Hahn: Bëni kilometrin e fundit për miratimin e reformës në drejtësi!

542
Komisioneri për Zgjerimin në BE i ka bërë thirrje klasës politike në Shqipëri të bëjë hapin e fundit për miratimin e reformës në drejtësi. Në një deklaratë për mediat Hahn ka nxitur politikën që të gjejë kompromisin për miratimin e ndryshimeve kushtetuesve çka sipas tij do të tregonte angazhimin e plotë të vendit në rrugën drejt BE. “Përshëndes punën konstruktive të bërë deri tani për reformën themelore të drejtësisë në Shqipëri që është mbështetur nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë si Euralius, OPDAT apo Komisioni i Venecias.
Një miratim i shpejtë i reformës dhe zbatimi i saj pasues është tashmë kyç. Kjo jo vetëm që do t’i përgjigjej mbështetjes së madhe publike në Shqipëri për reformimin e sistemit të drejtësisë, por do të sinjalizonte gjithashtu një angazhim të qartë ndaj standardeve evropiane dhe procesit të integrimit evropian. Prandaj, i nxis të gjitha palët, përfshirë opozitën, që ta vendosin interesin e vendit të tyre dhe atë të qytetarëve mbi interesat e tyre individuale dhe të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike, pa kompromentuar thelbin e draft reformës të pranuar ndërkombëtarisht”, tha Hahn.
Sigal