Flet Çlirim Gjata: Tërhiqem nga gara për antar i Gjykatës Kushtetuese, sepse procesi i përzgjedhjes nga KED, është hipokrizi

734
Sigal

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata është tërhequr nga kandidatura e tij për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Letra e Çlirim Gjatës:

Tërhiqem nga kandidimi për disa arsye. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm i sistemit check and balance në Kushtetutë. Dy herë në historinë e Evropës ka ndodhur të mbyllet Gjykata Kushtetuese. Ajo në Austri, në 1938 nga Hitleri dhe hera e dytë në Shqipëri, në vitin 2018 dhe, çfarë paradoksi, për shkak të reformës në drejtësi. Mungesa e saj për kaq kohë e vë qeverinë në kushtet e qeverisjes së një grushti shteti, pasi askush nuk mund të mbrohet nga qeveria. Dhe qëllimi i qeverisë sot është të kapë këtë gjykatë nëpërmjet rrethanave, manovrave dhe shërbimeve edhe të institucionit të KED. Prandaj procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, më duket një hipokrizi në plot kuptimin e fjalës. Nga nëntë anëtarë ky institucion ka shtatë, pasi dy janë shkarkuar nga vettingu. Nga këta bie në sy kryetari ad-hoc i KED-së, Z. DVORANI anëtar i Gjykatës së Lartë, të cilit i ka mbaruar mandati për vete dhe jo pak, por ka pesë vjet pa mandat në Gjykatën e Lartë. Si mund të kem besim te ky person, i cili qëndron në detyrë për pesë vjet, me sot me nesër, sa të vijë tjetri ta zëvendësojë? Çfarë përgjegjësie mban, kur sapo të zëvendësohet shkon në punë të tij dhe nuk jep llogari askund? E pra, nga Gjykata e Lartë mund të caktohej një tjetër brenda mandatit dhe me përgjegjësi të plotë (sot që po flasim janë edhe dy anëtarë të GJ.L. brenda mandatit). Kush më garanton se Z. DVORANI nuk pret benefite nga qeveria për këto shërbime?! Sikur vettingu të ishte sado pak profesional dhe të merrte në shqyrtim vetëm disa vendime civile të këtij gjyqtari do flisnim ndryshe. E pra, mendoj se Kushtetuta ka parashikuar, që anëtarët e KED-së duhet të kenë përgjegjësinë e plotë të asaj çfarë bëjnë, sepse po krijojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo bordin qeveritar të kullimit, megjithëse, siç duken bathët, drejt asaj po shkon. Një anëtare tjetër aty në KED, me sa jam në dijeni, është edhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Zj. MARKU. O zot çfarë institucioni: Dy anëtarëve ju ka mbaruar mandati, tjetra është e përkohshme, dy i ka rrëzuar vettingu. Pa folur për tre të tjerë që presin vettingun.. E si mund të gjykohem nga kjo Prokurore, anëtare aty?! E zgjedhur në shkelje të Kushtetutës, politikisht, vetëm me 69 vota nga mazhoranca parlamentare dhe në shkelje të rënda në detyrën e saj të re, me veprime në kundërshtim me ligjet e vetë reformës në drejtësi, do të përzgjedhë kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese! Pa folur për konfliktin e interesit, që kjo gjykatë, e dalë prej saj, potencialisht do të gjykojë vendimet e saj. Pa folur për rekordet në C.V. e saj, që nuk tregojnë asgjë. Askush nuk mund të paraqesë as arritjen më të vogël profesionale çfarë ka bërë kjo zonjë, që të meritojë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm? Si mund të ndërtojë Gjykatën Kushtetuese kjo prokurore, qe shkatërroi Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe bllokoi hetimin e dosjeve mbi krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me politikën në trafikun e narkotikëve dhe blerjen e votave? Jo, unë nuk mund të vij aty. Ndërsa anëtarët që presin vettingun, pa dashur t’i fyej, më duken në një pozitë shumë qesharake. Kjo është garancia e anëtarëve të KED që nuk kanë kaluar vettingun. Institucioni juaj sa kushtetues, aq edhe një vjeçar, lë shumë për të dëshiruar, aq sa sinqerisht më vjen turp të më shohin aty me ju. A ia vlen që edhe sikur të marrësh “përzgjedhjen” nga KED të kalosh në votim në parlament? E në çfarë parlamenti? Nuk po flas për faktin se kemi një parlament në kushte antikushtetutshmërie, pasi nuk ka më 140 deputetë, sa ia kërkon Kushtetuta. Do të konstatoj dy momente shumë sinjifikativë të nivelit të këtij parlamenti. Le të shohim cilësinë e parlamentit. Aty ka deputetë, bie fjala, që nga policë janë bërë deputetë. E respektoj profesionin e nderuar të punonjësit të policisë shqiptare, por nuk mund të pranohet që një polic, thjesht për faktin se është deputet, të vendosë, nëse një doktor i shkencave në jurisprudencë do të emërohet anëtarë i Gjykatës Kushtetuese apo jo. Duhet të ishte e kundërta. Në parlament ka deputetë që kanë kryer shkollë, thjesht për kamionistë dhe e kanë paraqitur si shkollë të lartë. Pra, kamionistët deputetë do të vendosin, nëse doktori i shkencave në jurisprudencë do të bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ose jo. Në këto kushte, si e mendoni produktin që do të dalë në ndërtimin e Gjykatës së re Kushtetuese, qoftë për pozicionin ku ndodheni ju, qoftë për nivelin ku ndodhet ai parlament, që vetëm parlament nuk është? Ju mund të ndërtoni një Gjykatë nga pikëpamja formale ligjore, por nuk do të mbartë asnjë besim te qytetarët. Kjo për faktin se, ju vetë, qoftë si institucion, qoftë si anëtarë, nuk gëzoni kurrfarë besimi te publiku. Dhe besimi në publik është më kryesori në demokraci. Me këto shërbime që mund të bëhen, mund blihet vettingu, mund të blihen postet e larta, pasi morali është në mërgim, por emrin dhe personalitetin nuk e blen dot me asgjë. E çfarë duhet një Gjykatë Kushtetuese e dalë në këto kushte. Do ishte shumë më keq se sot pa gjykatë, ndërtimi nga ju i një Gjykate Kushtetuese të kapur nga Kryeministri. Ndaj paraqes edhe njëherë tërheqjen time nga kandidatura.