Kryeministri Rama dhe bashkëshortja Linda urojnë: Gëzuar Krishtlindjen!

435
Sigal

 Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda vizituan sot, Katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” dhe Katedralen katolike të “Shën Palit”, nga ku iu uruan besimtarëve ortodoksë dhe katolikë dhe gjithë shqiptarëve: Gëzuar Krishtlindjen!   Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Kryeministri Rama u prit nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Anastas Janullatos, të cilit i përcolli urimet e përzemërta për Krishtlindjen. Në urim i tij, Kryeministri Rama u shpreh: “Uroj Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve. Është një festë e të gjithëve si të gjitha festat e mëdha të besimeve fetare në vendin tonë. Ndërkohë përfitoj nga rasti që të nënvizoj kënaqësinë që në këtë ditë, kur fryma e solidariteti me më të dobëtit, fryma e solidariteti me ata në nevojë, fryma e solidariteti me të gjithë ata që kërkojnë një rrugë shprese, kulmon, jemi optimistë që viti që vjen do të jetë pikërisht një vit nën këtë frymë e nën këtë shenjë.”  Në Katedralen e “Shën Palit”, Kryeministri Rama u prit nga Kryeipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita. Kryeministri uroi Imzot Mirditën dhe të gjithë besimtarëve katolikë për kremtimin e kësaj dite të jashtëzakonshme për ta.   Pas vizitës në Katedralen e “Shën Palit”, Kryeministri u shpreh: “Besoj se do të gjeja dakordësinë tuaj dhe të të gjithëve që ta mbyllim edhe këtë traditën që në këtë ditë kaq të jashtëzakonshme dhe kaq të largëta nga politika si këto ditë, të mos u jepej më mikrofoni njerëzve të politikës që të bëjnë urimet e tyre, a thua se janë Zoti në tokë. Ne nuk jemi Zoti në tokë. Përkundrazi, duhet të jemi dhe do të bëjmë çmos të jemi shërbëtorët e njerëzve të zakonshëm”.