Krimet e Rënda zgjerojnë hetimet, 35 zyrtarë nën lupën e prokurorëve, ja qarqet

627
Rreth 35 oficerë policie të niveleve të ndryshme, përfshi këtu edhe ish-drejtorë, janë duke u verifikuar nga prokurorët e krimeve të rënda në kuadër të hetimeve që kanë nisur për trafikun e drogës, pas përgjimeve të kryera nga antimafia italiane. Burime nga prokuroria thanë se hetimet nuk po kryhen vetëm mbi dosjen Habilaj, për të cilën nën hetim është marrë edhe ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, por edhe për dy dosje të tjera që kanë lidhje me të njëjtën vepër penale, trafikimin e drogës. Sipas burimeve, ndërkohë që janë firmosur 3 fletë arrestet për zyrtarë të Policisë së Vlorës, prokurorët kanë përqendruar vëmendjen në Fier dhe Tepelenë, ku pritet të ketë zhvillime, të ngjashme me ato të Vlorës, edhe pse urdhrat e prokurorisë mbetën pa u zbatuar, pasi asnjë nga personat e shpallur në kërkim nuk u gjet në banesat e kontrolluara nga SHKÇB. Po kështu mësohet se prokuroria përmes disa grupeve hetimore po kalon në sitë dosjet e disa zyrtarëve të policisë në Lezhë e Shkodër, si dhe për Beratin, Durrësin, Elbasanin dhe Korçën. Burimet shprehen se po ballafaqohen të dhënat e përfshira në raportin e SHISH, që i përket vitit 2016 mbi lidhjet e disa zyrtarëve të policisë me grupet e trafikantëve të drogës, si dhe denoncime publike që janë kryer qoftë nga opozita, qytetarët apo mediat.
Sigal