Kadare: Ballkani varet nga 3 popuj, shqiptarët faktor për paqen në gadishull

182

Shkrimtari i shquar Ismail Kadare jep intervistë në gazetën “New York Daily News” në New York

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare ka dhënë një intervistë e gazetës “New York Daily News” në New York. Kadare  i pyetur se si e gjen ky përvjetor kombin shqiptar, përgjigjet. “Gadishulli i Ballkanit, në të cilin bën pjesë Shqipëria, njihet sot si një nga zonat më të shqetësuara të Europës. Ndonëse pranohet njëzëri si zanafilla antike e qytetërimit europian, kjo biografi e fisme nuk e ka shpëtuar dot nga cilësimi si gadishull problematik, me të cilin Europa e Bashkuar ka vite që detyrohet të merret. Është një gjë pozitive, që të gjithë popujt e gadishullit kanë një synim të përbashkët: hyrjen në Europë. Mirëpo kjo dëshirë bashkuese, nuk mjafton, për fat të keq që ata ta kapërcejnë përçarjen e tyre proverbiale. Kam pasur rastin të theksoj se janë tre popuj në Ballkan prej të cilëve varen shumë gjëra: grekët, shqiptarët dhe serbët. Janë fqinjë shekullorë, ndonëse identitetet, gjuhët, madje alfabetet i kanë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Megjithatë, kjo nuk përbën asnjë arsye që të përligjë mungesën e harmonisë midis tyre. E thashë këtë për të ardhur te mendimi se, në qoftë se nga këto tre kombe, njëri prej tyre, kombi shqiptar, ka jo një, por dy shtete në Ballkan, Shqipërinë dhe Kosovën, e shoh këtë faktor si përgjigje të dyfishtë që ka ky komb për vendosjen e harmonisë dhe paqes në gadishull. “Ndërsa pyetjes se çfarë mendon ai për këtë 100-vjetor të Pavarësisë të Shqipërisë, Ismail Kadare, përgjigjet: “Në 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit të tyre, shqiptarët mund të thonë se ky ka qenë shekulli më i rëndësishëm e njëherësh më dramatiku në historinë e tyre. Shkëputja nga Perandoria Osmane, dalja nga komunizmi dhe rikthimi në kontinentin mëmë, Europën, mund të përcaktohen si tri ngjarjet themelore të këtij kombi. Të gjitha këto ndodhën brenda këtyre 100 viteve. Dhe mendoj se nuk janë pak”.