Kequshqimi dhe produktet ushqimore të skaduara në treg

456
Sigal

Anemia tek fëmijët, cenohet produktiviteti i kapitalit njerëzor

Produktiviteti i kapitalit njerëzor po cenohet nga cilësia e dobët e jetesës, e cila gjatë dekadës së fundit ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit te fëmijët. Gjatë 2008-2018, anemia te fëmijët e moshës 3-59 muajsh është zgjeruar ndjeshëm nga 17% më 2008 në 25% në 2018, zbuloi një anketë e Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT për shëndetin e popullatës.

Mossigurimi i ushqimit në familje luan rol në kequshqyerjen e fëmijëve

Anemia krijohet nga nivele të ulëta të hemoglobinës në gjak. Hekuri është një komponent kyç që përbën hemoglobinën dhe mungesa e tij vlerësohet të jetë përgjegjëse për më shumë se 50% të anemisë në rang global. Shkaqe të tjera e anemisë janë kequshqyerja, infeksionet dhe trashëgimia gjenetike etj. Anemia është një shqetësim serioz për fëmijët, sepse mund të pengojë zhvillimin dhe të rrisë ekspozimin ndaj sëmundjeve, sidomos atyre ngjitëse. Anketa gjeti se një në katër (25%) fëmijë të moshës 6-49 muajsh janë anemike, pasi hemoglobina ishte nën normë. Rreth 17% e fëmijëve u evidentuan me anemi të butë, 7% janë anemike të moderuar dhe më pak se 1% e tyre janë me anemi të rëndë. Prevalenca e anemisë është më e lartë te fëmijët (6-17 muaj) se sa të tek të rriturit 18-59 vjeç. Në grupmoshën 9-11 muajsh, rreth 42% e fëmijëve ishin anemikë. Prevalenca e anemisë është më e lartë në zonat rurale (27%) sesa në zonat urbane (22%). Anemia ishte më e përhapur në Qarkun e Dibrës me 44% e fëmijëve të moshës 6-59 muaj ishin të përfshirë. Më pas me nivelin më të lartë të anemisë ndër fëmijë u rendit Qarku i Vlorës me rreth 35% të fëmijëve, Qarku i Elbasanit me 28% të fëmijëve dhe Qarku i Gjirokastrës me 28%. Niveli më i ulët i anemisë ishte në Tiranë me 18 % të fëmijëve dhe ne qarqet e Lezhës dhe Fierit përkatësisht me nga 20% secila. Shqetësues mbetet fakti se anemia te fëmijët është rritur gjatë dekadës. Arsyet kryesore lidhen me mosushqyerje me gji dhe kequshqyerjen në tërësi. Mossigurimi i ushqimit në familje luan rol në kequshqyerjen e fëmijëve shqiptarë. Sipas një studimi mbi ushqyerjen të kryer në vitin 2010 në pjesën veriore të Shqipërisë dhe në zonat periferike të Tiranës, 34-43% e familjeve kishin vështirësi në sigurimin e ushqimit për familjet e tyre gjatë vitit. Së fundi, kequshqyerja u gjet shkaktar për një të tretën e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri, dhe barra e kequshqyerjes mbi ekonominë kombëtare mund të arrijë një shifër vjetore prej 100 milionë USD ose 0.7% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Mungesa e oksigjenit shkakton dhe lodhjen apo dobësinë trupore. Simptomat e anemisë janë lodhja, përgjumja, marramendja, zbehja e lëkurës, mishit të dhëmbëve, thonjve dhe shuplakave, puna e shpejtuar e zemrës, ndjenja e të ftohurit, veçanërisht të ekstremiteteve, pikëllimi, depresioni, çrregullimi i gjumit dhe humbja e oreksit. Fëmijët kanë nevojë për vitaminë A, e cila i ndihmon ata në rezistencën ndaj sëmundjeve mbron shikimin e tyre dhe zvogëlon rrezikun për humbjen e jetës. Vitamina A gjendet në shumë fruta dhe perime, vezë, produkte qumështi, mëlçi, peshk, mish, ushqime të fortifikuara dhe qumështi i gjirit. Fëmijët kanë nevojë për ushqime të pasura me hekur për të zhvilluar aftësitë e tyre fizike dhe mendore dhe për të parandaluar aneminë. Burimet më të mira të hekurit janë ushqimet shtazore, të tilla si mëlçia, mishi dhe peshku. Burime të tjera të mira janë perimet jeshile me gjethe, ushqime të fortifikuara me hekur dhe shtesa hekuri. Informacioni i mbledhur mbi konsumin e fëmijëve nën dy vjeç është i dobishëm për vlerësimin e shkallës në të cilën fëmijët po konsumojnë grupe ushqimesh të pasura me dy mikronutriente kryesore-vitamina A dhe hekur.

25 % e fëmijëve me anemi

42 % e fëmijëve në grupmoshën 9-11 muajsh janë anemikë

44 % e fëmijëve të moshës 6 – 59 muajsh janë anemikë në Qarkun e Dibrës

35 % e fëmijëve të moshës 6 – 59 muajsh janë anemikë në Qarkun e Vlorës

28 % e fëmijëve të moshës 6 – 59 muajsh janë anemikë në Qarkun e Elbasanit dhe Gjirokastrës

Ushqime të skaduara në treg, manipulimet me etiketime

Në marketet dhe dyqanet tregtohen produkte ushqimore me etiketime që nuk të japin asnjë informacion, për origjinën e prejardhjes, kur janë prodhuar, kur është data e skadimit. Shumë herë nuk lexohen afatet e prodhimit dhe të skadimit, shënohet vetëm afati i skadimit, pa mundur të gjesh se kur është futur në treg produkti ushqimor. Kjo të lë të dyshosh, se pa datën e prodhimit, mund të manipulosh lehtë datën e skadimit. Kjo, është e keqja më e vogël. Shumë herë produktet ushqimore të marketeve dhe dyqaneve, që u skadojnë, nuk dihet se ku shkojnë, kush i asgjëson, ku asgjësohen, etj. AKU nuk jep asnjë të dhënë, se cilët institucione merren me grumbullimin e ushqimeve të skaduara në markete dhe dyqane, ku grumbullohen për t’u groposur, cilët janë ata që i asgjësojnë. Shumë herë ndodh që ushqimet e skaduara u lihen në dorë vetë marketeve, të cilat edhe mund t’i rishesin produktet ushqimore të skaduara me etiketim të ri. Shumë herë ndodh që produkte ushqimore, sikurse mish pune, ambalazhohen dhe etiketohen në emrin e firmave të njohura, por këto mund të jenë kompani të përpunimit të mishit, por jo prodhues. Etiketat e tyre nuk përcaktojnë vendin e prodhimit të mishit. Mund të ndodh, që mishi i pulës të importohet nga Brazili, mund të ketë edhe salmonelë, por etiketa shkruan se është prodhim i kompanisë shqiptare të përpunimit të mishit, kur dihet shumë mirë, që këto kompani nuk prodhojnë dot mishin. Kjo ndodh ngaqë AKU nuk merret me zbatimin e ligjit, nuk ushtron kontrolle, por vetëm bën show mediatik kundër ndonjë kokërr veze, ndonjë qengji, që nuk është therur në thertoret e monopolit.