Koço Kokëdhima i bashkohet nismës #Edheunë për të bojkotuar 30 qershorin

549
Sigal

“Më 30 qershor pengoj votimet, ju lutem më dënoni”, kjo nismë e iniciuar nga regjisori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu po shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale me hashtagun “Edhe unë”.

Lëvizja ka gjetur mbështetjen e shumë intelektualëve, artistëve, pedagogëve e ish-politikanëve. kësaj nisme i bashkohet edhe politikani njohur Koço Kokëdhima.

Edhe unë

Koço Kokëdhima

Nisma #Edheunë, e frymëzuar nga deklarata e mjeshtrit të mirënjohur Bujar Kapexhiu për të bojkotuar 30 qershorin, prej ditësh është bërë masive. Asaj i janë bashkuar dhe po i bashkohen me dhjetra figura publike dhe politike. Jam i gëzuar ta deklaroj mbështetjen e partisë ‘Zgjidhja’ krahas me Bujar Kapexhiun, Neritan Liçajn, Fatos Lubonjën, Flutura Açkën, Besnik Mustafain, Agron Gjekmarkajn, Rudi Erebarën, Robert Budinën, Ardian Isufin etj.
Partia ‘Zgjidhja’ i ftoi të gjithë shqiptarët që të bojkotonin zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017. Zhvilluam një fushatë intensive kundër pjesëmarrjes në votime në zgjedhjet e ndyra e të pareformuara që bënë Rama&Basha.
Pjesëmarrja ishte vetëm 36.6 për qind, më e ulëta në historinë e pluralizmit shqiptar.
Nuk i pranuam në asnjë moment këto zgjedhje dhe pushtetin e prodhuar prej tyre.
Sërish, pas dy vitesh, në Kongresin e I-rë të partisë ‘Zgjidhja’, më 11 maj të këtij viti, shpallëm bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. I refuzuam zgjedhjet jogjithëpërfshirëse të Rilindjes, që e përçajnë edhe më tej popullin tonë të shumëvuajtur.
Gjithë këto vite, inteligjenca dhe shoqëria civile e Shqipërisë, gazetarët dhe opinionëbërësit, në shumicën e tyre, nuk i kanë mbështetur kauzat e mëdha të Shqipërisë për demokratizimin e zgjedhjeve, qeverisjes dhe partive, për reformën e thellë kushtetuese dhe rivendosjen e sovranitetit të popullit të grabitur nga dy-tre kryetarë partish. Kanë mbyllur sytë përpara krimeve të panëmurta elektorale të ushtrive të militantëve të të dy krahëve që plaçkisin zgjedhjet dhe shtetin e shqiptarëve.
Partia ‘Zgjidhja’ ka mbështetur çdo nismë që ndihmon popullin tonë për të dalë përfundimisht nga kriza ciklike që po e shkatërron këtë vend të bekuar. Kriza e ka burimin te deformimet e sistemit, te shkatërimi i lirive dhe zëvendësimi i sundimit të ligjit me pushtetin e marrëveshjes PS-PD, tek rënia e zgjedhjeve, tek mungesa e përfaqësimit dhe e pluralizmit të vërtetë demokratik.
#Edheunë është e vonuar. Do të ishin kursyer shumë kohë dhe shkatërrime, po të ishim zgjuar më shpejt.
Gjithësesi, më mirë vonë se kurrë.