Çahet asfalti dhe dëmtohet korsia e këmbësorëve, miliona euro nga fondi i BE-së derdhen në det

558
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Brenda vitit nga inaugurimi, në Lungomare çahet asfalti, korsia e këmbësorëve është dëmtuar

Skandali: Miliona euro investime të rrugëve derdhen në …det. Do të hetojë prokuroria koncesionarët?

Një nga aspektet korruptive të koncesioneve të dhëna, sidomos në infrastrukturë, është kostoja shumë e lartë e ndërtimit ë tyre, e krahasuar me vendet e tjera fqinje dhe të Evropës, ku rrogat, materialet aty janë shumë herë më të larta, sesa në Shqipëri. Por, shumë herë ndodh, që rrugët e ndërtuara prishen, amortizohen shumë shpejt, duke dëshmuar jo vetëm për cilësinë e dobët, por edhe për punime të pakta, të kryera jashtë çdo standardi teknik. Më e keqja, është se asnjëherë organet shtetërore dhe ato të drejtësisë nuk kanë çuar në gjyq koncesionarët dhe ata zyrtarë të qeverisë, që kanë firmosur, ose symbyllur, ose me dashje, çeqet e pagesave, sipas faturave që kanë dhënë koncesionarët, pa kontrolluar aspak punimet, por as që kanë kërkuar që, në rastet kur rrugët janë dëmtuar para kohe nga cilësia e keqe e ndërtimit të tyre, të çojnë në prokurori fajtorët.

Lungomarja, asfalti çahet brenda vitit nga inaugurimi

Projekti i shumëpërfolur “Lungomare” i cili thithi miliona euro, ka nevojë të për ndërhyrje edhe pse ende nuk ka kaluar ende 1 vit nga koha kur punimet kanë përfunduar dhe kryeministri e trumbetoi si një sukses të padiskutueshëm të “Rilindjes Urbane”. Siç shihet dhe nga fotografitë, asfalti është çarë, ndërsa korsia e këmbësorëve është dëmtuar në gjatësinë e gjithë shëtitores. Me sa duket, pavarësisht milionave të eurove të hedhura, dhe vëmendjes që ka pasur ky projekt, cilësia e punimeve lë për të dëshiruar.

A do të fillojë hetimet prokuroria ndaj koncesionarit?

A do të fillojë hetimet prokuroria ndaj firmës që përfitoi koncesionin? Është pyetja e parë që na lind, pasi shikojmë asfaltin e çarë dhe korsinë e këmbësorëve të dëmtuar në gjithë gjatësinë e saj. Përse? U përdorën materiale të cilësisë së keqe? U ndërtua jashtë çdo standardi teknik? Sa është kostoja e materialeve të përdorura dhe sa është preventivi, sipas kontratës që është nënshkruar? Sa është parashikuar kostoja e ndërtimit dhe sa është kostoja krahasuese me vendet e tjera të Rajonit? Këto pyetje dhe të tjera, duhet të hetojë prokuroria, tani që Lungomarja në Vlorë hodhi në det dhjetëra miliona euro që u paguan koncesionarëve për ndërtimin e saj.