Ftesa e Metës për krizën/ Lulzim Basha me aleatët i shkojnë sot në orën 09:00 në Presidencë

91

Pas ftesës së presidentit Ilir Meta, ditën e sotme në orën 09:00 kryetari i PD-së Lulzim Basha së bashku me partitë e tjera që janë jashtë parlamentit do të zhvillojë një takim me kreun e shtetit në Presidencë.

Mësohet se në fokus të diskutimeve do të jetë kriza politike dhe ngërçi në Kushtetuese.

Ftesa u bë nga presidenti ditën e shtunë, ndërkohë që Basha dhe aleatët e pranuan menjëherë duke u treguar gati për t’u paraqitur në Presidencë. Mbrëmjen e djeshme Basha ka zhvilluar një takim me aleatët për qëndrimin që do të mbajnë përpara Presidentit për zgjidhjen e krizës.

Një nga temat më të nxehta të momentit është ngërçi me Gjykatën Kushtetuese. Pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta deklaroi se do të padisë në Prokurori, kreun e KED Ardian Dvoranin për ngërçin në Kushtetuese.

Meta tha se Dvorani ka konsumuar dy vepra penale, shpërdorimin e detyrës dhe përvetësimin e titujve shtetëror.

Kreu i Shtetit i cilësoi si mafioze veprimet e kreut të KED dhe të bëra qëllimisht që Presidenti të shkelte Kushtetutën. Meta iu përgjigj dhe akuzave të Ramës duke e quajtur të çmendur.

Dje presidenti shpalli non-grata në Presidencë, ambasadorin e OSBE-së. Presidenti ka paralajmëruar se do të publikojë edhe video që do të kenë sipas tij fakte tronditëse.