Konventa Kombëtare, LSI miraton rezolutën me tetë pika, ja çfarë parashikohet

469
Lufta kundër kanabizimit të vendit, trafiqeve ndërkombëtare, krimit të organizuar, bashkëpunimi me opozitën, aleanca me socialistët e thjeshtë dhe jo rilindjen, disa nga pikat
Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të bashkëpunojë me Partinë Demokratike për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. Gjatë Konventës Kombëtare të kësaj partie u tha me zë të lartë se shumë shpejt do të nisin protestat për të rrëzuar qeverinë e krimit, e cila sipas drejtuesve të kësaj partie ka paralizuar vendin dhe po e çon drejt katastrofës. Për të arritur qëllimin LSI i bënë thirrje gjithë qytetarëve si dhe partive politike, të cilat duan të pastrojnë Shqipërinë nga krimi dhe kanalizimi. U tha se koka i gjithë këtyre të këqijave që po kalon vendi është Edi Rama. Përfundimi i Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, prodhoi edhe një rezolutë me 8 pika, e cila u miratua në unanimitet të plotë. Sipas saj mandatohet kryetari i partisë, grupi parlamentar dhe kryesia për të qenë në krye të betejës për dekriminalizimin e politikës. Gjithashtu ato do të drejtojnë partinë në bashkëpunimin politik me parti, aktorë të shoqërisë civile e faktorë të tjerë politikë e shoqërorë të të gjitha niveleve, që janë të gatshëm për një opozitë të qartë e pa kompromis kundër qeverisë së Rilindjes.

Rezoluta
1- Mandatojmë Kryetarin e Partisë, Grupin Parlamentar dhe Kryesinë e LSI, që të jenë në krye të betejës për dekriminalizimin e politikës, të luftës së hapur ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
2. Nuk do të pranohet asnjë aleancë me grupe apo individë në politikë, që kanë probleme me drejtësinë.
3. Mbështesim plotësisht Kryetarin e Partisë dhe forumet drejtuese të LSI, që të drejtojnë Partinë në bashkëpunimin politik me parti, aktorë të shoqërisë civile e faktorë të tjerë politikë e shoqëror të të gjitha niveleve, që janë të gatshëm për një opozitë të qartë e pa kompromis kundër qeverisë së Rilindjes. Bashkimi bën fuqinë!
4. Aleancat antikrim dhe antidrogë nuk mund të pengohen kurrsesi nga asnjë ndasi ideologjike. Vendimmarrja politike e Kryetarit, e KDK dhe e Kryesisë të përshtatet në varësi të zhvillimeve konkrete politike në vend, por në asnjë rast të mos pranohet asnjë marrëveshje apo kompromis me bashkëpunëtorët e krimit të organizuar dhe drogës.
5. Kanabizimi i vendit dhe vendosja e Shqipërisë në hartën e trafiqeve më të rrezikshme ndërkombëtare të drogës është projekti më kriminal me të cilin Rilindja nxiu e damkosi vendin. Konventa e denoncon një zëri këtë projekt si antikombëtar, rrënues dhe të pa pranueshëm
6. LSI e ka propozuar dhe mbështet fort dhe pa asnjë hezitim heqjen e plotë të imunitetit për çdo zyrtar të shtetit! Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit!
7. LSI do të mbështetë çdo prokuror, oficer të policisë gjyqësore apo gjykatës, që në bazë të ligjit kërkon të hetojë politikanë, të cilitdo subjekt e grupim politik qofshin, në maxhorancë apo opozitë.
8. LSI e konsideron bashkëpunimin me “Rilindjen” si të pa mundur. Ai është një grup në funksion të interesave të krimit e drogës, të provuara këto gjerësisht. Bashkëpunim me socialistët e thjeshtë, por jo me “Rilindjen”.
Sigal