Fshehje pasurie dhe pastrim parash, Alfred Peza njihet me akuzat zyrtare, avokati: do fitojmë

519
Prokuroria e Përgjithshme mbyll hetimet për deputetin dhe gazetarin Alfred Peza. Dosja dërgohet në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit hodhi poshtë akuzën e pastrimit të parave 
Pas më shumë se katër muaj hetime intensive, Prokuroria e Përgjithshme i komunikon akuzën deputetit Alfred Peza dhe dërgon dosjen penale ndaj tij pranë Gjykatës së Lartë. Mesditën e djeshme, Peza i shoqëruar nga avokati i tij Ardian Visha janë futur në zyrën e prokurores Rovena Gashi dhe janë njohur zyrtarisht me akuzat. Ai do të gjykohet nga shkalla më e lartë e gjyqësorit, për tre vepra penale, atë të “fshehjes së të ardhurave”, “pastrimit të parave” dhe “mosdeklarimit të pasurisë”. Mësohet se pas komunikimit, deputeti Peza i ka deklaruar prokurores Gashi se nuk është dakord me akuzën. Ai është shprehur se është i pafajshëm. Prokuroria e Përgjithshme ka përjashtuar nga procedimi penal bashkëshorten e tij Mirela Ndini, e cila fillimisht u dyshua si bashkëpunëtore. Pas daljes nga institucioni Peza nuk ka pranuar të flasë për median, ndërsa shkurt është përgjigjur vetëm avokati i tij, Ardian Visha, i cili tha se do të fitonte pafajësinë në Gjykatën e Lartë. Sipas prokurorisë, është kryer akt-ekspertimi kontabël i të ardhurave të deputetit Peza dhe bashkëshortes ndër vite. Nga verifikimi i tyre, thuhet nga prokuroria, nuk rakordohen të ardhurat e deklaruara zyrtarisht me paratë që kishte në gjendje deputeti Peza. “Për mua është një rast i thjeshtë për t’u fituar, është i ndërtuar keq nga prokuroria qoftë nga lëvizja procedurale apo nga materia e përdorur. Çdo avokat do të ishte i lumtur ta kishte këtë rast sepse është një fitore e sigurt”, u shpreh avokati. Në akt-ekspertimin kontabël, ku edhe është bazuar ngritja e akuzave, ndër të tjera thuhet se deputeti nuk justifikon rreth 800 mln lekë të cilat i disponon në formën e aksioneve të blera në një bankë të nivelit të dytë në vend. Hetimi për këtë çështje e ka nis me iniciativë të saj prokuroria, pas publikimit në media të disa të dhënave, që deputeti kishte blerë me rreth 1.1 mlrd lekë aksione në nja bankë të nivelit të dytë. Nga ana tjetër, kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e aksioneve të deputeti Peza dhe bashkëshortes së tij, Gjykata e Lartë e ka rrëzuar duke e cilësuar si të paargumentuar ligjërisht. Në kërkesën për gjykim prokuroria shprehet se aksionet janë regjistruar në emër të shtetases Mirela Ndini, bashkëshorte e deputetit Alfred Peza, në kuadër të hetimit të nisur ndaj tyre nga Prokuroria e Përgjithshme për veprat penale; “Fshehje e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal; “Pastrimi të produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, parashikuar nga 257/a të Kodit Penal. Procedimi penal për këto vepra penale ka nisur kryesisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka si objekt hetimin e pasurive të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Alfred Peza, bashkëshortja e të cilit, shtetasja Mirela Ndini, ka blerë vlerën e aksioneve në masën 1%, pranë një banke ne Tiranë, në vlerën e 113.000.000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekë, më datë 17/03/2015. Nga hetimi i zhvilluar në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se shtetasi Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe likuiditete, të cilat janë tjetërsuar, duke kryer blerjen e masës prej 1% të aksioneve. Në funksion të hetimit të deritanishëm janë krijuar dyshime të arsyeshme se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në regjistrat publikë, gjë e cila përbën shkak për ekzistencën e një dyshimi të bazuar në lidhje me ligjshmërinë e tyre. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga shtetasja Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve. Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja. Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura. Në bazë të të dhënave të deritanishme, Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku i tjetërsimit të vlerës prej 1% të aksioneve të Bankës, nëpërmjet kalimit të pronësisë, pasi procedura e ndjekur në rastin konkret mund të kryhet thjesht mbi bazën e vullnetit dhe nuk ka rregulla apo procedurë ligjore të përcaktuar nga Banka në fjalë apo Banka e Shqipërisë për tjetërsimin e aksioneve. 
Sigal