Ish i dënuari i ndërgjegjes, Visar Zhiti, është personi më i përshtatshëm për Shqipërinë në Vatikan

534
Sigal

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë i drejtohet me një letër Presidentit Nishani

 Kryesia e Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë të Republikës së Shqipërisë, në mbledhjen e saj të datës 13./02/2015, mori në shqyrtim diskutimin  për  emërimin në Shtetin e Vatikanit si Ambasador të Shqipërisë z. Visar Zhiti. Duke mbajtur parasysh të gjitha diskutimet dhe qëndrimet, që po mbahen kundrejt këtij propozimi, madje edhe kundërshtitë e ndryshme të shprehura në atë drejtim, e quajmë për detyrë të paraqesim edhe ne pikëamjen tonë, me shpresë se do të merret parasysh nga Presidenti i Shqipërisë z.Bujar Nishani. Ju kërkojmë ju z.President që ta cilësoni si një rast të veçantë dekretimin e tij si ambasador, të pakrahasushëm  me të tjerët. Bindja  jonë është se anëtari i Shoqatës sonë, ish i dënuari i ndërgjegjes, z. Visar Zhiti, është personi më i përshtatshëm për të përfaqësuar Republikën e Shqipërisë në Qendrën Botërore të Krishtërimit  për këto arsye :

1 – Është një intelektual i shkallës së parë, me një kulturë të thellë e të gjërë, shkrimtar e poet, vepra e të cilit, prej kohësh, ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, i njohur dhe i vlerësuar nga autoritete botërore të letërsisë, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, i komentuar në organet e shtypit ndër më të shquarat në botë, përfaqëson me një dinjitet të rrallë vendin tonë në kulturën botërore.

2 – Është një njeri me një integritet të spikatur moral, me një karakter të palëkundur, të vënë në provë në vite të gjata burgimi të regjimit komunist, një luftëtar i paepur i pohimit dhe mbrojtjes së vlerave të larta njerëzore e qytetare, një atdhetar, ndër të paktet që i jep nder e shkëlqim imazhit të Shqipërisë në botë.

3 – Është një diplomat i hollë e i durueshëm, me një të kaluar të respektueshme e të vlerësuar në mjediset diplomatike të Romës, ku ka shërbyer me zell, kulturë e pasjon për vite të tëra.

4 – Jemi të bindur se nuk ekziston asnjë pengesë, për sa i përket besimit të tij fetar, si jo i krishterë. Poeti që ka bërë të flasë shqip Papën Vojtila dhe Nënën Terezë në poezitë dhe shkrimet e tij, ka të gjithë përkushtimin dhe aftësinë për të fituar besimin e duhur në Selinë e Shenjtë, për të kryer më së miri detyrën e tij me ndërgjegje e kompetencë në mbajtjen e marredhënieve të Shqipërisë me të në nivelet më të larta.

Mendojmë se emërimi i z. Visar Zhiti në detyrën e Ambasadorit të Jashtzakonshëm e Fuqiplotë të Republikës  së Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, do të jetë një shërbim i madh që i bëhet diplomacisë shqiptare dhe imazhit të Shqipërisë në botë. Në këtë kontekst e mbështesim, me të gjitha forcat tona, këtë emërim dhe shpresojmë që autoritetet përkatëse vendim – marrëse do t’a mbajnë parasysh vullnetin tonë, për të parë në selinë e lashtë diplomatike të Arbërit në Vatikan, një ish të dënuar politik të diktaturës komuniste, të vetmin e  kësaj kategorie ne atë nivel. Nëse politika shqiptare ka, sado pak, respekt për këtë kategori shoqërore që ne përfaqësojmë, nuk duhet të ketë as më të voglin ngurim në vendimin e emërimit të qytetarit Visar Zhiti në detyrën e re dhe të rëndësishme.

 Për Kryesinë e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

 Simon Mirakaj Kryetar i Shoqatës

Uran Butka Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shoqatës

Lili Ndoci Sekretare e Përgjithshme

Reshat Kripa Kryetar i Shoqatës Dega Tiranë

Seit Prishta anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Shkëlqim Lepenica Anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Mehdi Kraja Anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Bilbil Cami Anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Fenelon Hoxha Anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Jaçe Hysolli Anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Artan Murrizi Anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Mark Mustafa Anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Mark Alia Anëtar i Kryesisë së Shoqatës

Pashk Lala Anëtar i Kryesisë së Shoqatës