Falimentimi i CEZ-it, dëshmi e dështimit të Qeverisë Berisha

565
Sigal

Intervista/Flet Avokati Idajet Beqiri, për abuzimet e CEZ-it ndaj qytetarëve shqiptarë

Avokati Idajet Beqiri, i cilëson të patolerueshme dhe shumë të rënda abuzimet që CEZ i ka bërë shqiptarëve që nga ardhja e saj në Shqipëri. Në një intervistë për ‘Telegraf”, zoti Beqiri, thekson se duhet të ishte larguar nga vendi jonë më parë kjo kompani. Por ai thekson se, “pritet vizita e një ekipi të madh nga Banka Botërore për të vendosur përfundimisht se, çfarë strategjie do të ndiqet, në mënyrë që largimi i CEZ-it të jetë sa më “i butë” dhe pa shumë “komplikacione” për qeverinë.

-Zoti Idajet, Enti Regullator i Energjisë, ka shtyrë për herë të tretë mbledhjen që do të hiqte licencën e CEZ-it. Si e komentoni këtë shtyrje?

-Enti Rregullator i Energjisë varet nga kryeministri Berisha.  Mbledhjet shtyhen se Berishës nuk po i dalin “hesapet” me CEZ-in.  Ajo çka ndodhi me CEZ, domethënë falimentimi total për plotë tre vjet veprimtari, nuk është thjesht një dështim i Qeverisë Berisha, është më shumë se kaq. Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë përpiqet të gjejë “motivet” që kanë çuar deri në këtë vendimi ekstrem, për të diskutuar heqjen e licencës së CEZ-it. E shtymë mbledhjen për të tretën herë,-thonë ata,- sepse gjoja janë “në proces përpunimi të dhënat, dhe se po bëjmë konsultime me institucionet ndërkombëtare!” Për më keq akoma, pasi kanë kaluar më shumë se tre vjet, ERE e paska lënë për këto ditë ” monitorimin në tre kompanitë energjetike CEZ, OST dhe KESH, duke ngritur grupe pune në terren”. Po sipas Entit Rregullator, problemet kryesore kanë të bëjnë me anashkalimin, nga ana e “CEZ Shpërndarje”, e detyrimit për importimin e sasisë totale të humbjeve në rrjet, si dhe faturat ende të papaguara ndaj dy shoqërive të tjera, KESH dhe OST! Kjo qenka “arsyeja” kryesore se përse ERE do t’i heqë licencën CEZ-it! Veç sa sipër ERE shton edhe mungesën e investimeve që duhet të qenë kryer në rrjet nga ana e kompanisë çeke.

-Vallë këto janë “shkaqet” e vërteta që u shty për herë të tretë mbledhja e ERE?!

– Jo, shkaqet e vërteta nuk janë këto. Në vitin 2009, kur qeveria shqiptare dhe ÇEZ-i firmosën kontratën e privatizimit të 76 për qind të aksioneve, për 102 milionë euro, ishte e pranishme, e ulur në të njëjtën tryezë edhe drejtoresha e Bankës Botërore, Camille Nuamah. Ajo ishte aty për të garantuar respektimin e kontratës. Kjo do të thotë se Banka Botërore dilte garante. Aq më shumë që kjo Bankë Botërore vendosi shumën prej 60 milionë euro për këtë kontratë. Në rast se qeveria cenonte ndonjë të drejtë të CEZ-it në këtë kontratë, atëherë vihej në diskutim shuma e garancisë prej 60 milion euro që dha Banka Botërore. Deri tani kanë ardhur plotë shtatë misione të Bankës Botërore në Tiranë vetëm për heqjen, ose jo të licencës së CEZ Shpërndarje-s. Tashmë pritet vizita e një ekipi të madh nga Banka Botërore për të vendosur përfundimisht se çfarë strategjie do të ndiqet, në mënyrë që largimi i CEZ-it të jetë sa më “i butë” dhe pa shumë “komplikacione” për Berishën dhe qeverinë e tij të falimentuar.

-Si i cilësoni abuzimet e CEZ që po bën ndaj konsumatorëve shqiptarë, si abuzimet me faturat, ndërprerja kolektive e energjisë?

– Dëmi që CEZ-i u ka bërë shqiptarëve dhe ekonomisë së vendit, është i pallogaritshëm. Thënë më hapur, CEZ, me bekimin e Qeverisë Berisha, për më shumë se tre vjet, bëri një masakër kriminale ndaj shqiptarëve dhe disa bizneseve në vend. Një hetim serioz i këtij krimi të rënd penal, por mbi të gjitha kombëtar, do të hidhte dritë në radhë të parë mbi shkaqet dhe motivet e vërteta se përse u bë privatizimi i sektorit energjetik të Shqipërisë. Pastaj do të zbardhej fakti se pse pikërisht u fut në “lojë” ky ÇEZ-i, “fitues” i tenderit në vitin 2009, kush qëndronte pas tij dhe me çfarë shpërblimi u përvetësua kjo pasuri e rëndësishme kombëtare, për krijimin e së cilës ka derdhur aq shumë djersë, mund, sakrifica dhe deri gjak një popull i tërë shqiptar. Një hetim i plotë dhe i gjithanshëm prej një organi akuze të një shteti serioz ligjor, që mbi ligjin dhe mbi interesat kombëtare, nuk vë asgjë tjetër, do të nxirrte allishverishet dhe korrupsionin e paimagjinueshëm, që u bë mes matrapazëve të Qeverisë sonë nga njëra anë, dhe sharlatanizmit të atyre që e “fituan” tenderin në vitin 2009, nga ana tjetër.

-A e shihni të mundur largimin e CEZ nga Shqipëria, meqenëse ka pasur  mjaft pakënaqësi ndaj kësaj kompanie?

-Në kuptimin ligjor dhe faktik, duke e parë në tërësi gjithë veprimtarinë e CEZ-it për këto tre vjet, rezulton se ai ka qenë i vetëlarguar. Gjatë këtyre tre vjetëve kjo Kompani i vodhi dhe ua hoqi “lëkurën e tretë ” shqiptarëve. Pra u pasurua sa mundi. Pasuroi dhe vazhdon ende t’i pasurojë të korruptuarit e Qeverisë Berisha. Përmes “lojës ” me ” heqje të licencës ” që bënë Qeveria kërkohet që të justifikohen edhe vjedhjet e tjera të rënda që po e do i bëhen pasurisë kombëtare dhe xhepave të shqiptarëve me rregullimet e pasojave që shkakton falimentimi i një Kompanie kaq gjigande. Ka një akordancë të plotë mes Qeverisë dhe CEZ-it për falimentimin e Kompanisë. Kërkohet t’i hidhet hi syve popullit dhe faktorëve ndërkombëtar për interesin që kanë  të dyja palët për falimentimin e CEZ-it dhe për heqjen e licencës së tij. CEZ Shpërndarja e kreu ” misionin ” e vet. Tashmë qeveria do të mbulojë krimin që kreu përmes kësaj Kompanie. I heq CEZ-it licencën, shpall falimentimin e saj, dhe kështu ” Pilati ” i lanë duart e pista, të cilat i zhyti  dhe do t’i zhysë edhe më thellë në xhepat e shqiptarëve, duke ua tharë më tej shpirtin, duke i varfëruar edhe më keq se sa janë.

-Pse, çfarë do të ndodhi më tej, sipas jush?

-Po ja, Qeveria e Berishës po u merr 2.5 miliardë lekë fondeve të bashkive dhe komunave të programuara në buxhetin e këtij viti. Ato do të shkojnë për shlyerjen e detyrimeve që ndërmarrjet e ujësjellësit i kanë CEZ-it. Kolapsi dhe falimentimi gjithëpërfshirës do të na mbulojë, më keq sesa na ka mbuluar. Pushteti vendor nuk do të funksionojë sepse nuk do të kenë mundësi të paguajnë as pagat e punonjësve të tyre dhe jo të realizojnë investime apo shërbime për qytetarët. Përveç shumës prej 13 milionë euro që kalon direkt në buxhetin e CEZ-it, qeveria e Berishës ka lëshuar një letër garanci prej 7 miliardë lekësh, nëpërmjet së cilës KESH mund të marrë kredi në banka për të importuar energjinë që i duhet vendit deri në fund të vitit. Në fakt i gjithë ky mekanizëm që heq 63 milionë euro nga fondet publike po vjen për shkak të keqadministrimit të kompanisë CEZ nga vetvetja dhe nga qeveria.