INTERVISTA/ Hemion Braho: Në Itali, kur një i pandehur ka dijeni, por nuk merr pjesë në gjyq, nuk quhet gjykim në mungesë

900
Jakup B. GJOÇA
Prof. Dr. Hemion Braho, avokat i licencuar në Itali dhe pedagog në UET, në intervistën për gazetën “Telegraf”, sqaron se kur një i pandehur ka dijeni, por nuk merr pjesë në gjyq, nuk mund të quhet gjykimi në mungesë dhe se Kodi i Procedurës Penale jep garancinë, që një i dënuar në mungesë të kërkojë rigjykimin e çështjes. Prof. Braho, se vetingu nuk duhet të paralizojë asnjë gjykatë, dhe se Gjykata Kushtetuese mund të mos kalonte në Veting, ose të kalonte e fundit, dhe se duhet të merreshin masa të të zëvendësohen menjëherë anëtarët e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, që të mos paralizohet funksionimi i tyre. 

– Zoti Braho, ju keni studiuar në Itali. Referuar kodit të procedurës penale italiane, nëse dikush dënohet në mungesë, por në gjyq përfaqësohet nga avokati, a ka të drejtë të kërkojë rigjykimin tani me prezencën e tij që të dëgjohet fjala e Tij dhe a jep garanci ligjore për të ekstraduarit atje Kodi i Procedurës Penale të Italisë?
– E gjithë çështja, referuar gjykimit në mungesë lidhet me dijeninë e të pandehurit për akuzat që rëndojnë mbi të ose jo. Parimi i njohjes “efektive” të procesit nga i akuzuari nuk ishte kodifikuar në sistemin italian, të paktën deri në reformën e 2005 të kodit të procedurës italiane, kur u parashikua rivendosja në afat. Deri në atë moment, sistemi italian bazohej në modelin e dijenisë “ligjore” të gjykimit nga i akuzuari, duke u mjaftuar në respektimin e ritualitetit të njoftimeve sipas parashikimeve procedurale. Në këtë panoramë, reformat në Itali janë kompletuar kur është hartuar ligji nr. 67 i vitit 2014, i cili është përpiluar duke ndjekur disa direktiva: 

-Heqja e procesit në mungesë nga kodi i procedurës penale; 
-Pezullimi i gjykimit kundrejt personit që de facto nuk gjendet; 
-Rregullimi i ri i procesit në mungesë; 
-Sigurimi i mundësive për personin në gjykim për t’u rivendosur në afat dhe po ashtu mundësia për të pandehurin të rigjykohet në shkallën e parë nëse nuk kishte pasur mundësi të merrte pjesë në gjykim. 

Po të lexojmë nenin 625-ter të kodit të procedurës penale italiane, ku parashikohet mundësia e revokimit të gjykimit: 
“1. Personi i dënuar, ose ndaj të cilit është dhënë një masë sigurie me një vendim të formës së prerë, ndaj të cilit është proceduar në mungesë për tërë kohëzgjatjen e gjykimit, ju mund të kërkojë prishjen e vendimit nëse arrin të provojë se mungesa ishte për shkak të padijenisë dhe pa faj për zhvillimin e procesit. 

2. Kërkesa paraqitet personalisht nga pala e interesuar, ose nga një avokat me prokurë të posaçme të brenda tridhjetë ditëve nga koha e ngjarjes njohjen e procedurës. 

3. Nëse kërkesa pranohet, Gjykata e Kasacionit revokon dënimin dhe rikthen gjithë dokumentacionin te gjyqtari i shkallës së parë”. Mundësia për rigjykim konfirmohet edhe nga vendimi i Gjykatës së Kasacionit italiane datë 18-05.2015, nr. 20526. Po ashtu sipas formulimit të ri të nenit 420-bis paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, nëse i pandehuri, i cili është i lirë, ose i burgosur, nuk është i pranishëm në seancë dhe, edhe nëse është i ndaluar, ka hequr dorë shprehimisht të marrë pjesë në gjykim, atëherë trupi gjykues ka të drejtë të vazhdojë në mungesë të tij dhe nuk ka shkelje të të drejtave të tij, duke qenë se heqja dorë nga gjykimi është e qartë dhe e shprehur. Pra, ndryshimi është: Dijenia efektive procesit ose jo. Në qoftë se pala është në dijeni, por vendos të mos paraqitet në proces, ky i fundit nuk mund të bllokohet, por do të vazhdojë. Sipas pyetjes suaj, në qoftë se pala ka caktuar avokat është e qartë se ka pasur dijeni për procesin dhe jemi në kushtet e zhvillimit të një procesi normal.

– Cili është mendimi juaj për ndryshimin e nenit 491 të Kodit të Procedurës PENALE për kushtet e mosekstradimit të shtetasve shqiptarë në vendet e tjera?
– Neni 491 i ndryshuar i kodit të procedurës penale shqiptare parashikon se:
a) për një vepër me karakter politik, ose kur rezulton që ai kërkohet për qëllime politike; 
b) kur ka arsye të mendohet se personi që kërkohet do t’u nënshtrohet persekutimeve ose diskriminimeve për shkak të racës, fesë, seksit, shtetësisë, gjuhës, bindjeve politike, gjendjes personale a shoqërore ose dënimeve a trajtimeve të egra, çnjerëzore, a poshtëruese ,ose veprimeve që përbëjnë shkelje të një të drejte themelore të njeriut;
c) kur personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri; 
ç) kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit;
d) kur vepra penale nuk parashikohet si e tillë nga legjislacioni shqiptar; 
dh) kur për veprën penale është dhënë amnisti nga shteti shqiptar; 
e) kur personi i kërkuar është shtetas shqiptar dhe nuk ka marrëveshje që të parashikojë ndryshe; 
ë) kur është parashkruar ndjekja penale ose dënimi sipas ligjit të shtetit të kërkuar; 
f) kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”. 

Në dijeninë time kjo pikë e fundit ka shkaktuar disa debate kryesisht me karakter politik. Nga pikëpamja juridike neni parashikon disa raste “mosekstradimi” dhe pika e fundit është në koherencë me frymën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në përputhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka dënuar disa shtete, ndër të tjerat dhe Italinë (vendimi nr. 67972/01 i 18 majit 2004 dhe vendimi nr 56581/00 i 10 nëntorit 2004), që të rregullonin procesin në mungesë në koherencë me garancitë që parashikohen për të drejtën e informimit të nenit 6 që përmenda më lart. Në këtë kuptim, gjykimi në mungesë, pa garancitë që përmenda më lart, mund të konsiderohet shkelje e procesit të rregullt ligjor dhe Shteti ynë ka të drejtë të aplikojë pikën (f) të nenit 491. Referuar Italisë, mund të themi, me analizën që zhvilluam më sipër, që përfshihet në vendet, që i ofron këto garanci, kështu që kushdo mund të ekstradohet, qoftë dhe në rastin, kur është dënuar në mungesë.

– Çfarë do të thotë pamundësia e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, siç ndodh tani në Shqipëri?
– Kemi dy fenomene; nga një anë vijimi i reformës në Drejtësi, me procesin e ashtuquajtur të vetingut dhe nga ana tjetër bllokimi që ju përmendni. Po ashtu, bllokimi i dy gjykatave sjell pasoja të ndryshme në sistem, me që bllokimi i Gjykatës së Lartë do të lejë pasoja dhe vonesa për vite të tëra në sistem, ndërsa bllokimi i Gjykatës Kushtetuese që ka një rol specifik në sistem, duke qenë se mosfunksionimi cenon garancinë e të drejtave kushtetuese për qytetarët, të cilët do detyrohen t’i drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës së Strasburgut. Pavarësisht rezultateve, në mendimin tim, Gjykata Kushtetuese, duke mos qenë pjesë e mirëfilltë e sistemit gjyqësor, edhe për rolin që mbart, nuk i duhej nënshtruar procesit të Vetingut, ose së paku të kalonte e fundit në këtë “sitë”. Ndoshta do të ishte mirë që, së paku, kryetarët e dy gjykatave të qëndronin në detyrë dhe të përshpejtohej procesi i zëvendësimit të anëtarëve të tjerë, sapo të krijohen organet që lejojnë emërimin e tyre.

-. A mundet që mosfunksionimi i këtyre Gjykatave për një kohë të papërcaktuar të justifikohet me Vettingun?
– Mund të themi që jemi në kuadrin e një situate të jashtëzakonshme, që mund të justifikohet nga grada e lartë e korrupsionit në sistem. Sidoqoftë, nga pikëpamja sociale, duhet të ruhemi nga qasjet jakobine ndaj një klase profesionistësh, të cilët kanë nevojë për reformë, por që nuk mund të mbajnë gjithë barrën e korrupsionit në sistem, me që ky fenomen, që ka arsye nga më të ndryshmet dhe është zhvilluar kryesisht nga keqmenaxhimi i sistemit nga një pjesë e politikës dhe nga ndikimi i botës së krimit.

– A mendoni që Zgjedhja e Prokurores së Përkohshme me votim të thjeshtë në Parlament mund të zgjasë në kohë të papërcaktuar dhe të kryejë të gjitha funksionet ligjore që do këtë Prokurori i Përhershëm që do të zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë?
– Siç është konfirmuar edhe nga ekspertët ligjorë të Euralius-it dhe Opdat-it, nga pikëpamja ligjore procesi përzgjedhjes së kryeprokurores ka qenë i rregullt, pavarësisht faktit se do të kishte qenë më mirë të zgjidhej me 3/5 siç parashikon Kushtetuta përzgjedhjen Prokurorit të Përgjithshëm të ardhshëm. Por kjo nuk u realizua nga mungesa e seriozitetit, papjekuria dhe interesat e ngushta të klasës sonë politike. Natyrisht kjo figurë e “përkohshme” duhet të jetë e tillë në sistem, por jemi në fazën kur procesi i reformimit ka filluar dhe duhet të shpresojmë që klasa jonë politike mos të kthehet në pengesë.
Sigal