Kthimi i “Antishpifjes”, Andi Bushati: Jo vetëm mediave, Rama i ka shpallur luftë çdo pushteti të pavarur

208

Paketa “Antishpifje” është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. Një dite pasi e ktheu për rishqyrtim, Presidenti Ilir Meta ka përcjellë këtë apel: “Është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, analisti Andi Bushati e cilësoi një lëvizje të pritshme edhe nga kryeministri dhe vetë mazhoranca, vendimin e presidentit për të rikthyer ligjin e ashtuquajtur “Antishpifje”.

Por kjo gjë sipas tij, nuk pritet të sjellë reflektim nga ana e mazhorancës, që duket e vendosur ta kalojë ligjin në fjalë.

“Ajo që dua të theksoj është që kjo lëvizje e Metës, por edhe qëllimi i mazhorancës për të goditur lirinë e mediave në Shqipëri, që është dënuar nga OSBE dhe Këshilli i Evropës, nuk duhet parë si një beteje e gazetarëve me qeverinë, por në një kuadër shumë të gjerë, ai i goditjes së çdo lloj pushteti të pavarur në Shqipëri. Sot Rama është në konflikt me gjykatësit, prokurorët, LSI, presidentin. Mazhoranca e ka dhënë sot përgjigjen, që nuk do të ketë reflektim”, – tha z.Bushati.

Sipas analistit, ky nuk është vetëm problem i gazetarëve dhe shoqërisë civile, por i mbarë shoqërisë.

“Nëse shoqëria pranon instalimin e një regjimi, nuk do të ketë as privilegjin e fjalës së lirë”, – u shpreh z.Bushati.