Këshilli i Europës: “E dënueshme dhunimi i njerëzve nga policia shqiptare”

368
Sigal

Përgjegjësit për ngjarjen e 21 janarit duhet të dalin para drejtësisë. Ky ka qenë qëndrimi i prerë i Komisionerit për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, Nils Muižnieks në konferencën përmbyllëse pas vizitës 5 ditore në vendin tonë. Përkundër vendimit të gjykatës së apelit për të akuzuarit e vrasjeve të 21 janarit, ai theksoi se kjo nuk e pengon Prokurorinë për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje, sikundër për të vënë para drejtësisë një numër të tjerë njerëzish të përshirë në ngjarje. Muižnieks ka ngritur shqetësimin edhe lidhur me dhunimin e njerëzve nga ana e policisë, duke e vlerësuar tërësisht të papranueshme. Lidhur me këtë problem ai tha se një rol të madh ka Avokati i Popullit për ti evidentuar dhe denoncuar raste të tilla. “Një tjetër çështje që kemi ndjekur është keqtrajtimi i njerëzve nga ana e policisë. Nuk e kam fjalën për keqtrajtime serioze, por për një dhunë të përditshme nga policia si: rrahje, kërcënimi dhe frikësimi i njerëzve në mjediset e tyre. I kam kërkuar ministrit të Drejtësisë të japë mesazhin se dhuna e ushtruar nga policia është absolutisht e papranueshme. E mirëpres aktivitetin e Avokatit të Popullit në lidhje me rastet e keqtrajtimit nga policia. Vendosja e kamerave në komisariate është një zhvillim, por më i rëndësishëm është procedimi disiplinor i atyre që ushtrojnë dhunë”.