Edi Rama: Koalicioni qeverisës nuk funksionon, do të ulem të flas me Metën

45

E ardhmja e koalicionit PS-LSI në zgjedhjet e
ardhshme parlamentare mbetet një nga pikëpyetjet aktuale të politikës
shqiptare. Duke iu referuar pikërisht koalicionit, Kryeministri Edi Rama ka
thënë dje në një intervistë për RTSH se ka ende shumë gjëra për të përmirësuar
në funksionimin e përditshëm të koalicionit. Kreu i qeverisë tha se do të ulet
për të biseduar me kreun e LSI­së, Ilir Meta për të përcaktuar nëse të dy partitë
do të jenë në një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 2017. “Ka shumë
kritika, rezerva, ankesa, në rutinën e përditshme për funksionimin e
koalicionit, etj­etj. Por nëse do të merrnim pak distancë dhe do të shikonim të
gjithë panoramën e këtyre tre viteve të para të bashkëpunimit tonë, do të
shikonim që ky koalicion dhe kjo shumicë qeverisëse ka bërë reforma që nuk janë
bërë për 20 e kusur vite dhe ka siguruar ecjen hap pas hapi në këtë rrugë
reformash me probleme minimale, në kuptimin e kompaktësisë. Dhe kjo është një
gjë shumë e madhe”. “Pra, ka shumë gjëra për të përmirësuar në funksionimin e
përditshëm të koalicionit, por ka një gjë të rëndësishme për të vlerësuar për
këtë koalicion, që është kapacitetit për të garantuar një program serioz reformash
shumë të thella që hap pas hapi do na japin rezultate të dëshiruara dhe do e
bëjnë koalicionin të vlerësohet pozitivisht përtej problematikave që, sigurisht
janë e kërkojnë adresim”. “Për sa i përket mandatit të ardhshëm, unë e kam
thënë e do e përsëris që është koha dhe shumë shpejt ne do të ulemi për të
diskutuar në mënyrë të hapur, gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me
bilancin e deritanishëm, lidhur me sfidat e kësaj faze të fundit të mandatit
dhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme për të patur qartësi të plotë, jo vetëm mes
nesh, por dhe me publikun mbi ecurinë e mëtejshme, për të mos konsumuar
energjitë e njerëzve me gjëegjëza që mund t’iu vlejnë vetëm atyre që jetojnë
përditë me krijimtarinë e botës së informacionit, por nuk u vlejnë të tjerëve”.