Gjovalin Bushi: LSI-ja synon të marrë dy mandate në Qarkun e Lezhës

698
Sigal

INTERVISTË/ Flet për “Telegraf”, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Mirditën

Edhe pse ndihet mjaft i lodhshëm nga ngarkesa që ka në fushatën elektorale, Kryetari i LSI-së Gjovalin Bushi pranoj të japë një intervistë për gazetën “Telegraf”, duke deklaruar se pretendon të marrë mandatin e dytë për partinë e tij në Qarkun e Lezhës.

Z. Gjovalin si e vlerësoni situatën politike të kësaj fushate në rrethin e Mirditës?

Situata Politike në Rrethin e Mirditës gjatë fushatës paraqitet mjaft e ndezur nga të gjitha partitë politike që ushtrojnë aktivitetin e tyre elektoral dhe kjo vjen si rezultat për të marrë sa më shumë mandat deputetësh, duke dashur t’i largohesh humbjes.

Kush e ka më pranë humbjen?

Më shumë se askush tjetër është Partia Demokratike e Mirditës ajo që ndjen dobësinë e saj në këtë fushatë si një rezultat i një drejtimi mjaft të keq që ka patur kjo parti në 4 vitet e shkuara dhe si rezultat i saj ka humbur mjaft teren në të gjithë Mirditën dhe sigurisht që për 8 vitet e saj në pushtet nuk ka siguruar asnjë investim për rritjen e mirëqenies së banorëve të Mirditës.

A mbetet pjesë e humbjes së Partisë Demokratike, largimi nga koalicioni i LSI-së?

Sigurisht që, është kjo arsyeja dhe jo vetëm kaq, por është dhe ajo çka Partia Demokratike nuk ka mundur të bëjë atë çka duhet për shtetasit e vet. LSI-ja e ka mbyllur kapitullin e saj me PD-në duke i qëndruar besnik një aktmarrëveshje me të për 4 vitet e shkuara, tani ajo i është kthyer origjinës së saj.

Kanë mbetur vetëm dy javë kohë nga 23 Qershori, a mendoni se do të votoheni nga mirditorët?

Është e vërtetë së pak ditë kanë mbetur për të mbërritur në aktin final, por ajo që dua të them është se votuesit mirditorë do votojnë LSI-në dhe në tërësi të majtën, pasi programi ynë i njohur në fushatën elektorale të këtyre ditëve, i bën optimist për një të ardhme më të mirë, sidomos të të rinjve mirditorë, për punësimin e tyre, nëpërmjet hapjeve të vendeve të punës, siç janë minierat që janë lënë në harresë nga Partia Demokratike për 8 vite të shkuara.

Sa mandate mendoni të merrni në Qarkun e Lezhës?

Ajo çka po vëmë re gjatë takimeve që po bëjmë këto ditë ajo që është kryesorja, po shohim se bisedat që po bëjmë direkt me qytetarët dhe interesimi i tyre për t’u njohur me programin tonë, shoqërohet nga një dyndje e madhe pjesëmarrësish, ku do që shkojmë na japin shpresë që jo vetëm do marrim një mandate të sigurt, por shpresa na jep dhe mandatin e dytë.

Në cilën komunë, bashki apo fshat mendoni se do merrni përqindjen më të madhe të votave?

Për  LSI-në e rëndësishme është se me programin që kemi paraqitur deri më tani në disa komuna dhe fshatra të këtyre komunave, gëzojmë një mbështetje të fuqishme në tërësinë e tyre.

Si ka ndikuar bashkimi i LSI-së me Partinë Socialiste?

Sigurisht se, ndikimi është pozitiv pasi bashkon votat dhe nuk shkon asnjë votë në krahun tjetër, por ashtu siç thashë në fillim LSI-ja ka mbërritur në origjinën e saj. Të dy partitë së bashku përbëjnë të majtën e Konsoliduar dhe mbushin shumicën dërrmuese të popullit dhe shoqërohet me mandate.

A mbetet LSI-ja si dominuese në formimin e qeverisë?

Shpresojmë të marrim më shumë vota dhe më shumë mandate se sa i takon të formohet qeveria, shpresojmë që e Majta do të marrë mbi 80 deputetë, ndoshta dhe më shumë për të larguar pengesat nga opozita e ardhshme që i duhen së Majtës për të realizuar reformat dhe për të mbajtur premtimet.

Ju keni përballë një zonjë si kandidate të Partisë Demokratike, a  mendoni  se do ta sfidoni në zgjedhjet e 23 Qershorit, apo do jetë pjesë e Parlamentit shqiptar?

Të kuptoj se ku e keni fjalën, kandidatja e Partisë Demokratike znj. Albina Gjoci do të ishte me të vërtetë një kandidate e fortë, por ajo do të ishte e tillë po qe se nuk do të ishte në përbërje të kësaj partie, ajo nuk është në pozicionin e saj të duhur, për vetë faktin se kjo parti  jo vetëm që nuk ka dhënë asgjë, asnjë investim apo asnjë firmë të huaj për punësimin e të rinjve mirditorë në 8 vitet e pushtetit të saj, që nuk bënë asgjë të dy deputetet Gjovalin Prenga dhe Mark Marku. Në çdo parti tjetër po qe se do ishte kandidatë Albina Gjoci, sigurisht do të merrte mandatin për deputete. Ndaj janë drejtuesit e markës së vjetër Gjovalin Prenga, Gjon Pjetri dhe Gjon Ndoj, që kanë humbur të gjitha shanset e fitores.