Kryebashkiaku Veliaj mbjell pemë dhe për Kajanin: Këtë vit mbjellim 150 mijë

560
Sigal

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi që fushatën e këtij viti për mbjelljen e pemëve ta nisë duke mbjellë një pemë për djalin e tij, Kajanin, i cili erdhi në jetë disa ditë më parë. “Unë e mbolla pemën e parë për këtë vit për djalin tim, ndaj kushdo që do të mbjellë një pemë për fëmijën e tij, për djalin ose vajzën, qoftë edhe si kontribut për qytetin, për mjedisin, për kauzat ku beson, për të kujtuar diçka të bukur, mbjellja e një peme është mënyra më e mirë. Në këtë qytet jemi bërë të mirë falë bashkëpunimit dhe solidaritetit, kemi mësuar se kur njerëzit bëhen bashkë, bëjnë mrekulli”, tha ai. Nisja e fushatës për mbjelljen e pemëve përkoi edhe me Ditën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesit e OKB-së në Tiranë iu bashkuan kryebashkiakut Veliaj për mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit, si një mënyrë për të përmbushur misionin e saj lidhur me një mjedis të qëndrueshëm në qytete të qëndrueshme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shoqërua në këtë aksion nga Koordinatori i Përhershëm i UNDP-së në Tiranë, Brian J. Williams. Veliaj tha se objektivi i Bashkisë së Tiranës për këtë vit është jo vetëm të thyejë rekordin e vendosur sezonin e shkuar të mbjelljeve, por të arrijë të mbjellë 150 mijë pemë. “Sot kemi mbjellë serinë e parë të atyre që do të jenë 150 mijë pemë për fushatën e këtij viti. Besoj se do ta thyejmë rekordin e vitit të kaluar, që ishte 126-127 mijë pemë. Është një ditë fantastike për ta nisur me këmbë të mbarë me kolegët e agjencive të OKB-së në Tiranë, për ta festuar në mënyrë konkrete, jo me seminare, jo me konferenca, jo me fjalime, por duke i dhënë qytetit një kontribut që në thelb flet mijëra fjalë për misionin e Kombeve të Bashkuara. Mezi pres që këtë vit, qytetarët të na përgjigjen duke mbjellë pemë; mund të jetë poshtë pallatit, këtu te Liqeni siç po bëjmë sot apo në një territor tjetër që do të përcaktohet nga Bashkia e Tiranës”, shtoi Veliaj.