Ilir Meta: Synimi i LSI-së është që të punojë për një Shqipëri që rritet

513
Sigal

 Intervista e Kryetarit të Kuvendit, në emisionin “Debat Plus” në televizionin “Vizion Plus”

“Synimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është që të punojë për një Shqipëri që rritet”,-deklaroi mbrëmjen e djeshme, Lideri i LSI-së Ilir Meta. I ftuar në një emision televiziv, lidhur me trajektoren elektorale të LSI-së dhe për perspektivën e saj, Meta tha se: “LSI  është një forcë realiste, jo vetëm konstruktive në kuptimin e formës dhe etikës, por që synon të zgjidhë problemet në interes të qytetarëve. Dhe në zgjedhjet e fundit, të 2013-s,  LSI kishte vetëm një mesazh, për punësimin dhe gjitha politikat që çojnë në rritjen e punësimit”.

Rritja e LSI ishte faktori kryesor për rritjen dhe të së majtës, sepse PS vetë si parti ruajti të njëjtën peshë elektorale nga 41% në 41.4% vetëm 0.5 %. Partitë e tjera të vogla të majta u rritën vetëm 0.1 % dhe pati rritje nga gjysmë për gjysmë që ishte ndarë elektorati në 2009 dhe tani shkoi 60 % majtas dhe kryesisht në rritjen e LSI-së. Vetë fakti që rritja ka ardhur nga tërheqja e votuesve të djathtë, mos përbën një farë rreziku?

-Së pari, meqenëse se jeni edhe profesor i statistikave, sa më shumë të dhëna, aq më e plotë edhe panorama. Ndoshta duhet të keni parasysh edhe rezultatin e vitit 2005, pra rezultatet e tre palë zgjedhjeve ku LSI ka konkurruar. Dhe në vitin 2005, pra vetëm 18 muaj pas themelimit të saj LSI-ja ka arritur një rezultat shumë të lartë 117 mijë ose 118 mijë vota, pra 8.5% në kushte shumë të vështira. Pavarësisht se kjo nuk u kthye në mandate për shkak të lojës, që u bë me kodin dhe ju e dini shumë mirë që e bënë të dy partitë kryesore. Pra, LSI-ja duhet të kishte normalisht 12-13 mandate dhe përfundoi me 5 mandate. Më pas kemi një rënie në vitin 2009, ku herën e parë ishim midis dy zjarreve, por herën e dytë mendoj që vetë bërja e kodit me konsensus për një qëllim të qartë për të përjashtuar alternativat e tjera dhe në radhë të parë LSI-në që ishte alternativa kryesore, por edhe një klimë presioni dhe trysnie që u ushtrua indirekt dhe direkt drejt votuesit, kur përjashtimi i LSI-së dhe procesi i administrimit ishte i papranueshëm, sepse ishte një parti që ishte provuar në zgjedhje, që kishte arritur të ishte forca e tretë, krijoi edhe një dekurajim, përveç dhe sistemit zgjedhor, i cili bëri të pamundur që votat tona të përktheheshin në mandatet që normalisht ne do të ishim në shkallë vendi.

LSI ka patur një bazë elektorale të provuar edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2007 rreth 120 mijë vota, siç u konfirmua edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011 ku LSI-ja ishte në një situatë aspak komode. Ka konfirmuar se ka patur një elektorat gjithmonë shumë të qëndrueshëm dhe ka rreth 120 mijë vota.

Mos harrojmë që shkuat në 180 mijë vota. Nga analiza që paraqitet në grafik tregon se zgjerimi i të majtës ka ardhur nga vetë zgjerimi juaj në territorin e djathtë. Para një jave kisha në studio z. Edi Paloka dhe pretendimi i tij ishte që LSI-ja i ka blerë me para votat e votuesve tanë të djathtë…

Nuk habitem për këtë shpjegim fëmijëror, që nuk i takon një politikani me përvojë si mikut im z. Paloka. Ky është një justifikim, që natyrisht çdo politikan ka të drejtë të justifikohet dhe të gjejë një alibi për rezultatin. Por ajo që ka ndodhur me LSI-në realisht është kjo, që pavarësisht se ka patur një korpus të qëndrueshëm të elektoratit vazhdimisht dhe të sakrificës, mos harrojmë që LSI u kthye si forcë opozitare, pra u shkëput nga PS-ja kur ishte në pushtet dhe qëndroi në opozitë për një kohë të gjatë dhe të vështirë. Është dëmtuar si asnjë parti tjetër nga proceset elektorale të vitit 2005 dhe 2009. Është një parti që ndërkohë ka fituar pjekuri. Ka qenë një forcë e re dhe ka arritur që të krijojë një ekip mjaft përfaqësues që ka dhënë mesazhe shumë të dëshiruara nga një pjesë gjithnjë në rritje e elektoratit shqiptar sepse ju jeni edhe profesor i statistikave dhe e kuptoni ju edhe ata që merren me sondazhe.

Ju e dini më mirë se votuesi në Shqipëri ka përveç aspekti emocional dhe tradicional apo edhe ideologjik ka hezitim më shumë në gjykimin racional. Pra mund të themi që ju jeni një parti që kujdeseni për votuesin tuaj ndoshta më shumë se të tjerët?

-Ne jemi një forcë politike realiste së pari, dhe së dyti mjaft konstruktive dhe kur them konstruktive nuk e kam thjesht në kuptimin të etikës dhe të formës, por të karakterit të një partie, e cila synon që të zgjidhë problemet. Që synon jo të shtojë problemet e Shqipërisë, por synon të zgjidhë ato probleme që janë dhe të zgjidhë problemet në interes të qytetarëve. Edhe në zgjedhjet e fundit nëse e vumë re LSI-ja kishte një mesazh shumë të qartë dhe të gjitha politikat e saj shkonin vetëm në një drejtim, të rritjes së punësimit.

Pra ky mesazh i partisë tuaj bëri që të rritej trefish i votave?

-Absolutisht që po. E para se LSI-ja u konfirmua si forcë konstruktive, si një forcë pa paragjykime.

Këtu kemi rritje nga 1000 deri në 19 mijë e 500 vota, një rritje gjigante ?

-Këtu kemi rastin e Gjirokastrës. Duhet të kemi parasysh që në Gjirokastër faktorin Tavo, i cili në 2009-n nuk ishte me LSI-në, por që ka krijuar një bazë të fuqishme elektorale apo rasti i Dibrës.

Le të kalojmë përtej 23 Qershorit. Sondazhi i fundit që kam zhvilluar, kam pyetur se cilin grup parlamentar preferojnë, po të shohim grafikun shohim që LSI është te 14% tani. Pra po të analizojmë rezultatin e sondazhit i bie që LSI-ja të ketë rreth 250,000 vota nga 180,000. Ky sondazh tregon se rritja e LSI-së vjen te ata që kanë votuar majtas më 23 Qershor dhe disa mesazhe që keni dhënë ju si parti, pamë pra deklaratën e z. Luan Rama, duket sikur po joshni votuesit e Majtë. Po krijon, mund të krijojë xhelozi mes dy partnerëve kryesorë të maxhorancës kjo?

-Dua t’ju siguroj edhe ju edhe teleshikuesit se qëllimi ynë nuk është thjesht të punojmë për një LSI që rritet. Nuk them që nuk është edhe ky një synim i yni. Synimi ynë kryesor është që të punojmë akoma më shumë për një Shqipëri që rritet. Sot, mendoj se edhe ju e keni ndjekur faktin që Standard and Poor’s bëri një vlerësim pozitiv dhe tepër shpresëdhënës për ekonominë tonë, duke kaluar nga vlerësimi ‘negativ’ për të në vlerësimin ‘e qëndrueshme’. Është mjaft inkurajues dhe unë jam i bindur që me reformat që po ndërmerren dhe me ritmin e tyre shumë shpejt do të ketë vlerësime edhe më pozitive për ekonominë shqiptare.

A  mund të më thoni se si do të jetë ndarja e territorit midis dy aleatëve strategjikë sepse ju nuk do të keni dy kandidatë që të konkurrojnë kundër njëri-tjetrit?

-E kuptoj kërshërinë tuaj përsëri edhe për shkak të pasionit tuaj edhe në fushën e sondazheve dhe profesionit tuaj si statisticien. Por e theksoj se, më e rëndësishme për ata që ne na dëgjojnë dhe për të gjithë qytetarët se sa cili do të jetë rezultati i LSI-së apo i PS-së, pra po themi edhe Brenda votuesve, më shumë se kjo mendoj se ajo që është më e rëndësishme dhe që është më shumë në interesin e tyre është ndarja administrative territorial e Shqipërisë. Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje paraprake konkrete, duke qenë të bindur dhe duke patur vullnetin për bashkëpunim, për konsensus, gjithmonë me qëllimin e mire që në krye të bashkive dhe komunave të kemi mundësi të përzgjedhim ato kandidate dhe ata kandidatë që do t’i shërbejnë më mirë qytetarëve, dhe kjo është kryesorja.

Z. Meta na ndajnë vetëm dy muaj e pak nga vendimi i Këshillit Europian për të marrë statusin e kandidatit nga Shqipëria. Cili është mendimi juaj?

Shqipëria duhet ta kishte marrë që në dhjetor statusin e kandidat. Nuk e mori për arsye të vetë mënyrës së si funksionon Bashkimi Europian. Nuk e besoj se, problemi ishte tek ne sepse ato reforma që na u kërkuan për të marrë statusin, nuk po them për hapjen e negociatave, ato ishin të plotësuara me realizimin e tre kushteve dhe me realizimin e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Fakti që Komisioni Europian bëri rekomandimin zyrtar pozitiv vendeve anëtare që Shqipëria të merrte statusin ishte një tregues i qartë që Shqipëria e meritonte ta merrte statusin. Pra në qoftë se do të jemi të paanshëm. Kjo për arsye se Komisioni Evropian është institucioni më i specializuar për të bërë vlerësimin më rigoroz të standardeve, të mundësive dhe të detyrimeve që përmbush një vend për një status të caktuar. Megjithatë dihet që vendimi është vullnet i vendeve anëtare. Dhe tek vendet anëtare e dimë se si rrodhën ngjarjet, ku mendoj se rezoluta që u bë në Parlamentin holandez, pra vetoja që u vu paraprakisht nga ana e Holandës duke e bërë të pamundur për ministrin e Jashtëm të Holandës apo për Kryeministrin të shprehnin një qëndrim pozitiv. Mendoj që kjo ka të bëjë me vetë rrethanat politike në të cilat ndodhet edhe ky vend, ku Partia e Lirisë është në krye të sondazheve. Natyrisht që kjo pati edhe efektin e saj.