Idea e “çmendur” e EURALIUS: Modeli “Arta Marku” për Gjykatën e Lartë

113

Misioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, EURALIUS, duket se ka zbuluar “rrotën” për zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Sipas asaj që raporton Top Channel, ekspertët e EURALIUS pritet t’i sugjerojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor një zgjidhje “sui generis” për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë. Sipas këtij sugjerimi, i cili mund të formalizohet shumë shpejt, KLGJ mund të emërojë anëtar të Gjykatës së Lartë “të përkohshëm”.

Ky model është thuajse i ngjashëm me atë që sugjeruan për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm (të përkohshëm) në Dhjetor 2017.

Sugjerimi i EURALIUS për Prokurorinë rezultoi një dështim i plotë. Maxhoranca socialiste shfrytëzoi opinionin “e ndërkombëtarëve” për të vendosur në krye të institucionit të Akuzës, Arta Markun, e zgjedhur vetëm me 69 votat e deputetëve të Edi Ramës.

Prokuroria e Përgjithshme, me në krye një të Përkohshme prej 1 viti e gjysëm, është shndërruar në një zgjatim të shëmtuar të pushtetit ekzekutiv. Nën drejtimin e Arta Markut, Prokuroria ka bërë gjithçka është e mundur për të mos hetuar apo për të zbutur pozitat proceduriale të eksponentëve socialistë.

Nga ana tjetër, prokurorët “e pavarur” të Arta Markut janë treguar shumë të vendosur për të marrë nën hetim dhe për të burgosur zyrtarë të opozitës dhe protestues anti-qeveritarë.

Modeli “Arta Marku” tashmë pritet të sugjerohet edhe për Gjykatën e Lartë nga ekspertët e EURALIUS.

Ky mision i Bashkimit Europian përbënte grupin thelbësor për hartimin e Reformës në Drejtësi. Pas 3 vitesh nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, Shqipëria ka një sistem drejtësie në kolaps të plotë.

Prej më shumë se 1 viti nuk funksionon Gjykata Kushtetuese, pak javë më parë doli jashtë funksionit Gjykata e Lartë, ndërkohë që Prokuroria u shndërrua në derivat të qeverisë.

Ky është rezultati kryesor i Reformës në Drejtësi të hartuar me mbështetjen e ekspertëve të mirë-paguar, por tërësisht mediokër të EURALIUS.

Këta ekspertë, të cilët flasin e veprojnë në emër të Komisionit Europian, nuk mund të pranojnë dështimin spektakolar të eksperimentit të tyre në Shqipëri.

Dhe, për të mbuluar dështimin, vijojnë me ide të çmendura, si kjo e fundit, që sugjeron plotësimin e Gjykatës së Lartë me anëtarë “të përkohshëm” nga gjyqtarë të shkallëve më të ulta.

Boldnews