Keta: Qeverisja e vendit është kapur nga politikanë pa ideal e pa përgjegjësi

573
Alma Çuka
“Ekonomia e vendit në rënie, papunësia në kulm, të rinjtë po largohen, vendi është kanabizuar. Faturën e të gjitha këtyre e paguajnë qytetarët” 
Pedagogia e Shkencave Sociale, Majlinda Keta në një intervistë për gazetën “Telegraf”, jep këndvështrimin e saj lidhur me situatën në të cilën po kalon klasa politike që prej 18 shkurtit, kur edhe u organizua protesta e parë nga PD. E konsideron këtë situatë, “vrastare” për qytetarët. Për Ketën, një gjendje e tillë, ku ndodhet vendi ka rrënuar dhe vazhdon të rrënojë çdo ditë e më shumë, ekonominë e vendit. Fajtore sipas saj është keqqeverisja nga mazhoranca aktuale. Sipas saj vendi është mbushur me kanabis, bizneset e huaja janë larguar, të rinjtë janë të papunë dhe si zgjidhje kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Për të gjitha këto dhe varfërinë e madhe që ka kapluar gjithë shqiptarët, Majlinda Keta bën fajtore qeverinë e drejtuar prej katër vitesh nga Edi Rama. Ajo i kujton edhe disa premtime të pa mbajtura ku ndër kryesoret janë, vendet e punës që do të hapeshin dhe rinia e shumë të tjerë nuk do kërkonin të largoheshin.
Që prej 18 shkurtit vendi është përfshirë në një situatë të pazakontë politike. Si ka ndikuar kjo tek qytetarët? Po ne ekonominë e tyre? 
Do huazoja një pohim të Aristotelit mbi raportin shtet / qytetar :

“Shteti është trupi i qytetarëve të mjaftueshëm për qëllimet e jetës”. Referuar këtij pohimi qytetarët tanë, jo vetëm në ekonomi, nuk ndjehen mirë në trupin e tyre. Pse? Shteti shqiptar, momentalisht, është pothuaj në koma në funksionalitetin e tij për 3 pushtetet e pavarura plotësuar kjo me kapjen nga politika konfliktuale edhe të pushtetit të katërt, medias. Shtetit i mungon oksigjeni, prandaj ne kemi një cilësi demokracie të asfiksuar. Kjo, në demokracinë e votës, në demokracinë e partive politike, në demokracinë parlamentare, në mekanizmat demokratikë të funksionimit të ekzekutivit të tij si transparenca dhe pjesëmarrja qytetare përfshirë këtu edhe asfiksimin e “demokracisë” që i duhet ekonomisë së vendit për zhvillim. Se sa progreson ekonomia e një vendi e dëftojnë lehtësisht shifrat e punësimit, niveli i jetesës dhe dëshira për ta jetuar këtë vend, raportet e punësimit mes gjeneratave po aq sa zhvillimi përpjesëtimor i gjithë territorit të vendit. Kjo e fundit ekonomia, në shëndetin e saj vuan pasojat e sëmundjeve të politikës, autoritarizmit, pushtetit të oborreve oligarkike po aq sa edhe të një mekanizmi ekzekutiv jo lehtësues. Midis nisjes së të majtës në pushtetin 4 vjeçar dhe momentit të përmbylljes së programeve dhe premtimeve në fushën ekonomike kemi një hendek të thellë. Nisi me një platformë publike të luftës kundër informalitetit në ekonomi, një ndryshim i pritur me qëllim oksigjenimin e ekonomisë vendase dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, kjo në favor të punësimit të shqiptarëve dhe ndikimit në financat e tyre për mirëqenie familjare. U premtua që si rezultat i formalizimit do të siguroheshin 300 mijë vende pune. Sot, në vijim të fushatës elektorale të Rilindjes nuk jepet transparencë e llogari se ku u siguruan këto punësime dhe mbi të gjitha premtohen mbi 200 mijë vende të tjera. Përballë kësaj këtij show politik është vendimmarrja qytetare ku në çdo vit të katërvjeçarit mbi 50 mijë shqiptarë “shfryjnë” me emigracion të pakontrolluar dhe ilegal në çdo cep të botës. Përmbi këto zgjidhje vjen mungesa e besimit dhe motivimit se ekonomia në rritje do ju sjellë mirëqenie ndërsa aplikojnë çerek milioni shqiptarë për emigracion në ShBA përmes Green Card”. Dhe pjesa më e dhimbshme e ekonomisë mbetet shifra e lartë e papunësisë mes të rinjve sikurse shifra alarmante e rënies së nivelit të lindshmërisë së popullatës. Shqipëria vijon me një hartë të zhbalancuar të zhvillimit mes rajoneve sikurse në parametra të zhvillimit të qëndrueshëm mbetet një vend me rrisqe.

Për të gjithë këtë lloj ‘progresi” ekonomik shqiptarët vërshojnë me emigracion. Do doja të veçoja punë të mbara e me jo pak rriske nga individë në fushën e biznesit apo edhe drejtues ekzekutivë të niveleve të dyta që përpiqen të formatizojnë ekonominë në këtë vend edhe në raportin me pronën(legalizimet), energjetikën (për të minimizuar humbjet nga mospagimit përkundrejt konsumit), shërbimin dokumentar e licencues por këto janë shumë pak dhe pothuaj janë asfiksuar nga filozofia e koncesioneve që qeveria e pa si më shprehësen e “metodës ekonomike të zhvillimit rilindës”. Shumë biznese familjare janë mbyllur, investitorë të huaj janë në minimum interesi, dhoma të tregtisë apo aleanca biznesesh nga fusha të ndryshme në 4 vite kanë qenë kritikë me legjislacionin koncesionar, oligarkik nga qeveria dhe parlamenti. E vetmja gjë që do mbahet mend nga këto 4 vite do të jetë ekonomia e hashashit dhe turpi që mbeti në derë të teatrit politik shqiptar. Kjo është ekonomia vetëvrasëse shqiptare e hashashit që statistika e fundit për adoleshentë sjell shifrën 4 në 10 të përdorimit të tij. Turp për ne të gjithë që lejuam këtë lloj “shëndeti” ekonomik për fëmijët tanë! Mallkim për këtë lloj klase politike “vrasëse” të shqiptarëve dhe në mënyrë të veçantë për vrasjen e shpresës tek gjeneratat e reja!

A do të ndikojë kjo situatë në turizmin shqiptar?
Nuk di pse ne vijojmë me sjelljen më të papranuar që fushatat elektorale i lemë në pikun e mundësive që ekonomia e turizmit vendas mund të ketë për veten dhe qarkullimin financiar të lekut dhe shërbimeve si punësime të mundshme. Ne vijojmë me hendekun e tmerrshëm mes bukurive që na kanë lanë paraardhësit dhe zoti në raport me edukimin dhe zhvillimin e kapitalit social për këto mundësi burimore dhe politikat jostimuluese për investitorët dhe ekonomitë familjare turistike. Sezoni turistik veror i sivjetshëm në marrëdhënie publicitare për tërheqjen e turistëve të huaj u vra nga hashash politika e pranuar dhe denoncuar edhe në median e huaj, vijon të vritet nga lajmet e një Shqipërie me mungesë të stabilitetit politik pasi 2 partitë e mëdha ende nuk dinë të dialogojnë e bashkëvendosin për sigurinë e votës së lirë dhe transparente të shqiptarëve, asfiksohen nga lajmet mbi delegacionet evropiane dhe euroatlantike në vend për “qetësimin” ndërsa tentojnë dhe urdhërojnë DIALOGUN mes partive politike parlamentare dhe më gjerë sikurse punë të pabëra në rregullim territori, rrugë, ujësjellës, energjetikë, taksa e tatime të rishikuara për turizmin, nuk i mundin dot spotet e paguara shtrenjtë nga Qeveria në media prestigjioze ndërkombëtare. Politika pa vizion për modelin e zhvillimit ekonomik në vend; mungesa e një legjislacioni specifik motivues dhe mbështetës për turizmin e të gjitha formave, pamjaftueshmëria e mbështetjes për agrobiznesin bio vendas, mjedisi politik konfliktual nga partitë tek parlamenti sikurse edhe nga rangjet e larta të ekzekutivit; gjuha fyese e denigruese, publikisht, pa kursyer edhe gratë, mes 2 partive të mëdha politike, rendi dhe siguria e cenuar nga krimi (rasti i dhunës ekstreme ndaj investitorit të huaj në Gjirin e Lalzit) dhe ekonomia e hashashit besoj se ka ndikuar negativisht për këtë sezon turistik por edhe për të tjerë në stinë të tjera. 
Kujt mendon se i faturohet kjo gjendje në të cilën ndodhet aktualisht vendi?
Mbetem me të njëjtin mendim të Konicës së madh ndërsa shprehej për 1924-ën shqiptare:
Shqipëria ,
U ngjall nga idealistët,
U ruajt nga rastet,
U VRA nga politikanët, 
duke i shtuar edhe “dorëheqjen” e intelektualëve nga veprimi dhe lëvizjet e fuqishme për demokracinë funksionale shqiptare. 

Sot, të gjithë intelektualët shqiptarë, kudo qofshin, duhet të mendojmë dhe veprojmë ndaj pasojave që po ka për të gjithë NE kapja dhe qeverisja e vendit nga politikanë pa ideal, pa ligj, pa përgjegjësi ndaj votës dhe të ardhmes tonë.

Shqiptarët e 90-ës që ndërtuan idealin e Shqipërisë si gjithë Evropa janë në drejtim të kundërt me pjesën më të madhe të politikanëve të sotëm. Kjo nuk është Shqipëria që duam NE, ne që vijojmë të jetojmë në këtë vend por edhe ato që në gjak apo mendje kanë shqiptari. Fatura i takon dhe paguhet nga vetë Ne, shqiptarët, që lejojmë që Shqipërinë ta “vrasë” politika e oligarkëve në politikë, pa moral, pa model. 

Mustafaj: Paketa MCAllister i jep përgjigje kërkesave të opozitës
Besnik Mustafaj një nga zërat shumë të rëndësishëm brenda Partisë Demokratike, gjatë një interviste dhënë ditën e djeshme në një nga televizionet lokale në vend, foli për situatën politike dhe pritshmëritë nga bisedimet e shumta mes palëve. Ndonëse Mustafaj u shpreh se paketa e propozuar nga MCAllister mbushte pritshmëritë e opozitës, ai nuk ishte i bindur se çfarë mund të ketë kjo paketë, pasi askush nuk i di detajet. Mustafaj u shpreh se në këtë situatë partitë janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje, që sipas tij duhet të jetë patjetër një garanci për të djathtën, me qëllim futjen në zgjedhje dhe zhvillimin e tyre në përputhje me Kushtetutën. “Besoj se marrëveshja do të arrihet dhe kjo gjë mua më bënë optimist. Unë në të vërtetë besoj dhe të gjitha shenjat janë për po. Paketa MCAllister është një garanci për opozitën, ndonëse ne nuk I njohim detajet e kësaj pakete”, u shpreh Besnik Mustafaj. Për Mustafanë, shkrimtarin dhe diplomatin, kriza politike tashmë duhet të marrë një zgjidhje. Ai foli edhe për protestën e Partisë Demokratike, për të cilën tha se ia kishte arritur qëllimit. “Protesta e Partisë Demokratike në të dy rastet në Tiranë ia arriti qëllimit. Unë kam besim të plotë se ajo arriti të ndërkombëtarizonte situatën dhe kjo gjë ndodhi. Si asnjëherë tjetër kriza u ndërkombëtarizua dhe mosbesimi i opozitës tek mazhoranca”. Për të një situatë e tillë është goditje për imazhin e mazhorancës. Mustafaj bën edhe një rikthim të fillimeve të protestës. Ai thotë se pas protestës së parë dhe ngritjes së çadrës, lëvizja e katër ministrave ka qenë një fitore për partinë Demokratike dhe të djathtën në përgjithësi. Po kështu ai thotë se edhe lëvizja e drejtuesve të policisë në të gjithë vendin, u bë për shkak të protestës dhe kauzës së ngritur nga Partia Demokratike. 
Sigal