Kasëm Cenaj: “Akuzat për blerje votash vijnë nga ata, të cilët duhet të justifikojnë humbjen e thellë dhe të turpshme”

671
Sigal

Kasëm Cenaj, sekretar politik i LSI, Qarku Vlorë

Disa nga pala humbëse e zgjedhjeve të 23 Qershorit, u mundua që të thonë se, LSI-ja i bleu votat, ndaj pati atë rezultat surprizë. Kasëm Cenaj, sekretari politik i LSI-së në Qarkun e Vlorës, në intervistën për “Telegraf”, u kundërpërgjigjet: “Këto lloj akuzash vijnë nga ata, të cilët duan të justifikojnë humbjen e thellë dhe të turpshme Por, i takon “vëllait të madh” ta ofrojë këtë ngrohtësi. Jam i bindur se marrëdhëniet do të jenë shumë më të mira në të ardhmen. Mendoj se i shërbehet më mirë punës dhe zhvillimit, duke mos ndjekur linjën vertikale të ministrive përkatëse”.

– Zoti Cenaj, cilat janë rezultatet e LSI-së në Qarkun e Vlorës, në zgjedhjet e 23 Qershorit?

– LSI Qarku Vlorë në zgjedhjet e 23 Qershorit arriti një rezultat në përputhje me objektivat e saj. Konkretisht LSI-ja ka marrë 10.571 vota që përbëjnë 8.71%  të votave të vlefshme në qark, duke u renditur forca e tretë politike, me rezultat të trefishuar në krahasim me vitin 2009. Ky rezultat bëri që LSI-ja e Qarkut Vlorë, për herë të parë në historinë e vet politike, të çojë në Kuvend një deputet, z. Shkëlqim Selami, duke tepruar ndërkohë, edhe disa mijëra vota, duke qenë pranë fitimit të një deputeti të dytë.

 – Rezultatet e LSI-së në të gjithë qarqet e Shqipërisë, konsiderohen surprizë. A mund të konsiderohet i tillë, ky rezultat dhe në Qarkun e Vlorës?

– Rezultatet e LSI-së në të gjitha qarqet ishin pozitive, por jo surprizë për strukturat dhe liderin e kësaj partie z.Ilir Meta. Më duhet t’ju kujtoj se z.Meta, me mbylljen e votimit të datës 23 Qershor deklaroi se: “LSI-ja ka brenda kutive mandatet e 15-20 deputeteve”. Doli se kishte 16 mandate, pa përfshirë atë të Kukësit që “humbi” në Lundër. Gjithashtu, rezultati i mësipërm i LSI-së në Vlorë është shprehur nga përfaqësuesit e saj gjatë fushatës elektorale në të gjitha mediat lokale dhe kombëtare. Të gjitha sondazhet që ne kryem gjatë fushatës tregonin për një numër mbi 10.000 vota. Surprizë, ky rezultat, mund të konsiderohet vetëm për ata që nuk e njihnin forcën organizative dhe politike të LSI-së.

– Ka patur akuza nga drejtime të ndryshme se votat e LSI-së janë shtuar si pasojë e blerjes së tyre dhe premtimeve për punë. Cila është përgjigja juaj për të tilla akuza?

– Këto lloj akuzash vijnë nga ata, të cilët duan të justifikojnë humbjen e thellë dhe të turpshme, si dhe t’ua faturojnë këtë humbje faktorëve të tjerë të jashtëm. Është e vërtetë se LSI-ja ka patur dhe ka një program të vërtetë punësimi, ka qenë, është dhe do të mbetet forcë që ruan ekuilibrat politik dhe që “amortizon” konfliktet politike. Si përfundim, them me bindje se, vetëm puna e palodhur e të gjithëve ishte çelësi i suksesit të LSI-së në Qarkun e Vlorës si dhe në të gjithë Shqipërinë.

Cilat janë pritshmëritë e LSI-në për shpërndarjen e përgjegjësisë në drejtimi të institucioneve në Qarkun e Vlorës?

– Sigurisht, LSI-ja do të marrë përgjegjësitë e veta në drejtimin e disa prej institucioneve qendrore në nivel vendor. Ende nuk është folur konkretisht se cilat do jenë këto institucione dhe kush do t’i drejtojë ato. Mendoj se, i shërbehet më mirë punës dhe zhvillimit, duke mos ndjekur linjën vertikale të ministrive përkatëse.

– Si kanë qenë marrëdhëniet e LSI me PS në Qarkun e Vlorës?

– Korrekte, por duhet të jenë më të ngrohta. Mendoj se, ka ende pak njerëz, të cilët nuk e kanë kuptuar se fitorja ishte e përbashkët, se bashkëpunimi PS-LSI është strategjik dhe afatgjatë, se e Majta e bashkuar i fiton gjithmonë zgjedhjet. Por, i takon “vëllait të madh” ta ofroj këtë ngrohtësi. Jam i bindur se marrëdhëniet do të jenë shumë më të mira në të ardhmen.

– A ka LSI-ja në Vlorë burimet njerëzore të mjaftueshme për drejtimin e institucioneve, për përfaqësimin me dinjitet të programit të LSI-së?

 – LSI-ja Vlorë i ka burimet njerëzore si dhe potencialet intelektuale për drejtimin e institucioneve. Kjo forcë politike e ka treguar në historinë e saj se di të drejtojë dhe të menaxhojë. Në LSI është gërshetuar përvoja dhe eksperienca e më të vjetërve me vrullin dhe energjinë e të rinjve. Sigurisht, është përgjegjësi e madhe, por personat që do të përzgjidhen në krye të institucioneve do të jenë të aftë dhe do të përfaqësojnë me dinjitet veten dhe forcën politike

– Si i konsideroni deklaratat e Ramës në Vlorë për prishjen e të gjitha ndërtimeve përgjatë bregdetit apo dhe në lidhje me kriteret për punësimin e njerëzve në administratën shtetërore?

– Kjo deklaratë e Kryeministrit të zgjedhur vjen pasi gjendja në Bregdet është katastrofike. Menaxhimi i territorit bregdetar, por jo vetëm, është një nga sfidat më të mëdha të qeverisë. Aktualisht, në zonat turistike janë problem si ndërtime pa leje, ashtu dhe ato me leje. Marrja e masave të ashpra është e domosdoshme për kthimin në identitet të bregdetit shqiptar. Përsa i përket punësimit të njerëzve në administratën shtetërore, vetëm punësimi me kritere të forta ligjore dhe objektivitet, punësimi i njerëzve profesionistë dhe dinjitozë do ta çoj këtë vend përpara dhe do ta integrojë atë në BE.

Ndërsa Rama, me cilësinë e deputetit të Vlorës dhe, njëkohësisht, Kryeministër e ka zhvilluar një mbledhje informale të qeverisë në Vlorë dhe ka hedhur hapat e para, cilat janë orientimet e kryetarit të LSI-së, Meta, në lidhje me kriteret për punësimin e mbështetësve të partisë që ai drejton?

– Në këtë mbledhje informale ishin të pranishëm, edhe përfaqësues të LSI-së, ministra të qeverisë së ardhshme. Kryetari i ri i Kuvendit dhe Kryetari i LSI-së, z.Ilir Meta, ka zhvilluar takime me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Qarkut Vlorë si dhe një aktivitet politik një javor në Jalë, me rreth 800 të rinj të ardhur nga e gjithë Shqipëria, anëtarë të Lëvizjes Rinore për Integrim. Kryetari Meta ka porositur që për çdo kuadër, i cili do të punësohet,  do të zbatohet parimi i meritokracisë.