Kokëdhima këmbëngul: Reforma Zgjedhore duhet bërë për vendoret 2019

545
Kryetari i Zgjidhja-s, Koço Kokëdhima, këmbëngul që reforma zgjedhioe të nisë urgjentisht dhe të përfundojë përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Në një postim në Tëeeter, Kokëdhima, u shpreh se: “Reforma Zgjedhore duhet bërë për vendoret 2019. Rilindja s’mund t’i mbajë peng zgjedhjet dhe popullin shqiptar”. Reagimi i Kokëdhimës erdhi pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se reforma zgjedhore duhet të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021, për t’u dhënë mundësi shqiptarëve jashtë vendit që të votojnë të gjithë. Por Zgjidhja e konsideron këtë një hile të Rilindjes për ta shtyrë deri në fund procesin dhe për ta lënë vendin pa një reformë zgjedhore demokratike, që do ta kthente pushtetin e votës te zgjedhësit dhe do t’ua hiqte monopolin e zgjedhjeve partive kryesore, PS dhe PD. Në fundjavë, PD-ja propozoi ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc që duhet të nisë mënjëherë reformën zgjedhore. Referuar edhe faktit që Zgjidhja bëri thirrje dhe bojkotoi zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, si të kontrolluara dhe të trukuara nga partitë që kishin komisionerë, Kokëdhima është shprehur se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave dhe se duhet bërë urgjentisht. Sipas Zgjidhja-s, Reforma Zgjedhore duhet të jetë e hapur dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile dhe jo produkt i marrëveshjeve të Rilindjes me PD-në, sepse ata kanë kryer krime të shumta elektorale. Ajo kërkon që të futet votimi elektronik në qendrat e votimit, që administrata zgjedhore të jetë e depolitizuar, që të hiqet me ligj monopoli që kanë kryetarët e partive për të caktuar kandidatët në zgjedhje, që t’u priten financimet partive politike që nuk do t’i caktojnë kandidatët për deputetë, kryetarë dhe këshilltarë bashkie me zgjedhje primare nga populli dhe përmes një procesi të garantuar me ligj. Zgjidhja kërkon që kjo reformë të mos bëhet pa transparencë dhe pa themele, siç kanë ndodhur në të shkuarën pazaret mes Berishës e Ramës dhe që ajo të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së.
Sigal