Gjiknuri, lobon me partnerë strategjik për infrastrukturën dhe gazifikimin e projektit TAP

451
Sigal

Ministri  i Energjisë dhe Industrisë merr pjesë në punimet e forumit të Kaspikut në Stamboll

“Grup pune me SOCAR për master- planin e tregut të gazit në Shqipëri”

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri mori pjesë në punimet e forumit të Kaspikut që zhvilloi punimet në datat 4 dhe 5 dhjetor në Stamboll të Turqisë. Forumi Kaspik është një platformë që eksploron potencialin ekonomik, politik dhe strategjik të Rajonit të Kaspikut, duke përcaktuar fushat e bashkëpunimit dhe partneritetit.  Ministri ishte pjesë e panelit me temë “Korridori i Gazit Jugor, nyja më e rëndësishme e sigurisë energjetike të rajonit” ndërsa ju drejtua të pranishmëve me një fjalim të rastit.   Z.Gjiknuri nënvizoi rëndësinë që ka projekti i gazsjellësit TAP për Shqipërinë, rajonin dhe më tej për Europën në tërësi. Në vlerësimin e ministrit, Shqipëria ashtu sikurse edhe vende të tjera të rajonit kanë nevojë të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe jo thjesht të mbeten vende transit të këtij projekti.  Ministri garantoi se, qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që ky projekt të zbatohet në kohë por njëkohësisht po lobon aktivisht me shumë partnerë strategjik siç mund të jenë SOCAR apo kompani turke për t’u përfshirë në zhvillimin e rrjetit të gazit në vend, por edhe më gjerë duke përfshirë dhe Kosovën e Malin e Zi si dy vende të tjera të pagazifikuara. Z.Gjiknuri vlerësoi se, nevoja për gaz në Shqipëri dhe rajon sa vjen e rritet sidomos për gjenerim elektriciteti, por edhe për përdorim industrial.  Gjatë punimeve të forumit, z.Gjiknuri zhvilloi takime të veçanta edhe me drejtuesit e kompanisë SOCAR duke i kushtuar vëmendje thellimit të bashkëpunimit në drejtim të hartimit të master- planit për tregun e gazit në Shqipëri. Me drejtuesit e SOCAR u ra dakord që të formohet një grup i përbashkët pune për të avancuar në këtë drejtim duke sjellë ekspertët në terren për të vlerësuar të dhënat. Ministri Gjiknuri u takua në këtë forum edhe me drejtues të shoqërisë BP dhe disa shoqëri turke në fushën e gazit ndërsa pati një bashkëbisedim edhe me ministrin turk të Energjisë. Forumi i Kaspikut, Stamboll 2013, shqyrtoi çështjen e burimeve energjetike të rajonit, diversifikimin ekonomik, projekte të transportit dhe çështjet e sigurisë.