Ish Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri në konferencë për shtyp

327
Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri ka reaguar për herë të parë publikisht për skandalin e përgjimeve në Itali ku emri i tij del i lidhur në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës, ku dje u arrestua në shtetin fqinj kushëriri i tij, Moisi Habilaj.
“Ju kuptoj shumë mirë sot më shumë se kurrë se cilido që më njeh mua personalisht apo jo, përfshirë familjen, miqtë, e këdo që më ka takuar është I shtangur me lajmet që bëhen publike e sidomos me përfshirjen e emrit tim. Ashtu siç kuptoj mediat që hedhin pyetje e akuza me dashje apo pa dashje, presin përgjigje prej meje. Ashtu siç i falenderoj ata që më kanë shkruar apo kontaktuar në çfarëdolloj forme, ata që më kanë besuar tek çdo gjë që jam unë. Siç kuptoj edhe kundërshtarët e mi që për herë të parë dhe të fundit sot as do I akuzoj as kundërshtoj se sot është dita e tyre të shfrytëzojnë pallavrat e dy kriminelëve . jam I rritur nga prindërit e mi dhe sot rris tim bir duke besuar tek e vërteta dhe e drejta dhe sikur gënjeshtrën ta besojnë kollaj, e vërteta vlen më shumë,. Edhe sikur I pari dhe I fundi që e beson këtë jam unë vet. Kam luftuar për të bërë detyrën. Pres me padurim të dalë e vërteta”, tha Tahiri. 
Sipas përgjimeve ambientale që kanë bërë autoritetet italiane, Mosi Habilaj përmend në bisedat me anëtarët e bandës emrin e Saimir Tahirit dhe se atij duhet t’i japë 30 mijë euro, e kjo për mbështetjen që ka gëzuar prej tij në lehtësitë për të trafikuar kanabis nga Shqipëria në Itali. 
Partia Demokratike kërkoi këtë të martë arrestimin e Saimir Tahirit dhe ekstradimin e tij në Itali. Ndërkohë në reagimin e parë për këtë situatë, kryeministri Edi Rama i cilësoi neveritëse bisedat e dala nga përgjimet dhe kërkoi që autoritetet shqiptare t’i shkojnë deri në fund këtij skandali pasi shqiptarët sipas tij meritojnë të dinë të vërtetën. 
“Nuk do të falet dhe tolerohet askush. Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam” shkruajti në Facebook kryeministri Edi Rama duke e “dorëzuar” para drejtësisë ish-ministrin e qeverisë së tij gjatë mandatit të parë.
Më herët gjatë ditës Saimir Tahiri kërkoi një takim me prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, por ky takim nuk u realizua pasi sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, kryeprokurori kishte angazhime të tjera. Në zyrën e Llallës këtë të martë ishte edhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, ku dyshohet se fokusi i bisedës ishte pikërisht rreth arrestimit të anëtarëve të bandës së drogës në Itali që kryesohej nga kushëriri i Saimir Tahirit. 
Saimir Tahiri aktualisht është deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar i Partisë Socialiste, ndërsa gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama mbajti postin e ministrit të Punëve të Brendshme, periudhë në të cilën mori sulmin më të madh nga opozita shqiptare si i përfshirë në botën kriminale të trafikut të kanabisit. 
Vijon…