Forcat Speciale të Ushtrisë Shqiptare, stërvitje e përbashkët me amerikanët

442
Sigal

 

Forcat Speciale
të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, bashkë me forcat speciale të
komisariatit special “RENEA” dhe efektivë nga Grupi i 19 i Forcave Speciale
amerikane, po marrin pjesë në stërvitjen Joint Combined Exchange Training,
JCET, e cila po zhvillohet në vendin tonë në periudhën 01–31 tetor 2016. Stërvitja
JCET po zhvillohet kryesisht në mjediset stërvitore të batalionit të Forcave
Speciale në Garnizonin Zall-Herr, por ajo është shtrirë edhe në disa pjesë të
caktuara të qytetit të Tiranës. Ditën e djeshme “teatër” i stërvitjes ka qenë
Universiteti i Arteve, ku trupat pjesëmarrëse kanë demonstruar disa nga
veprimet për të cilat janë duke u stërvitur këto ditë. I pranishëm në
Universitetin e Arteve ishte dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi i
cili në fjalën e tij tha: “Kjo është një stërvitje e përvitshme dhe më vjen
mirë që, ne çdo vit e më tepër kualifikohemi më tej për të garantuar sigurinë e
për të qenë më operabël në veprimtarinë tonë”. Më tej, ai i falënderoi për
suksesin e kësaj stërvitjeje dhe tha, se mirëpresim bashkëpunime të tjera në
mënyrë që efikasiteti i këtij bashkëpunimi të jetë maksimal, sepse sfidat që
kemi përpara janë vërtetë të rëndësishme. “Ju e dini që terrorizmi është bërë
një potencial i rrezikshëm. Natyrisht që nuk ka sinjale që akte të tilla
terroriste të ndodhin në vendin tonë, por ne duhet të jemi të përgatitur për të
përballuar çdo lloj situate. Situata, të cilat mund të ndodhin dhe në vende të
tjera ku ne mund të ndihmojmë me forcat tona të specializuara, tashmë për të
përballuar rreziqet nga terrorizmi”, përfundoi ai. Infiltrimi nga toka në një
godinë të zënë nga elementë keqbërës të paidentifikuar, duke mundësuar lirimin
e pengjeve dhe bonifikimin e objektit, ishte skenari kryesor i këtyre
demonstrimeve. Qëllimi i stërvitjes në përgjithësi është rritja e mëtejshme e
aftësive operacionale të batalionit të Forcave Speciale si partner i besuar, i
denjë dhe i ndërveprueshëm për kryerjen e misioneve ndërkombëtare, aftësimi si
njësi përgjegjëse për të reaguar ndaj organizatave (të mundshme) apo individëve
ekstremistë dhe tejet të rrezikshëm, trajnimi i reparteve speciale për të
ndërhyrë dhe vepruar në mjedis ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit si dhe
rritja e bashkëveprimit me njësitë e tjera ligj-zbatuese, ndërmjet strukturave
të Ministrisë së Punëve të Brendshme (RENEA) në kryerjen e detyrave të
përbashkëta. Në këtë stërvitje marrin pjesë edhe 3 vetë, personel i FSK me
statusin “vëzhgues”. Stërvitja JCET është stërvitje e cila zhvillohet 2 herë në
vit në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me SHBA.