Kryetari i PD-së Basha: Banorët duhet të marrin dëmshpërblim të plotë

500
Sigal

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mbrëmjen e djeshme në protestën për “Unazën e Re” në Tiranë publikoi dokumente dhe u shpreh se çdo banor i Unazës së Madhe në proces legalizimi duhet të marrë dëmshpërblim të plotë. “Kam dy vendime të Këshillit të Ministrave në duart e mia. Njëri i vitit 2011 dhe tjetri i vitit 2012. I pari i vitit 2011 përcakton një precedent ligjor, ku vendos qartë që të gjithë ata kur janë në proces legalizimi, ata që kanë bërë vetëdeklarimet, në rast të ndërtimit të veprave publike, do të shpronësohen me vlerën e tregut dhe do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut.  VKM-ja e dytë është zbatimi i këtij precedent ligjor në një projekt që është pikërisht ndërtimi i Unazës së Madhe këtu ngjitur, ku, me këtë VKM të vitit 2012, ja ku keni edhe listën e banorëve të cilët sipas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, pavarësisht nëse ka përfunduar apo jo procesi i legalizimit, për sa kohë ka bërë vetëdeklarimin, për sa kohë janë në proces legalizimi, ata trajtohen njësoj si të ishin të legalizuara. Pra vlerësohen, shpronësohen dhe dëmshpërblehen me vlerën e tregut.”- tha Basha  Kryetari i PD shpjegoi se dëmshpërblimi është rruga e vetme ligjore për familjet që preken nga projekti.  “Precedenti ligjor është i qartë. Zbatimi i ligjit nuk lë asnjë rrugë tjetër përveçse vlerësimit të çdo centimetri katror të secilës prej këtyre 317 banesave, të 1 mijë familjeve të kësaj zone dhe dëmshpërblimit me vlerë tregu me para në kontot e tyre bankare para se të lëvizë lopata e parë. Çdo gjë tjetër është e paligjshme, është kriminale. E vetmja gjë e ligjshme që po ndodh këtu është rezistenca e banorëve. Qëndresa dhe rezistenca e banorëve mbështetet në Kushtetutë dhe gjithçka tjetër është e paligjshme dhe kriminale në kuptimin ligjor të fjalës..” – u shpreh Basha.