KShH përshëndet miratimin me konsensus të Reformës në Drejtësi

66
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), qysh në datën 8 korrik 2016 u ka bërrë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të miratonin projekt-ndryshimet Kushtetuese për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, sepse kjo në radhë të parë ishte në interes të Shqipërisë. Përshëndesim Kuvendin e Shqipërisë që më në fund arriti në përfundimin se, kjo reformë jo vetëm ishte e domosdoshme të miratohej, por miratimi i saj me konsensus është garanci për zbatimin e saj në praktikë, për qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi. KShH shpreh falenderimet e veçanta për Komisionin e Venecias, BE-në dhe SHBAnë, Ambasadoren Romana Vlahutin dhe Ambasadorin Donald Lu, Misionet EURALIUS dhe OPDAT, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në hartimin e këtij projekti të standarteve ndërkombëtare. 

KShH është i bindur se, miratimi i kësaj reforme do të mbështetet fuqimisht nga të gjithë shtetasit shqiptarë që nuk mund të pajtoheshin me korrupsionin serioz dhe me pasoja në dëm të interesave të tyre. Pas miratimit të kësaj reforme, ata do të inkurajohen dhe ndërgjegjësohen se roli i tyre si forcë e pazëvëndësueshme llogarikërkuese do të jetë më efektiv dhe më i motivuar. KShH është i bindur se, pas miratimit të reformës së mësipërme dhe në vazhdim, besimi i qytetarëve ndaj organeve të gjykatës dhe prokurorisë do të rritet. Në këtë drejtim do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme zbatimi i parimit kushtetues se para ligjit janë të gjithë të barabartë, se koncepti dhe praktika e pandëshkueshmërisë do të
marrin një goditje të fortë. Populli ka aspiruar, ka kërkuar dhe do të vazhdojë të kërkojë një drejtësi të pavarur dhe të paanshme ku autoriteti më i lartë do të jetë Kushtetuta dhe ligji.