Ironia nga Shkodra, vihet në skenë “Gomari i Babatasit”

901
Kritikat e Fishtës drejtuar pushtetarëve janë gjetur nga aktorët si aktuale dhe si për të shprehur zemërimin, ata kanë vendosur të risjellin në skenë “Gomarin e Babatasit”. Të bindur se politika ka shkatërruar çdo gjë dhe ka marrë në dorë frenat edhe për artin dhe kulturën, artistët kanë vendosur të ngjiten në skenën e teatrit “Migjeni” pikërisht, më 11 prill, që është edhe data e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha 34 vite më parë. Kritika fishtjane me ashpërsinë e saj nuk fali askënd në një prej kryeveprave të tij që është “Gomari i Babatasit”. Akuzat mbi deputetët, ministrat dhe gjithfarë zyrtarësh, përfshirë dhe mallkimin, ironinë dhe sarkazmin e vitit 1923, duket se artistët e Shkodrës i kanë zgjedhur si një formë për t’ia përplasur në fytyrë klasës politike aktuale. Dhe për ta bërë këta ata kanë gjetur një datë, 11 prillin që është edhe data e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, duke e parë si burim të të gjitha të këqijave si dhe atyre që kalojmë sot. Sipas regjisorit, personazhi kryesor i veprës është kryeministri i Shqipërisë. “Atë që nuk arrijmë dot ta përmbysim, se mesa duket politika i ka shtrirë kthetrat fort në themelet e kësaj shoqërie, së paku të qeshim dhe të tallemi me të”, tha Basha. Vënia e kësaj shfaqjeje në skenë është parë edhe si një mesazh për situatën që po kalojnë aktorët për shkak të një vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar. Ikona e teatrit “Migjeni”, mjeshtrja e madhe, Zyliha Miloti dhe aktorët Besnik Çinari e Jozef Shiroka, bashkë me ftesën ndaj publikut për të marrë pjesë në këtë shfaqje, premtuan risi që deri më sot nuk janë parë në këtë skenë. “Ka satirë, satirë politike”, u shpreh Zyliha Miloti. “Të kesh rolin e Babatasit nuk është e lehtë për askënd, jo vetëm për mua” u shpreh Jozef Shiroka.
Sigal