Idrizi: Fashistët Greqia i ka te Agimi i Artë, ne bazohemi te të drejtat

48
Gjatë takimit elektoral në njësinë Nr .5, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi komentoi edhe deklaratat provokuese të ministrit të Jashtëm Grek Kotzias, sipas të cilit PDIU qenka pasardhëse e forcave neonaziste, duke theksuar se neonazizmi mbretëron në parlamentin grek e jo në frymën evropianiste që PDIU përçon.
“Është qesharake të mendosh se ne mund të na kompleksoj dikush që vjen nga muzeumet e historisë. Asnjëherë dhe në asnjë rast, jo vetëm PDIU, por edhe ata që ne trashëgojmë me shumë krenari dhe dhimbje, por duke iu dal për Zot, nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e nazizmit apo e fashizmit. përkundrazi, ata që kanë bërë genocid mbi shqiptarët e Çamërisë, sot duan t’ia faturojnë këtë gjë viktimave. Partitë naziste dhe fashiste parlamenti grek i ka te Agimi i Artë, kurse PDIU bazohet në gjetjen e të drejtave të saj në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Kjo është europianiste: të luftosh për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të luftosh për dinjitetin, të luftosh për humanizmin, të luftosh për drejtësinë që tashmë është një drejtësi e sanksionuar në të gjitha shtetet evropiane e demokratike. Unë dua t’i bëj thirrje kujtdo që te ne të shohin shqiptarët që dinë se çfarë bëjnë, e shohin shumë mirë të ardhmen e tyre si një të ardhme evropiane dhe që nuk kanë asnjë lidhje me nazistët e Agimit të Artë që ata i kanë në parlament, vazhdues të Napoleon Zervës, që kreu një nga masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptarëve të Çamërisë” – tha z. Idrizi.
Kryetari i PDIU-së theksoi se këshilltarët e PDIU-së në Bashkinë e re të Tiranës do të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të kryeqytetit, duke marrë për bazë nga ato që PDIU ka rrëfyer në të kaluarën, nëpërmjet aksioneve politike të saj.
“Pa dyshim që këshilltarët tanë në Këshillin Bashkiak do ta bëjnë Tiranën një qytet më të jetueshëm, me shkolla, ujë të pijshëm, çerdhe, infrastrukturë, por mbi të gjitha një qytet evropian me jetë sociale e kulturore më të madhe. Ne kemi treguar që dimë t’i bëjmë diferencat. Ne kemi treguar që nuk kemi qenë pasiv dhe të shohim vetëm çfarë bëjnë partitë e mëdha, por kemi treguar se ne kemi program, kemi njerëz të devotshëm e menaxherë të mrekullueshëm, të cilët dinë t’i bëjnë realitet atë çka meritojnë gjithë shqiptarët” – theksoi z. Idrizi.
PDIU kandidon në të gjitha bashkitë e Shqipërisë me lista shumëemërore për këshilltarë. Lista shumëemërore e Tiranës kryesohet nga znj. Vjollca Braho dhe z. Arjan Çukaj.