Flasin, Arbana, Budina, Ndrenika dhe Jorgo: Hilja me PPP, kullat mbi kokat e artistëve dhe banditët milionerë

700
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Artistët: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk do të lejojë kurrë gremisjen e Teatrit Kombëtar

Kryebashkiaku Veliaj: Teatri i ri kushton rreth 30 milionë euro, për 13 vite nuk do kishim asnjë investim

Projektligji i ri i qeverisë, për dhënien me koncesion të sipërfaqes publike të Teatrit Kombëtar firmës “FUSHA SHPK” , për ndërtimin e kullave, ka shkaktuar edhe më shumë reagime, zemërime dhe protesta jo vetëm të artistëve, regjisorëve, por edhe të qytetarëve. Pas kundërshtimeve dhe protestave të vazhdueshme të Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dje organizoi një dëgjesë me artistët për çështjen e Teatrit Kombëtar. Teksa ka theksuar se do të ketë transparencë për këtë çështje, Veliaj shprehu bindjen se është zgjedhur formula më e mirë qoftë artistët, , teatri i ri do të kushtojë rreth 30 milionë euro. Kryebashkiaku Veliaj tha se bashkia ka ofruar tokën si opsion. “Ne kemi ofruar tokën që të marrim teatër. Ne jemi gati, pa kullë. Ne jemi gati që tokën tonë ta vëmë si opsion”, u shpreh Veliaj.

Artistët reagojnë, duke kundërshtuar projektet e bashkisë së Tiranës dhe qeverisë

Artistët, regjisorët bënë debate të mëdha, duke e kundërshtuar propozimet dhe projektet e bashkisë dhe të qeverisë.

Reshat Arbana: Teatri duhet të mbetet atje, kullat do iu bien në kokë artistëve

Reshat Arbana: “Hera e parë që marr pjesë në debat. M’u kujtua shprehja që ‘shqiptarët mund të fitojnë çdo luftë, por duhet të fitojnë betejën mes veti’. Kam parë konflikt mes aktorëve. Unë si aktor i teatrit, kam 27 vjet që kam ikur, them që teatri duhet të mbetet atje. I lutem Bashkisë t’ia lërë teatrit. Kolonat e atij teatri janë 10 me 10. E kemi parë të gjithë se në ç’gjendje është. Si është katandisur. Të mendojnë për këtë punë ata, që janë specialistë. A bëhet një teatër në atë sallë, apo një i ri, por lërjani territorin e Teatrit Tiranës. Salla e Teatrit të Shkupit është nga më të mrekullueshmet dhe s’e di sa ka kushtuar. Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin. Të shohim teatër që të ngacmojë spektatorin në zemër. Përfundimisht, në qoftë se do vazhdoni të dëgjoni gjithë sa jemi këtu, s’do mbarojmë kurrë. Merrni njerëz e diskutojeni, se me 200 vetë nuk do dilni kurrë në krye. Bëni një gjë të bukur, se ato kullat, nëse do bëhen do duken sikur do bien në kokë të artistëve dhe teatrit. Nuk e di a do restaurohet por do më shumë se 1 milion. Merrni ata që merren me këtë punë, regjisorët, skenografët, grupet e interesit. Unë nuk jam interesuar, është hera e parë por që kam parë disa skena të turpshme”, u shpreh Reshat Arbana.

Regjisori Robert Budina: Ju nuk jeni i sinqertë në propozimin që bëni

“Kur ju më thoni se nuk i gjeni dot lekë për kulturën shqiptare, unë nuk di ç’të them. Të gjithë ne jemi fajtorë për këtë gjendje, edhe ne që s’jemi të zotë të organizohemi. Ju na futët në një moment që e bëtë fakt të kryer gjithçka. Ju na e bëtë fakt të kryer ligjin dhe na thoni hajde të diskutojmë. Duhet të bjerë ky ligj dhe pastaj të diskutojmë. PS në 2013 pati një nga pikat e saj të premtimeve restaurimin e teatrit dhe nuk e bëri asnjëherë. Ne kemi dashur të diskutojmë me ju, por s’e kemi pasur këtë mundësi. Unë mendoj se ju nuk jeni i sinqertë në propozimin që bëni, se me atë ligj që keni bërë, shkelen 17 ligje. Unë jam i tronditur nga kjo. Këtu nuk ka sinqeritet. Do të ishte mirë që ju të ftoni njerëzit që janë përgjegjës dhe atyre t’u flasim. Do të ishte mirë që të flisnim. Ne ju ftojmë të vijmë të diskutojmë në Teatër. Të thërrasim njerëzit, të shprehen ata. Ju ftojmë të vijmë të diskutojmë si qytetarë. Nuk kemi ndër mend, që të bëjmë veprime, që nuk i kanë hije një artisti.”

Ndrenika: Partneriteti publik-privat e ka hilen brenda.

Artisti i madh i skenës shqiptare Robert Ndrenika: “Faleminderit ju dhe faleminderit presidentit të Republikës që më bëri një mesazh dje. Kam vuajtur shumë gjithë kësaj kohe. Kam qenë edhe tek zyra e kryetarit më ka paraqitur projektin. Kam qenë optimist, por kam vuajtur shumë nga çështja e këtij partneritetit privat-publik. S’ma heq njeri nga mendja se ajo ka një hile brenda. Se e kam vuajtur shumë këtë partneritetit. Kam dhënë shtëpinë dhe përfundova në gjyqe. Unë jam kundër partneritetit publik-privat. Kam bindjen se të kanë gënjyer zoti Erjon, maksimumi mund të vejë 10-15 mln euro.

Mendoj dhe e kam pjekur këtë mendim gjatë kësaj kohe, se kam qenë edhe në kundërshtim me këta djemtë, trashëgimia mund të ruhet edhe si tek Varrezat e Dëshmorëve, por tani më është konsoliduar mendimi që gjithë ai kompleksi i teatrit është diçka që mund të ruhet. Kiço Londo me këtë pjesën këtej është duke dhënë një shembull shumë të mirë, që e ka mirëmbajtur, e ka lyer, e ka bërë. Mendoj që Tirana e do një teatër të mirë, të ri, që mund të vejë 100-200 vjet, siç e kanë qytete të tjera të Ballkanit dhe e meriton Tirana. Mendoj të bëhet studimi i këtij kompleksi. Aeroporti i Rinasit nuk është gjë me para, me hekura është. Në këtë varfëri, që ka shteti shqiptar, që vetëm rrugën Tiranë-Tunel e ka paguar 4 herë dhe nuk është bërë akoma, shkon më shumë propozimi që bëra unë, të bëhet një kompleks i tëri me pishina, me gjëra, një gjë artistike”, tha Ndrenika.

Mirela Jorgo avokate: Pse nuk bëhet rikonstruksioni i Teatrit nga vetë TEATRI dhe jo nga privati?

Privati, natyrisht, do të marrë kredi bankare për ta ndërtuar si godinë, atëherë le të marrë vetë Teatri Kombëtar kredi bankare duke bërë një preventim të kostos së godinës. Më vonë ta menaxhojë vetë për shfaqjet teatrale. Pse nuk mund ta ndërtojë e menaxhojë vetë teatri këtë objekt? A do t’ia fali privati këtë sipërfaqe teatrit? Si? Duke fituar nga shitja apo qiradhënia e pjesës së kullave? Pse të mos i fitojë këto para shteti dhe direkt teatri? Pse pranohet pa konkurrim firma “Fusha shpk” nëpërmjet këtij projektligji? Ligj në definicion do të thotë norma kuadër që rregullojnë të gjitha marrëdhëniet e fushës (jo firmës Fusha)! Çështjet që duan t’i rregullojnë me këtë projekt ligj, mund t’i zgjidhin me ligjet kuadër që janë në fuqi. Konkretisht: Ligji Për Koncesionet; Ligji Për Prokurimin Publik; Ligji për Pronat Publike; Kodi Civil etj. SA METRA KATROR DO T’I JEPET KËSAJ FIRME DHE SA DISPONON BASHKIA? Deri tani qeveria nuk ka pranuar të japë asnjë detaj për atë që do të ndodhë me vendin, ku sot është Teatri Kombëtar.