë e detyrës, pikërisht me një ligj tjetër përveçse shumë çështjeve të tjera për të cilat sjellja ime ka qenë tepër institucionale. Ligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin mbi tatimin mbi të ardhurat, që ka të bëjë me shpërndarjen e dividentit, të cilin unë e ktheva ku neni 155 i Kushtetutës bën të qartë se: “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”. Po të donte Presidenti të bënte politikë mund të merrej me këtë çështje ditë e natë, sepse shkelja e Kushtetutës këtu është tepër e qartë. Dëmi i interesit publik është tepër serioz, por Presidenti nuk është marrë me këtë gjë, por ka bërë detyrën e tij dhe Presidenti duhet të bëjë detyrën e tij, opozita duhet të bëjë detyrën e saj, qeveria duhet të bëjë detyrën e vet, po nuk duhet ta detyrojnë Presidentin të bëjë edhe detyrat e të tjerëve.

Zoti President, a ka një raport të tensionuar mes jush dhe zotit Rama?

Asnjë tension midis meje dhe zotit Rama.

– Keni marrë një mesazh që më pas u bë publik nga gazetari Baton Haxhiu. Si jeni ndjerë pasi morët atë mesazh? Apo nuk e keni lexuar?

Kam njohur dikur një person me këtë emër, por nuk figuron që ekziston më ai që kam njohur unë. Kam njohur dikur një Baton, por nuk më figuron më që ai person më siç e kam njohur unë.