PDIU: Avramopulos të mos trembet nga çështjet e drejta të kombit tonë

504
Sigal

PDIU reagon për anulimin e vizitës së ministrit Avramopulos, duke theksuar se kryediplomati grek “nuk duhet të trembet nga ndjenjat e pastra të patriotizmit shqiptar dhe aq më pak nga çështjet e drejta të kombit tonë, si çështja çame, të cilat janë nëpërkëmbur padrejtësisht nga shteti grek.”  Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje qeverisë greke, t’i japë zgjidhje sa më shpejt çështjes çame, që siç thekson PDIU, “është e vetmja çështje që pengon marrëdhëniet shqiptaro-greke”. “Për aq sa qeveria greke tenton të mbuloj diellin me shosh, marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk mund të gjejnë përmirësim. Shqipëria u shpall e pavarur nga Preveza në Mollë të Kuqe! Ministri i Jashtëm grek në vend të tentojë të shtrembërojë historinë, duke krijuar incidente false, duhet të kontribuojë që të gjendet rruga e përbashkët e zgjidhjes së çështjes çame.”- përfundon deklarata e PDIU-së.

Deklarata e Berishës, Avramopulos anulon vizitën në Tiranë

Ministri i jashtëm grek Dhimitris Avramopulos ka anuluar vizitën e tij të planifikuar për të zhvilluar sot në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë. Sipas një deklarate të ministrisë së jashtme greke, ministri e ka anuluar vizitën në momentin e fundit. Në njoftimin zyrtar të ministrisë së Jashtme greke, thuhet se anulimi i vizitës është bërë si reagim ndaj një deklarate të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha gjatë fjalimeve me rastin e përvjetorit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë. “Deklarata si këto nuk kontribuojnë në krijimin e një klime të miqësisë, besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, dhe në zhvillimin e nismave të përbashkëta në fusha me interes të përbashkët, si në sektorin politik, ekonomik dhe energjinë”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme greke.  Ndërkaq zyra e kryeministrit të Shqipërisë ka bërë një sqarim, ku thuhet se zëdhënësja e kryeministrit Berisha e pyetur mbi deklaratën e bërë nga kryeministri Berisha dje në Vlorë, në të cilën u citua Preveza, thekson se “deklarata e Kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë te Jugut, Veriut apo lindjes”.