Greqia me kufirin detar, vjen deri në Karaburun

903
Sigal

Gazetari grek Sotiris Sideris shkruan: “Greqia fiton nga Marrëveshja Greqi – Shqipëri për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon”

Ndërkohë që në Shqipëri, aparati propagandistik i qeverisë po përpiqet që ta “harrojë” marrëveshjen e detit me Greqinë, mediat helene janë duke i kushtuar një vëmendje të madhe, asaj që ata e quajnë “sukses të padiskutueshëm të qeverisë Tsipras”, siç është zgjerimi i ujërave territoriale në detin Jon me Shqipërinë dhe në Mesdhe me Egjiptin. Përmes një shkrimi të gazetarit Sotiris Sideris të publikuar pardje tek omeganeës.gr, zbulohet korniza e marrëveshjes së detit mes Greqisë dhe Shqipërisë, të cilën gazetari në fjalë nuk druhet ta quajë “marrëveshja për zgjerimin e ujerave territoriale në detin Jon”.

Shkrimi i gazetarit grek Sotiris Sideris tek omeganeës.gr

“Qeveria (greke) ka bërë gati dokumentet për marrëveshjen që parashikon zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë në detin Jon me Shqipërinë dhe në Mesdhe, në jug-lindje të Kretës me Egjiptin. Ndërkohë, Turqia e ka bërë situatën de facto dhe ka specifika të tjera në ishujt e Egjeut. Natyrisht, problemi më shumë se teknik duket të jetë politik për shkak të specifikave në Greqi dhe Shqipëri, ku për çështjen e detit ka shumë rezistencë”. Më pas gazetari vijon: “Burime të mirë informuara bëjnë me dije se, edhe pse çdo gjë është gati ka një humbje kohe sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes së zgjerimit të ujërave territoriale të Greqisë me Tiranën. Madje, është paradoks, por edhe, nëse nënshkruhet ajo, ekziston frika që marrëveshja mund të kthehet mbrapsht sërish nga Gjykata Kushtetuese.

Lëshimet e palës shqiptare në marrëveshjen me Greqinë

Sa i përket lëshimeve që ka bërë Shqipëria në këtë marrëveshje, gazeta greke shkruan: “Qeveria greke i ka njohur Shqipërisë të drejtën për ta cilësuar si gji të brendshëm Gjirin e Sarandës, për të marrë si të mirëqenë cilësimin e ishullit Othonoi si pikë skajore të Greqisë”. Në lidhje me këtë duhet shpjeguar se të gjitha konventat ndërkombëtare për marrëveshjen e ujërave i lejojnë shteteve që të shpallin gjiret e tyre si gji të brendshëm dhe ky nuk është një lëshim që Greqia i ka bërë Shqipërisë, por një e drejtë e plotë, pavarësisht se qeveria shqiptare, përmes këtij truku, i ka dhënë dorë të lirë Greqisë në Jon, duke na i sjellë ujërat territoriale greke fiks përballë Karaburunit (shiko hartën sipër).

Pjesë nga shkrimi mbi marrëveshjen e detit Greqi-Shqipëri

Me Shqipërinë, gjithçka e mbyllur Qeveria e sotme (qeveria greke) ia arritur me vendosmëri që ta menaxhojë shumë mirë zgjerimin e ujërave territoriale greke në detin Jon ndaj Shqipërisë dhe kjo do të përfshihet në marrëveshjen për delimitimin e ujërave territoriale. Por, nënshkrimi i marrëveshjes ka ngecur për shkak të situatës politike në Shqipëri. Pyetja që shtrohet është nëse Greqia do të zgjedhë të zgjerojë ujërat territoriale në mënyrë të njëanshme, edhe pa dakordësinë e Shqipërisë, apo do të vijojë të presë?

Ministri grek i Jashtëm, Kotsias: Marrëveshja me Shqipërinë vonohet nga pala shqiptare

Para disa ditësh, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotsias deklaroi, se pala shqiptare po vonon në nënshkrimin e marrëveshjes, duke theksuar, se mungesa e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, problemet politike brenda vendit të tyre, e bënë qeverinë shqiptare, që të mos ngutet të nënshkruajë marrëveshjen. Mirëpo, herë pas here, pala greke ka zbardhur edhe disa nga çështjet e marrëveshjes së arritur midis dy vendeve tona, sikurse heqja e pretendimeve të palës greke për “VorioEpirin”, por edhe se në këto negociata, çështja Çame nuk është diskutuar dhe as që mund të bëhet pjesë e negociatave. Pala greke ka pranuar të dëmshpërblejë të gjithë shqiptarët që kanë pronësi në Greqi, por në këtë çështje nuk bëhet fjalë për komunitetin Çam, të zbuar nga Greqia.

Qeveria shqiptare hesht, as mohon, as përgënjeshtron

Qeveria shqiptare asnjëherë nuk ka zbardhur dhe as ka publikuar asgjë për çështjet e negociatave në marrëveshjen me Greqinë, madje, nuk ka dhënë deri më sot asnjë informacion as në Parlament. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare nuk ka mohuar, as nuk ka përgënjeshtruar asnjëherë asnjë nga çështjet që kanë bërë publike pala greke, qoftë media greke, por edhe vetë zyrtarët më të lartë të Greqisë, ministri i Jashtëm dhe kryeministri grek, të cilët, në mënyrë periodike, kanë bërë publike temat e negociatave me Shqipërinë. Pala greke ka pranuar, që marrëveshja është arritur dhe tashmë, mbetet vetëm nënshkrimi i saj. Pra, sipas palës greke, kanë mbaruar negociatat. Kështu, që edhe shkrimi i gazetarit grek, që publikojmë, është informacion i mirëqenë nga burime të sigurta.