Elbasan, Basha: Sëmundja e gjedhit shërohet me një qeverisje për njerëzit, jo për miqtë e Ramës

479
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar me banorët e Mjekësit në Elbasan, të cilët i kanë shprehur shqetësimin se po humbin gjënë e gjallë nga dermatoza. Banorët thonë se ndodhen në kushte të vështira, pasi sëmundja e gjedhëve, po u shfaros lopët çka për shumicën e këtij fshati me mijëra banorë, pak kilometra nga Elbasani, është falimentim i plotë. Fshati ka pak tokë, ndaj banorët kanë investuar në blegtori duke u mbështetur tek shitja e qumështit dhe mishi, por sëmundja e gjedhëve po u shkakton dëme të mëdha, pasi askush nuk u ka siguruar vaksinat e nevojshme.

Teksa i kanë shprehur shqetësimin për situatën në cilën ndodhen, kryedemokrati Basha u ofroi mbështetje, duke u thënë se qeveria aktuale është larguar nga qytetarët, duke mos u siguruar “as vaksinën të cilën nuk e përballojnë ta blejnë vetë”.

“Të gjithë këtu janë të prekur nga lopët por një ditë do të dalim edhe për fëmijët në shkolla. Po hyn droga në shkolla. Bashkëfshatarët e mi jetojnë me 1 ose 2 lopë dhe shesin qumështin. Kanë dy javë që nuk i mjelin më se i kanë të sëmura dhe secili mundohet të sigurojë veteriner në mënyrë private për vaksinat që i paguajnë vetë”, u shpreh një prej fermërëve.

Një tjetër banor i Mjekësit thotë se vaksinat janë blerë privatisht nga 25 mijë lekë, por shumë prej tyre nuk kanë pasur mundësi t’i përballojnë.

“Nuk kemi burim tjetër të ardhurash përveç asaj lope që kemi dhe mbajmë familjen gjallë”, tha një tjetër fermer.

Lideri i opozitës u shpreh se qeveria është larguar nga njerëzit, ndaj dhe njerëzit duhet të largojnë qeverinë për një qeverisje për njerëzit.

“Lekë për avion privat ka, lekë për ekspozita ka por lekë për ju nuk ka. Lekë për vaksina nuk ka, lekë për subvensione nuk ka, lekë për pensione nuk ka. Pse?! Sepse i ka marrë të gjitha për vete. Kaq e thjeshtë është. Kjo është e vërteta. Kjo është një qeveri dhe një kryeministër që mendon vetëm për vete. I ka harruar njerëzit. I ka vënë vizën njerëzve. Programi jonë është për subvencione të drejtpërdrejta për fermerin; pa nipt, pa burokraci, në varësi të prodhimit bujqësor apo blegtoral shteti tu financojë drejtpërdrejtë me para në dorë. Por ju duhet ta kuptoni dhe jam i sigurtë që e kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë për zgjidhje teknike por kjo ka nevojë për vullnet politik. Nëse qeverisja u kthehet njerëzve, nëse buxheti vihet në funksionin tuaj, nëse shteti nuk mendon vetëm tu vendosë taksa dhe këto para ti vjedhë, por mendon se si t’u vijë në ndihmë, atëherë sigurisht që ka zgjidhje. Bashkë të ndërtojmë një qeverisje për ju. Por padyshim që hapi i parë është të largojmë këtë qeveri e të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme se me këtë qeveri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Fermerët shprehën besimin tek Basha dhe kërkuan mbështetje të plotë nga ai. “Mbështetjen e keni 100 %”, i siguroi lideri i opozitës.