Kreu i PD-së, Lulzim Basha/ Publikon Dokumentin që frymëzoi lirinë, nga Parlamenti Britanik

428
Sigal

Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë qëndrimit në Londër ka shpërndarë foton e dokumentit 800-vjeçar të “Magna Carta”, dokument i cili siç thotë Basha ka frymëzuar betejat madhështore për liri në të gjithë botën.

Ai shkruan në llogarinë e tij në “Facebook” se ky dokument në thelb të tij ka barazinë sociale dhe të drejtën e individit. Ky dokument, shton Basha, është tregues i qartë i përcjelljes së simbolikës se pushteti buron nga njerëzit dhe duhet t’iu shërbejë vetëm atyre.

Postimi i Bashës:

“Të dashur miq, këtë foto e mora, nga panelet e Ëestminster, ndërtesës historike të Parlamentit Britanik, nënës së gjithë parlamenteve.

Është Magna Carta, dokumenti 800 vjeçar që ka frymëzuar betejat më madhështore për liri në botë këto 8 shekuj, nga Reforma e Monarkisë Britanike tek Revolucioni Amerikan dhe ai Francez. Madhështia e saj qëndron te ideali i shenjtë dhe parimi bazë i demokracisë perëndimore se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre është shkak për përmbysjen e çdo pushteti.

Magna Carta është mantra e kufizimit të pushtetit me ligj dhe ndërtimit të shoqërisë mbi barazinë para ligjit dhe respektin për të drejtat dhe liritë e çdo njeriu. Magna Carta është Karta e Madhe që e bëri Britaninë të madhe sepse vendosi precedentin se mbi të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve nuk ka pushtet mbi tokë përvec pushtetit të njerëzve nga njerëzit dhe për njerëzit!”, shkruan Basha.