Edi Rama: Pesha politike e Shqipërisë, më e fuqishme se kurrë

475
Sigal

Në 5-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Edi Rama, duke folur në ceremoninë e rastit, e vlerësoi këtë hap ndër më të rëndësishmit në historinë e shtetit shqiptar, ndërsa shprehu mirënjohje për popullin dhe politikën shqiptare, të gjitha ato kombe dhe në mënyrë të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbështetën vendin tonë të bëhet pjesë e aleancës më të fuqishme të njerëzimit. Mirënjohjen ndaj NATO-s, Kryeministri Rama nuk e kufizoi vetëm me mbështetjen ndaj Shqipërisë për ta bërë pjesë të saj, por sidomos me rolin që kjo organizatë ka luajtur për vendosjen e paqes në rajon. “Mirënjohja ndaj NATO-s lidhet ngushtësisht edhe me rolin e asaj të madh në shuarjen e luftërave në Ballkan dhe posaçërisht në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pushimi i luftës, në rajon dhe liria e Kosovës mbeten kontribute pashlyeshme të Aleancës më të fuqishme në botë”,-theksoi Rama. Siç u shpreh ai, të bërit pjesë të Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike, ka ndikuar shumë pozitivisht të gjithë parametrat e zhvillimit të vendit. “Ne tashmë e kemi bashkuar të ardhmen tonë me të ardhmen e popujve të lirë e të mëdhenj të cilët, çmimin e lirisë e kanë paguar dhe e paguajnë si çmimin e mirëqenies dhe sigurisë për të sotmen dhe gjeneratat që vijnë. Gjithashtu duke u integruar në Aleancën e madhe, Shqipëria është bërë pjesë e pandashme vlerave të larta të demokracisë lirisë dhe të drejtave njerëzore, ekonomisë së lirë dhe shtetit ligjor. Anëtarësimi në NATO e ka rritur si kurrë më pare rëndësinë dhe fuqinë politike të Shqipërisë si shtet, që tashmë është pjesë aktive e vendimmarrjeve më të rëndësishme për sigurinë në rrafshin global ”, tha Rama. Më tej, Kreu i Ekzekutivit tha se, Shqipëria është e angazhuar ligjërisht për të kontribuar edhe për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë së çdo vendi aleat, ashtu sikundër mbrojtjes së paqes, lirive dhe të drejtave ku kjo Aleancë e sheh të nevojshme.