Debate të ashpra në Komisionin Hetimor të Policisë. Sms-ja e Tahirit, mollë sherri

497
Sigal

Noka: Rama- mesazh ministrit “Mendo ku ke gabuar”. Tahiri: Mesazhi është i imi, ia dërgova vartësve

Një mesazh telefonik, i bërë publik nga ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili pretendon se është nisur nga Kryeministri Rama në drejtim të ministrit Tahiri, ka ngjallur debate të forta në komisionin hetimor të ngritur për largimet, lëvizjet dhe emërimet në Policinë e Shtetit. Noka lexoi nga telefoni i tij një mesazh, të cilin pretendon se, Kryeministri, Edi Rama ia ka dërguar. Sipas deputetit Noka, Kryeministri Rama konstaton rritje të vrasjeve gjatë muajit mars, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe i kërkon ministrit Tahiri të marrë masa. Nga ana e tij, ministri Tahiri deklaroi se, mesazhi në fjalë ekziston, por është nisur nga telefoni i tij në drejtim të vartësve.

Po kështu dhe rreth arrestimit të babait të tij, Bashkim Tahiri. Një pyetje specifike iu drejtua për sms-në, që Tahiri pranoi se, e ka dërguar tek vartësit dhe nuk është marrës i kësaj të fundit. Gjithsesi, ky mesazh është kthyer në një “mollë sherri” që ka shtruar pyetje pa përgjigje, nëse është përgjuar komunikimi telefonik apo sms e Tahirit është dekonspiruar nga njëri prej vartëse të tij. Tahiri i pohoi komisionit se, gjendja në muajin Mars vërtet ka qenë e rëndë, porse performanca e policisë sot është dyfish më e mirë se një vit më parë. Debati herë ashpërsohej dhe herë me tone të buta, ku nuk munguan as batutat. Më pas, Tahiri u pyet për shkarkimin e punonjësve të policisë, ku ministri theksoi se: “Largimi i tyre ishte i merituar dhe se, ata nuk duhet të kthehen më në detyrë”.

Sms e lexuar nga Flamur Noka

Flamur Noka: Dëgjova me vëmendje përgjigjen e të gjitha pyetjeve dhe argëtuese ishte me ç’është e vërteta, tani kam një pyetje në drejtim të dëshmitarit. Ju thatë që rezultatet tregojnë shumë mirë që reforma ka dhënë efekte. Do lexoj një sms që e kam në ligjëratë të drejtë, që ju ka ardhur para pak ditësh nga Kryeministri juaj.

Sms: “Në muajin mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin mars 2013, gjithashtu, janë përkeqësuar të gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistikor. Nga kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përpara meje dhe ne kemi marrë përsipër përballë qytetarëve. Pasi unë dhe ti, është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me një neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë unë jam shumë larg se, problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që ta kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut, se meriton gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër më tepër për këto, por këto orë që të kanë mbetur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, çfarë nuk ke bërë mirë dhe çdo bësh për të riparuar nëse mundesh”. Mesazhi pasoi një pyetje drejtuar Ministrit po nga zoti Noka: “Të jem i sinqertë është hera e parë në këtë periudhë që merrem me politikë që bie dakord me Kryeministrin tënd dhe Kryetarin e PS-së. Pyetja është kush gënjen këtu, ju që keni një orë që tregoni se, policia ka arritur majat e performancave europiane, apo Kryeministri me këtë mesazh që ju ka dërguar ju ?”

Tahiri: Sms s’është e Kryeministrit, ia dërgova unë vartësve

Reagimi i parë pas mesazhit të lexuar nga ish-paraardhësi i tij ishte një buzëqeshje nga z.Tahiri, ndërsa nuk ka nguruar se, ky veprim edhe njëherë tregon gjendjen në të cilën ishte katandisur Policia e Shtetit. Ai ka mohuar kategorikisht që këtë mesazh t’ia ketë dërguar Kryeministri, duke shtuar se, ai e bën punën e tij shumë mirë. Ai deklaroi se, mesazhi mban firmën e tij dhe ia ka adresuar dy bashkëpunëtorëve, duke treguar edhe mesazhin ne telefon.

Akuzat dhe kundërakuzat e anëtarëve të Komisionit pas publikimit të sms

Stërkaj: Ky mesazh është drejtpërdrejt nga Kryeministri apo e ke nga ndërmjetësit që futen në telefonatat e Kryeministrave dhe Ministrave?

Lutaj: Nëse Flamuri dhe “Flamurët” kanë mesazhe të dërguar nga Sali dhe “salinjtë”, do të doja të mos prononcoheshin këtu.

Klosi: Shqetësohem kur Kryetari i Komisionit Hetimor bën një pyetje, përsa i përket një mesazhi apo aludimeve për një mesazh që Kryeministri i çon Ministrit të Brendshëm. Duhet ndërprerë seanca si mundet një ish-ministër, aludon se ka përgjuar komunikimin telefonik mes Kryeministrit dhe ministrit. Për përmbajtjen aludoni si të doni, por përgjimi është shkelje e sigurisë kombëtare.

Ristani: Mesazhin sapo e konfirmoi dëshmitari në seancë dhe përmbajtja e tij është publike dhe e regjistruar në këtë komision.

Halimi: Ne dëgjuam të gjithë debatin artificial dhe përgjigjet e përgatitura më parë. Mesazhi ekzistoka. Se si e ka marrë Noka e hetojmë, por jo këtu, të kemi respekt për dëshmitarin.