Kim Mehmeti: “Shqipëritë” drejtohen nga mafia leniniste

157

Shpërthen Kim Mehmeti: “Shqipëritë” tona ende drejtohen dhe kontrollohen nga ‘mafia’ leniniste e enveriste

Shkrimtari Kim Mehmeti e ka cilësuar Skënder Gjinushin, ish-ministër i Arsimit në kohën e diktaturës, një ‘mafioz’ komunist. Reagimi i shkrimtarit Kim Mehmeti: “E neveritshme por e vërtetë: “Shqipëritë” tona ende drejtohen dhe kontrollohen nga ‘mafia’ leniniste e enveriste. Këtë së fundmi e dëshmoi edhe kryetari i porsazgjedhur i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përndryshe ish-ministër i diktaturës dhe politikan i epokës së demokracisë! Ndërkohë, po ky ‘shkencëtar’, e bëri të heshtë gazetaren që i shtroi pyetje me fjalorin e një rrugaçi, duke i thënë asaj se është ‘shumë e eksituar’ dhe se duhet të shkojë ‘të mjekohet’. Me çka dëshmoi edhe një të vërtetë tjetër të dhimbshme, që u bë shenjë njohëse e shoqërive shqiptare: Se jo vetëm në politikë, por edhe nëpër institucionet shkencore e kulturore, rrugaçëria është ‘vlerë’ që t’i hap dyert drejt ‘suksesit’. Apo se edhe nëpër institucionet shkencore e kulturore, vlen parimi që, sa më shumë u lëpihesh sunduesve, se sa më të ulët e ke moralin dhe dinjitetin njerëzor, aq më lart ngjitesh në piramidat e tyre drejtuese!”