KED hartoi në fshehtësi listat e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë

528
Sigal

Raporti  i Avokati i Popullit: Të gjitha shkeljet e Dvoranit me listat që u hartuan me dyer të mbyllura dhe pse KED nuk mund të vishet me kompetenca të pakufizuara. Ish-Prokurori Përgjithshëm Dhori Sallaku: KED shkeli Kushtetutën, ja lojrat politike për të  çimentuar dhe kapur kupolat e institucioneve të pavarura

Raporti i Avokatit të Popullit: Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nuk mund të vishet kurrsesi me kompetenca të plota e të pakufizuara

 

Ja të gjitha shkeljet e Dvoranit për hartimin e listave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

 

Që në nisje të diskutimeve për Reformën në Drejtësi, u bë e qartë se Avokati i Popullit do të kishte një rol të rëndësishëm. Pikërisht në këto ditë kur po diskutohet roli i Këshillit të Emërimit në Drejtësi, vjen një raport nga Avokati i Popullit, që është organi mbikëqyrës i KED me ligj dhe Kushtetutë. “Roli i kahershëm i institucionit të Avokatit të Popullit si monitorues i çdo procesi që lidhet me të drejtat e njeriut është theksuar edhe më tepër nën dritën e ndryshimeve të reja kushtetuese, të cilat i kanë caktuar këtij institucioni një mandat specifik i cili lidhet pikërisht me nevojën e monitorimit të punës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organ i cili nuk mund të vishet kurrsesi me kompetenca të plota e të pakufizuara për ushtrimin e funksioneve të tij në mbledhje me dyer të mbyllura,” thuhet në raport. Më tej tregohet në mënyrë të detajuar se si u shty ngritja e KED për një kohë të gjatë, për të mbërritur në pikën kur në krye të këtij organi do vinte Ardian Dvorani.

 

Rregulloret e KED kufizojnë transparencën

 

Që këtu nisin problemet. Avokati i Popullit thotë, se menjëherë gjatë hartimit të rregulloreve të KED, pati përpjekje për të kufizuar kompetencat e tyre. “Falë argumenteve të dhëna nga ne, u arrit fillimisht të kufizohej kjo tendencë, por sërish disa prej Rregulloreve në versionet e tyre përfundimtare të publikuara në faqen zyrtare të KED-së, kufizuan kompetencat e institucionit tonë për të marrë pjesë në mbledhje e veprimtari, siç e parashikon Kushtetuta dhe ligji 115/2016, duke parashikuar një kufizim të mëtejshëm të transparencës së Këshillit,” shkruan raporti. Por këto përpjekje për të shmangur procesin e monitorimit nuk u ndalën. “Më konkretisht, KED ka miratuar një rregullore në të cilën prezanton konceptin e dhomës së këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ, gjë e cila jo vetëm nuk është e parashikuar në ligj, por edhe nëse do i referoheshim teorisë të së drejtës, është një koncept i përdorur në procedurat gjyqësore dhe jo në ato administrative. Duke vlerësuar një parashikim të tillë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta dhe ligji që cituam më siper i kanë dhënë institucionit tonë, ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor, por për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit,” thuhet në raport. Shkeljet vazhdojnë më tej, pasi edhe pse duhej të ishte një organ transparence, KED u shndërrua në të kundërtën e asaj që parashikon ligji. “Në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë KED-së nuk botoheshin proces-verbalet e mbledhjeve, ne kërkuam të na viheshin në dispozicion këto proces-verbale (ose në versionin audio, ose në versionin e zbardhur). Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura bërë në mbledhjet e këtij organi, por edhe kërkesave me shkrim drejtuar kryetarit të KED-së, ne nuk na u vunë asnjëherë në dispozicion proces-verbalet e disa mbledhjeve,” thekson raporti.

 

Mungesa e transparencës vazhdoi edhe me listat që duhen përgatitur për gjykatat e larta

Mungesa e transparencës vazhdoi edhe me listat që duhen përgatitur për gjykatat e larta në vend. “Në datën 21 shtator 2019, mbi bazën e një njoftimi të bërë vetëm një ditë më parë, Këshilli ka zhvilluar mbledhjen e tij të fundit në lidhje me detyrën e tij, paraqitjen e renditjes për secilën nga vakancat. Në atë mbledhje ne kemi adresuar të tëra problematikat që kemi evidentuar për natyrën e vendimmarrjeve dhe argumentimin ligjor të faktit që dërgimi i listave për numër të pamjaftueshëm kandidatësh po paraqiste anomali jo të vogla. Pas asaj mbledhjeje nuk pati më asnjë njoftim nga ana e kryetarit të Këshillit në lidhje me përfundimin e procedurës, pra dërgimin e listave të organet e emërtesës dhe dërgimin e tyre në mënyrën e logjikës së ligjit, pra të mundësimit në masën me të madhe të mundshme të organeve të emërtesës për të zgjedhur midis disa kandidatëve, për të shuar çdo dyshim se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po paracaktonte anëtarët e Gjykatës së Lartë, përtej kompetencës së vet, pra po kufizonte mundësinë e përzgjedhjes midis të paktën 3 kandidatësh të listuar të parët dhe pamundësisë së bërjes së dy listave, siç kërkon ligji për rastet kur ka më shumë se një vakancë, e konkretisht një listë me kandidatë gjyqtarë, e një listë me kandidatë jo gjyqtarë,” nënvizon raporti.

 

I njëjti problem u shfaq edhe për Gjykatën Kushtetuese

 

“Për fat të keq konstatojmë se puna shumë e madhe dhe me dedikim e të tërë anëtarëve, e pjesëmarrësve të tjerë në mbledhje, por edhe e këshilltarëve ligjor e sekretarisë së KED-së, nuk arriti të realizonte një proces të pa të metë, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Që gjatë muajit gusht 2019 u identifikuan disa problematika në lidhje me numrin e kandidaturave që Këshillit i kishin mbetur për të vlerësuar, pas kryerjes së procesit të verifikimit të kandidaturave. Për të tërë pjesëmarrësit në këtë proces, nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës gjegjësisht ditë pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë). Për më tepër të dyja vakancat e Kuvendit, kishin më pak kandidatë në listë se ato të Presidentit të Republikës dhe secila prej kandidatëve në listat e Kuvendit ishte edhe në ato të Presidentit. Pra nuk rezulton të ketë asnjë mundësi, që të mos jenë të njëjtat materiale të listuara dhe vendime të arsyetuara, që tregon se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara Presidentit të Republikës”. “Së fundmi, duam të theksojmë edhe një herë cili ishte qëllimi i këtij modeli për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në kohën e hartimit të ndryshimeve Kushtetuese, Shqipëria vinte nga një situatë krize në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe/ose Kushtetuese. Që prej shtatorit 2013 Kuvendi nuk kishte miratuar asnjë prej kandidaturave të propozuara nga Presidenti i Republikës. Numri i parashikuar në ligj për Gjykatën e Lartë nuk u plotësua asnjëherë, ndaj rezultoi e nevojshme të mos kishte një organ i vetëm të drejtën e propozimit apo emërimit të kandidatëve. Për këtë arsye u adoptua modeli aktual, i cili i njeh të drejtën 3 institucioneve Kushtetuese të ndryshme, të drejtën e emërimit secili të 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e drejtë nuk është e pakufizuar, ajo kufizohet nga puna verifikuese dhe renditëse e një organi të ri, që është pikërisht Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Për secilën vakancë verifikimi dhe renditja e kandidatëve bëhet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili duhet t’u krijojë organeve të emërtesës mundësi zgjedhjeje të mjaftueshme midis kandidatëve, të cilët në rast se ka më shumë se një vakancë të hapur, duhet të jenë të tilla që të sigurojnë përzgjedhjen midis 3 gjyqtarëve dhe 3 jo gjyqtarëve. Këto parashikime të ligjit, të lexuara së bashku me rregulloret e vetë Këshillit (që parashikojnë mundësinë për të riçelur vakancat nëse nuk kanë 3 kandidatë për vlerësim), tregojnë qartas se organeve të emërtesës duhet t’u krijohet mundësia e një përzgjedhjeje jo vetëm në numër por edhe në kategori anëtarësh nga gjyqësori ose jo”.