Kuvend, debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës për ngjarjet e fundit politike

474
Sigal

Edi Rama: Axhenda e vetme, statusi. Kastriot Islami: Injorant! Na turpëron në BE

Seanca e djeshme parlamentare ka nisur me debate të forta mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës, ku fokusi i replikave është vënë në akuzat e të djathtëve për trafikun e drogës, grevave të ish-nëpunësve dhe ish-të përndjekurve, si dhe sjelljes së maxhorancës ndaj figurës së ish-diktatorit Enver Hoxha. Debate të ashpra ka patur mes Kryeministrit Rama dhe ish-Kryeministrit Berisha, si dhe me deputetin e PD-së, Kastriot Islami. “Akt për t’i mbyllur gojën opozitës”,- kanë cilësuar kështu të djathtët në seancën e djeshme parlamentare incidentin e tre ditëve më parë të rrahjes mes deputetëve. Si kundërpërgjigje, një nga deputetët e PS, Taulant Balla theksoi se, opozita po mundohet që me këto incidente të prishë atmosferën në prag të vendimit të BE për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Ja disa nga debatet më të ashpra të deputetëve Topalli, Berisha, Balla, Rama dhe Islami.

Berisha-Ramës: Kush të jep ty status, ty të shumëzojnë me zero

Ish-Kryeministri Berisha ju drejtua Kryeministrit Rama, duke i thënë se, askush nuk i jep status një personi që e ka bllokuar dy herë. “Ju ndërprisni seancën, herë tjetër mos të ndodhë. Dua t’i them kreut të Partisë Socialiste se, është shqiptari i fundit të që flet për statusin. Ky njeri është i pa denjë për çdo funksion publik. Njeriu që organizon kurthet dhe lan duart. Statusin e ka bllokuar me një marrëveshje nga më të fëlliqura të këtij vendi, duke mos votuar tre ligjet. Sa i përket Enverizmit trauma më e madhe e tij ka qenë dështimi për tu bërë dhëndër i Enverit. Rrinte me lule në dorë me shpresën se do dorëzonte lulen në destinacionin e duhur. Vdekja e Enver Hoxhës e gjeti këtë për spital. Një muzikant i madh, mik i të atit e gjeti në gjendje të mjerë mbushur dhomën me piktura. Përmendi dhjetorin në një kohë kur daja yt bënte thirrje për të futur tanket ty të kishte çuar në Korfuz se mendoje se Spiro do fuste tanket dhe nuk duhej të lëndoheshe nga tanket. Pret status pasi e bllokove dy herë. Kush të jep ty status, ty të shumëzojnë me zero”.

Islami-Ramës: Injorant! Na turpëron në BE

Një debat i ashpër në gjuhë është zhvilluar mes deputetit të PD, Kastriot Islami dhe Kryeministrit Edi Rama. Islami mori fjalën në foltoren e Kuvendit dhe që në nisje theksoi se, këto që do të shprehë “do i djegin Kryeministrit”. Sipas Islamit, Rama po turpëron vendin me përfaqësimet dhe diskutimet që bën me partnerët ndërkombëtarë. Me të njëjtën ironi është përgjigjur dhe kryeministri Edi Rama. “Këtij i djeg shumë çfarëdo them unë. Ky është kryeministri më qesharak më mediokër më injorant që kanë 28 vendet kandidat. U ka thënë holandezëve që nuk kemi prostitucion, por kemi prostituta dhe prostitutat na i merrni ju neve. I ka ofenduar në Parlamentin Europian, se u ka thënë se shumica nuk dinë dallimin mes statusit dhe anëtarësimit ndaj nuk na e jepni statusin. Vjen në Tiranë i lumturuar me budallallëqet e tij. U thotë donatorëve edhe atyre gjermanë, që donacionet e juaja janë si këpucët e luftës së dytë botërore. Ky e adhuron enverizmin dhe është enverist i tipit të Mao Ce Dunit. Është komunist pervers. Në ‘91 ka pasur 10 profesorë të laureuar në Francë dhe nuk keni asnjë në PS”,- u shpreh Islami. Menjëherë ka replikuar Kryeministri Edi Rama që është përgjigjur gati me të njëjtën ironi. Në fjalën e tij, Rama madje përmendi dhe diktatorin Enver Hoxha, ndërsa nuk kurseu akuza dhe për deputetin e PD, Berisha.

Rama-Islamit dhe Berishës: Unë krenar për tim atë. Ti i qaje hallet me grupet marksiste në Francë!

“Sikur të ngjallej Enveri kë do mbante mend nga ne të tre, kë do njihte sigurisht që do njihte sekretarin e vet të partisë edhe profesorin e vet që e bëri kryetar parlamenti, mua Enveri nuk më njihte. E dyta: mund të qëlloje të lindësh dhe të jesh nipi mbesa edhe vajza e djali i dikujt, edhe pse jam më shumë se krenar për tim atë dhe jam i lumtur që e shoh Saliu kur përkulet atje para Nënës Shqipëri, por ama  të jesh me mend e tua, pa lidhje që të detyrojnë të njohësh për gjysh njërin apo tjetrin dhe të shkosh te dera, të bësh xhiro me varkë do hapet s’do hapet dera, duke thënë unë jap jetën për shokun Hysni unë shoqen Vito e adhuroj, e të dalësh këtu e të merresh me të shkuarën është fatkeqësi e madhe, por ne kemi një sfidë dhe unë vet ndjehem jo mirë kur nganjëherë bie dhe unë në nivelin e ulët ku ju e mbani bisedën. S’kam asgjë tjetër përveçse të përsërisë që sfida jon është të mos biem pre e asnjë banaliteti të kësaj natyre. Sa për tjetrën që Obama fliska me Kerry dhe pastaj lajmërokan Kastriotin dhe qoftë dhe ai Jozef Dolli e kë përmendi tjetër i qakan hallet me Kastriotin, kjo është me siguri e lidhur me kohën kur i qante hallet me ato grupet marksiste leniniste në Francë”,- u shpreh Rama.

Meta-Topallit: Jeni ekstremistë, por unë nuk impresionohem as nga ju as nga ekstremizmi për Enver Hoxhën

Në Përmet do shkoj çdo 24 maj se, vendosi ky Kongres vendosi rreshtimin e Shqipërisë në … (ndërhyn nga vendi Topalli) Unë nuk impresionohem as nga ekstremizmi juaj as nga ithtarët e Enver Hoxhës. Kongresi i Përmetit vendosi çlirimin e Shqipërisë dhe vendosi dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, që të cilat nuk u mbajtën, por ajo është çështje është tjetër. Por e di cili është problemi juaj?  Ju e keni problemin me Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANC) që e nxori Shqipërinë fituese, ky është problemi juaj me 5 majin me 29 nëntorin, me 24 Majin, por ne jemi krenarë për LANC, ne nuk e identifikojmë këtë luftë me Enver Hoxhën, por për ata mijëra djem e vajza që derdhën gjakun për lirinë e Shqipërisë. Nuk ta kam përmendur fjalën. Më vjen keq për ekstremizmin tënd, dhe por si dy pika uji si ata veteranë që dalin me foto të Enver Hoxhës.

Topalli: I pari që tradhtoi atë pjesë të pastër të luftës dhe vranë komandantët ishte Enver Hoxha dhe ti shkon e nderon. Imagjinoni nëse presidenti i Bundestagut do ishte me foton e Hitlerit, por 24 sekonda nuk do rrinte atje ku është dhe ti nuk duhet të ishe në atë vend.

Por, ti ke një problem, se ti do t’i ikësh debatit se, në 26 maj ajo që ndodhi, por ishte akt banditesk. Ju keni një problem ju mendoni dhe i referoheni vetes dhe i referoheni vetes si miliarder dhe kujtoni se do keni pushtetin tërë jetën. Se kur kam qenë në atë vend nuk jam drejtuar ashtu unë kundrejt teje. Por jashtë nga këtu ka njerëz të lirë, që e duan demokracinë dhe shohin çfarë bëni.

Strazimiri: S’ka lindur akoma ai burrë që të më shtrijë mua në tokë

Deputeti demokrat Gent Strazimiri foli në Kuvend në lidhje me përplasjen që pati me deputetët e PS-së, pak ditë më parë në zyrat e Kuvendit. Ndërsa akuzoi kryeministrin si organizator të sulmit ndaj tij, Strazimiri tha se: “Rama ka veshur me pushtet banda e banditë”. Deputeti Strazimiri tha se, nuk pati asnjë dëmtim nga konflikti në Kuvend, përveç shenjës që i kishte lënë “bërryli i Bashkim Finos, i cili po përpiqej të ndalte sherrin”. “Unë nuk jam boksier, nuk kam dashur kurrë të jem boksier. Nuk kam pasion paranë, as pasurinë, është zgjedhje e imja. Kam një amanet nga im atë, ai burrë i mençur që ka punuar gjithë jetën me ndershmëri, gjithmonë thoshte i pasur është ai që i mjaftojnë ato që ka. Nga kjo pikëpamje jam më i pasuri nga te gjithë ju këtu. Mendoni se, do të më mbyllni gojën mua dhe kolegëve të opozitës, duke angazhuar një bandë lepujsh për të më përfshirë në akte rrugaçërore. E kam paralajmëruar se, Rama po e organizonte para një muaji e gjysmë. Nuk kam asnjë dëmtim, vetëm bërrylin e Bashkim Finos që u përpoq të ndante sherrin. Burrë që të më shtrijë mua në tokë nuk ka lindur akoma”,- deklaroi deputeti Strazimiri.