Edvin Kulluri, ish anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së/ Pas çdo vendimi politik të Bashës, Rama ka marrë më shumë pushtet

451

Partia Demokratike e sotme nuk është as në opozitë e jo më të jetë alternativë qeverisëse! Humbja e 2017 dhe bojkoti i 30 qershorit janë dështime që nuk kalohen me fjalë

Petraq BARJAMI

Edvin Kulluri, ish anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shfaq mosbesimin se PD-ja e sotme nuk është as në opozitë, por as alternativë qeverisëse, ndërkohë që mospjesëmarrja e saj në zgjedhjet vendore është dështim dhe jo strategji opozitare, ndërkohë që edhe ndërkombëtarët e dënuan PD-në për bojkotin e 30 qershorit. Zoti Kulluri shprehet se çdo vendim i kryetarit të PD-së Lulzim Basha i ka dhënë më shumë pushtet kryeministrit Rama. Zoti Kulluri shprehet edhe për dorëzimin e mandateve të deputetëve nga Opozita, duke theksuar se “Dorëzimi i mandateve mund të kryehej vetëm nëse kishte siguri se do kishte mbështetje të madhe popullore dhe ndërkombëtare. Përndryshe do dështonte, siç rezultoi”.

-Zoti Kulluri a është PD-ja një alternativë qeverisëse? Është e gatshme të Qeverisë?

– Partia Demokratike e sotme nuk është as ne opozite e jo më të jetë alternativë qeverisëse! Duhet të jesh opozitë së pari e më pas alternativë. Humbja e 2017 dhe bojkoti i 30 qershorit janë dështime që nuk kalohen me fjalë. Demokratët janë lënë jashtë pushtetit pa të drejtë nga lidershipi i PD dhe jo nga Rama. Për 2017 janë thënë e stërthënë shkaqet, ndërsa vijimi i të njëjtës mënyrë drejtimi tregon se ky është projekt për të fundosur besimin tek opozita dhe jo aksident. Asnjë reflektim nuk ka pasur. Ekipi drejtues është më i dobët se ai i 2014, ku të paktën Këshilli Kombëtar dhe Kryesia kishin persona politike. Tani forumet drejtuese janë mbushur me njerëz pa curriculum politik. Pjesa më e madhe nuk shquhen për asnjë atribut qëndror apo lokal. Shpërndajnë postimet e Bashes ne Facebook dhe s’bëjnë asgjë tjetër. Të thërrasësh për “fitore” në 30 qershor është shembulli më i mirë i absurditetit që ka përfshirë partinë. Ata që humbën zgjedhjet në 2017 më keq se në 2013, nuk mund të prodhojnë alternative. Vetëm sa “çimentojnë” pushtetin aktual. Partia nuk as drejtim ideologjik e as njerëz më të mirë se Rilindja.

– A ka Strategji të qartë politike PD-ja? Premtoi protesta pas 21 tetorit, ndërsa tani nuk ndihet?

– Strategjia është “çfarë themi sot, nuk e bëjmë nesër”. Një herë mbështesin negociatat me BE, ndërsa të nesërmen flasin për qeverisje të korruptuar dhe kriminale. Çfarë qëndrimi ka si përfundim për këtë çështje? E ndajmë dot Shqipërinë nga qeverisja? Unë them se është e pamundur. Dhe djegia e mandateve është mesazhi më i keq për BE! Sa për atë që pyesni, protestat e para qershorit nuk çuan askund. Përkundrazi, opozita u “dënua” nga ndërkombëtarët me zhvillimin e zgjedhjeve.

– A i shërbeu opozitarizmit dorëzimi i mandateve të deputetëve nga PD-ja?

– Dorëzimi i mandateve mund të kryehej vetëm nëse kishte siguri se do kishte mbështetje të madhe popullore dhe ndërkombëtare. Përndryshe do dështonte, siç rezultoi. U bë hera e dytë pas “çadrës” që radikalizmi i PD-së nuk mbështetet nga brenda dhe jashtë. Mungon substanca politike.

Demokratët janë lënë jashtë pushtetit pa të drejtë nga lidershipi i PD dhe jo nga Rama. Për 2017 janë thënë e stërthënë shkaqet, ndërsa vijimi i të njëjtës mënyrë drejtimi tregon se ky është projekt për të fundosur besimin tek opozita dhe jo aksident

Kjo që bën Basha është kundërshtim me mjete radikale ekstra politike. Nëse nuk merr me shumë vota se pushteti, je i dështuar.

– Sa vërtetësi ka Opinioni që PD-ja i “fali” Rilindjes edhe pushtetin vendor, derisa nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore?

-Ka gjë më të vërtetë se vetë fakti?! Kush i drejton sot bashkitë, përveç Shkodrës dhe Vorës? Rilindja! Çfarë duhet të vërtetojmë më shumë se kaq?!

– Deputetët aktualë të “opozitës” janë produkt i Listave të Mbyllura të Sistemit Zgjedhor aktual, i cili penalizon PD-në. Përse deri tani PD-ja nuk kërkon me forcë ndryshimin e Kodit Zgjedhor siç e kërkojnë Partisë aleate opozitare?

– Në një masë të caktuar edhe grupi i mëparshëm parlamentar nuk dallonte shumë nga ky aktuali. I mban mend mirë deputetët që nuk bënin dot 5 fjali bashkë deri në shkurt, kur u dogjën mandatet. Pjesa tjetër kishin më shumë eksperiencë, por ajo që do mbahet mend janë 2-3 fjalime të Dashamir Shehit dhe kaq. Nuk mjaftonte. Kusuri ishin “hedhje vezësh”, “rezerva stilolapsash” dhe “tymuese” të tipit Vetëvendosje. Veprime prej radikalësh të majtë. Asnjë alternativë, vizion, pikëpamje.

Dorëzimi i mandateve mund të kryehej vetëm nëse kishte siguri se do kishte mbështetje të madhe popullore dhe ndërkombëtare. Përndryshe do dështonte, siç rezultoi. U bë hera e dytë pas “çadrës” që radikalizmi i PD-së nuk mbështetet nga brenda dhe jashtë

Xheste pa përmbajtje. Me këtë degradim demokratik të partive dhe ligj elektoral, herën tjetër do ndryshojnë emrat, por jo përmbajtja.

– Mospjesëmarrja e PD në procesin e vendimmarrjes për kandidatë të institucioneve të reja të Drejtësisë, ( sikurse bojkotoi edhe Reformën Territorial, prej së cilës pësoi humbje në zgjedhjet parlamentare të 2017) a i shërben opozitarizmit dhe vetë Drejtësisë?

– Pyetja është e drejtë. Fakti është se pas çdo vendimi të Bashës, Rama ka marrë më shumë pushtet. Politika matet me fakte e jo me retorikë.

– Kryetari i PD-së para qershorit 2017 kishte kauzë:”Qeveri teknike, zgjedhje të reja pa Ramën kryeministër”. Tani nuk e përmend më. Çfarë ka ndryshuar?

– Thjesht nuk ka hapësirë veprimi dhe mjete presioni. Me çfarë i imponohesh kundërshtarit? Me ato për të cilat je vetë përgjegjës?! Kujt ja drejton këto kërkesa, kur nga parlamenti ke ikur vetë. Në zgjedhje lokale nuk hyre vete. Organet e drejtësisë ja fale, po vetë, siç ju e konstatoni me të drejtë. Atëhere çfarë kuptimi ka të vesh kushte për gabimet e tua?! Çdo gjë që po shkon keq nën këtë qeverisje ishte përgjegjësi e PS deri në qershor te 2017! Pas atyre zgjedhjeve është e kotë t’i kërkosh llogari Ramës. Ai kështu di të qeverisë.

Situata do përkeqësohet pas reniës së tërmetit. Rama do e shfrytëzojë këtë fatkeqësi për të kompleksuar këtë opozitë, kur ja ka arritur në kushte normale. Nuk shoh zgjidhje nëse nuk reagojnë njerëzit brenda PD dhe PS

Situata do përkeqësohet pas reniës së tërmetit. Rama do e shfrytëzojë këtë fatkeqësi për të kompleksuar këtë opozitë, kur ja ka arritur në kushte normale. Nuk shoh zgjidhje nëse nuk reagojnë njerëzit brenda PD dhe PS për të larguar këtë lidership të papërgjegjshëm. Kjo është elita më e dështuar drejtuese në 29 vjet. Nuk kanë as aftësi, as moral e as eksperiencë. Gara mes të këqijave më të vogla nuk është garë, por dekadencë.

– Faleminderit!