Ish-ministri Manjani godet fort: Rama ligj të poshtër për të grabitur pronat e Rivierës

590
Sigal

Një ligj i ri i cili është përgatitur nga qeveria për krijimin e një kompanie shtetërore për të menaxhuar pronat publike, ka ngjallur mjaft diskutime.

Për ish ministrin e Drejtësisë, ky ligj “është mjaft i diskutueshëm.

Manjani ngre edhe 8 pikëpyetje.

“Ideja e krijimit të kompanive shtetërore nuk është detyrimisht e gabuar, por propozimi i qeverisë ngre pyetje dhe dyshime serioze”, shprehet Manjani.

Një dyshim i majnait lidhet me grabitjen e pronave në bregdet.

“Sot pronë shtetërore quhet çdo gjë që nuk është private. Mirëpo jo e gjithë prona private është regjistruar ende në ZRPP. Thuajse e gjithë Riviera është ende e pa regjistruar, megjithëse prej vitesh ka pronarë dhe ndërtime private aty.

Ndërkohë zyrtarisht ato janë ende prona shtet.

Kjo është situatë në shumicën e tokave të ndara me ligjin 7501. Kjo do të thotë se qeveria ja merr tokën pronarëve dhe ja jep Kompanisë?!!”, shprehet Manjani.

Në përfundim të përgjigjeve që u jep 8 pikëpyetjeve, Manjani arrin në konkluzionin se, “kjo është poshtërsi që as pushtuesit nuk ja bëjnë dot një populli!”.

Reagimi i plotë i Ylli Manjanit

Ligji më i ri që ka përgatitur qeveria, për krijimin e një kompanie shtetërore për të menaxhuar pronat publike, është mjaft i diskutueshëm.

Ideja e krijimit të kompanive shtetërore nuk është detyrimisht e gabuar, por propozimi i qeverisë ngre pyetje dhe dyshime serioze.

Disa nga pyetjet/çështjet që ngrihen natyrshëm janë:

1. Përse duhet një ligj i veçantë për të krijuar një komani shtetërore?

Ligji aktual për Shoqëritë Tregtare e parashikon mundësinë e krijimit të kompanive shtetërore. Mjafton që Qeveria të shprehë një vullnet, të ketë një ide dhe me një tufë aktesh themelimi mund ta krijojë një kompani me kapital 100% shtetëror.

Atëherë përse duhet një ligj i ri?!!

Qartësisht me këtë ligj kërkohet të nxirren nga funksioni ligjet ekzistuese. Fiks si në rastin e ligjit, të ashtuquajtur, Për Teatrin!

2. Përse një kompani dhe jo disa kompani?

Po të ndiqet logjika normative e ligjit për Shoqëritë Tregtare, kuptohet natyrshëm që larmishmëria e shoqërive që mund të krijohet është e madhe. Ligji synon krijimin e vetëm një (super) kompanie që do menaxhojë ekskluzivisht pronat shtetërore.

Natyrshëm lind pyetja tjetër:

3. Po qeveria ç’punë do ketë pasi të krijohet kjo kompani?

Prona shtetërore administrohet nga qeveria. Tani do krijohet dhe kompania për këtë gjë. Tani kemi qeveri dhe kompani, apo kemi vetëm kompani ose vetëm qeveri?

Detyra Kushtetuese e qeverisë është të administrojë pronën shtetërore, por nëse kjo pronë i kalon kompanisë, atëherë qeveria për çfarë duhet?!

Si mund të kryejë detyrat e saj një qeveri që s’ka asnjë pronë nën administrim? Fjala bie ç’prona do ti jepen ish pronarëve nga qeveria, kur ajo nuk ka më prona në inventar?

Meqë dolëm te pronarët del pyetja tjetër:

4. Çdo të thotë pronë shtetërorë?

Sot pronë shtetërore quhet çdo gjë që nuk është private. Mirëpo jo e gjithë prona private është regjistruar ende në ZRPP. Thuajse e gjithë Riviera është ende e pa regjistruar, megjithëse prej vitesh ka pronarë dhe ndërtime private aty.

Ndërkohë zyrtarisht ato janë ende prona shtet.

Kjo është situatë në shumicën e tokave të ndara me ligjin 7501. Kjo do të thotë se qeveria ja merr tokën pronarëve dhe ja jep Kompanisë?!!

E njëjta logjikë vlen për zonat me ndërtime informale.

Pra dyshimi është se me këtë nismë qeveria, nëpërmjet Parlamentit, në abuzim të plotë kushtetues mund të heqë tituj pronësie.

Ky do ishte kulmi!

5. Me ç’logjikë një kompani që administron pasuri e interesa publikë duhet përjashtuar nga procedurat e prokurimit publik?

As kompanitë private nuk e kanë këtë praktikë. Të gjitha e bëjnë një proces përzgjedhës të cmimit dhe cilësisë më të mirë.

Përse një kompani publike nuk duhet ta ndjekë këtë proces?!

E vetmja arsye është KORRUPSIONI!

Meqë dolëm tek korrupsioni, lind pyetja:

6. Me ç’metodë dhe mbi ç’kritere do vlerësohet pasuria publike që do jetë kapital i kompanisë?

Ky është sot kaosi më i madh i trajtimit të pronave, pasi metodat e vlerësimit janë të gjitha të diskutueshme dhe që kanë krijuar shume përplasje.

7. Kush siguron që prona publike nuk degjeneron përgjatë menaxhimit të saj nga kompania shtetërorë?

Menaxhimi publik është kriza më e madhe e shoqërive shumë më të zhvilluara se ne. Në shtetin tonë ku ligji nuk zbatohet, qeveritë janë mbi shtetin, administratorët publikë nxiten thjesht nga korrupsioni, një ide e tillë është mjaft e rrezikshme.

Pra pasuria publike mund të zhvleftësohet dhe të tjetërsohet për një copë bukë tek cilido “partner privat” që do jetë i përzgjedhur edhe pa tender!!!!

8. A është kjo ide një mënyrë e re për të fshehur borxhin publik?

Pa dyshim që po! Meqë koncensioneve dhe PPP-ve ju erdhi fundi, nëpërmjet kësaj kompanie shqiptarët të marrin borxh tregtar në formë kredish. Kompania ka të drejtë të marrë kredi.

Nga ana tjetër nëpërmjet falimentit dhe zhvleftësimit fiktiv të pasurisë kjo metodë mund të shërbejë lehtësisht për të “privatizuar” edhe ato pak prona që kanë ngelur.

Pra nga njëra anë marrim borxh nga ana tjetër nuk kemi pasuri ta lajmë.

Ka edhe pyetje të tjera, por këto më duken më thelbësoret që e bëjnë këtë ligj në kushtet tona TË PAPRANUESHËM!

Kjo është poshtërsi që as pushtuesit nuk ja bëjnë dot një populli!