Ja si u paguan 5 mln euro më shumë për sterilizimin

125

Llogaritjet e gabuara për Sterilizimin, në 2018-n u dyfishua numri i operacioneve, u paguan 5 mln euro më shumë

Ministria e Financave, në një raport të fundit për zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin ka pranuar se risku i financimit është marrë përsipër tërësisht nga buxheti dhe deri tani janë materializuar risku i kërkesës dhe risku i negocimit, çka ka bërë që buxheti të paguajë rreth 5 milionë euro më shumë vetëm për vitin 2018. Kjo kontratë ka ngjallur debate për shkak të kostos së lartë dhe rritjes përtej parashikimeve fillestare, duke detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të urdhërojë pezullimin e operacioneve të thjeshta. Sipas raportit të financave, pagesat për këtë kontratë realizohen sipas skemës (pay x use), prandaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Por, të dhënat e paraqitura nga Ministria e Financave tregojnë se planifikimi ka qenë shumë i gabuar dhe situata ka dalë nga kontrolli në 2018-n. “Niveli i ndërhyrjeve i parashikuar në kontratë është 62.957 ndërhyrje ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117.000 ndërhyrje”, thuhet në raport .Si rrjedhojë, pagesat e detyrimeve për tejkalimin e numrit të ndërhyrjeve gjatë vitit 2018 ishin 610 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro më shumë, të cilat po paguhen dhe përgjatë 2019-s.“Pagesat për 9-mujorin e vitit 2019 janë rreth 1.64 miliardë lekë ose rreth 85.7 përqind e planit të rishikuar vjetor të pagesave të parashikuara për vitin 2019. Ky realizim i lartë lidhet me pagesat e detyrimeve për tejkalimin e numrit të ndërhyrjeve gjatë vitit 2018 (610 milionë lekë)”, thuhet në raport.Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e operacioneve duket se e ka dhënë efektin në vitin 2019, ku numri i tyre është ulur ndjeshëm. Ministria e Financave raporton se për vitin 2019 janë parashikuar 63.600 ndërhyrje dhe për periudhën Janar- Shtator janë realizuar 47,241 ndërhyrje, ose rreth 74 për qind e planit vjetor të parashikuar. Nga tabela (shih tabela 11 më poshtë) rezulton se është ulur ndjeshëm pesha e ndërhyrjeve me kompleksitet të ulët, nga 61.4% në 2018-n, në 42.2% për 9 mujorin 2019. Për gjithë vitin 2019, financat parashikojnë të paguajnë 1.9 miliardë lekë nga buxheti për këtë koncesion. Financat pranojnë që kanë rishikuar në rritje planin e pagesave si për 2018 ashtu dhe 2019. Për 2020 dhe 2021, parashikimet për pagesat janë përkatësisht 1.65 dhe 1.7 miliardë lekë. Nga krahasimi i projektbuxhetit 2018 dhe 2020 rezulton se se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018 për gjithë periudhën 10 vjeçare kur parashikohet koncesioni. Si rrjedhojë, nga llogaritjet e gabuara të bëra nga ana e hartuesve të saj, vlera e financimit për koncesionin e sterilizimit është rritur me 65 % në harkun e dy viteve. PPP-ja e sterilizimit “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të përsonalizuar të instrumenteve kirurgjikal, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimë sh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale” u firmos në fund të vitit 2015 midis kompanisë “Sani Service” dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si përfituese e shërbimit, përfaqësuar nga ministri Ilir Beqja dhe FSDKSH, përfaqësuar nga Milva Ikonomi, ku janë përcaktuar kushtet paraprake, objekti i kontratës, çmimet dhe rishikimi i çmimeve. Kontrata nisi të zbatohet më 2016. Monitorimi i saj bëhet nga Drejtoria e Administrimit të Paketave dhe Ekzaminimeve Terciale (DAPSHET) në QSUT, raporton Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga auditimi i këtij shërbimi, KLSH ka konstatuar se, nuk ka një përcaktim detajuar për përdorimin e kompleksiteteve për çdo lloj operacioni, numrin e pajisjeve të kompleksiteteve për çdo ndërhyrje dhe nuk ka një përcaktim të qartë të përdorimit të seteve të sterilizimit me avull në shërbimet spitalore universitare dhe në spitalet rajonale.