Dade:Opozita fund bojkotit! Ejani në seancat dëgjimore për ambasadorët

403
Sigal

TIRANE – Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme Arta Dade, i ka bërë thirrje opozitës, që t’i japë fund bojkotit parlamentar dhe të marrë pjesë në Kuvend dhe në Komisioneve Parlamentare. Apeli i deputetes Dade u bë në fillim të mbledhjes së Komisionit të Jashtëm ku u zhvillua seanca dëgjimore me dy kandidatë për ambasadorë, Kastriot Robo, në Mbretërinë e Danimarkës dhe Ilir Tepelena në Republikën e Rumanisë.

Dade,  i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në komision pasi shpesh herë ka ngritur shqetësimin për seanca dëgjimore me ambasadorë.

Duke vijuar më pas me mbledhjen, dy kandidatët për ambasadorë, paraqitën prioritetet që do të kenë në misionet e ardhshme diplomatike. Kandidati Robo vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira Shqipëri-Danimarkë, ndërsa theksoi mbështetjen që pala daneze i ka dhënë vendit tonë në procesin e anëtarësimit në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Robo tha se Danimarka është një nga vendet e para që ka mbështetur luftën kundër ISIS. Ai vuri në dukje rritjen e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, si dhe mbështetjen që qeveria daneze ka dhënë për institucionin e Avokatit të Popullit.

Kandidati për ambasador në Rumani, Ilir Tepelena, tha se në punën e tij do të ketë prioritet njohjen e Kosovës. Sipas tij, qeveria dhe parlamenti rumun e mbështesin njohjen e Kosovës nga Rumania, por kjo kundërshtohet nga presidenti Basescu. “Sfida ime është intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe konsolidimi i dialogut politik”, u shpreh Tepelena. 

Marrë nga “ATSH”