Ministrja Shahini në terren për monitorimin e dëmeve nga tërmeti

519
Sigal

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini ka zbarkuar në terren ditën e sotme për të inspektuar nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

Së bashku me ekipet e MASR, zyrave vendore arsimore dhe bashkive respektive, Ministrja Shahini ka bërë verifikimet faktike në disa shkolla të Tiranës, Kamzës, Vorës dhe Durrësit.

“Deri tani, kemi disa shkolla dhe kopshte në Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Durrës të cilat shfaqin vetëm plasaritje të fasadës”, shprehet Znj. Shahini teksa nënvizon faktin se me ndërhyrjet momentale që po realizohen aty ku është e nevojshme, duket se të gjitha shkollat do të hapin dyert për mësim për nxënësit e tyre ditën e nesërme.

Gjithsesi, ekipet e monitorimit të MASR dhe zyrat vendore arsimore vazhdojnë punën dhe verifikimet në koordinim edhe me strukturat e tjera qendrore dhe vendore.

Bëjmë me dije se në varësi të konstatimeve dhe rezultateve, MASR do të vijë me të tjera njoftime për media.